Nga Dr. Elona Pojani *
Ndryshimet klimatike janë një nga sfidat më të urgjente të brezit tonë. Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimin e Klimës (IPCC) ka llogaritur se temperaturat mesatare globale të sipërfaqes janë rritur me 0.13 ° C për dekadë që nga viti 1950 dhe se temperaturat mesatare globale të sipërfaqes mund të rriten nga 1.8 ° C në 4 ° C deri në fund të shekullit 21 për shkak të emetimeve të GHG që pritet të ndodhin në të ardhmen. Pasojat e mundshme të kësaj ngrohjeje variojnë nga të menaxhueshme në katastrofike. Disa ndikime do të ndihen në prodhimin bujqësor, ekosistemet natyrore, biodiversitetin, ndotjen e ujit, pyjet dhe speciet e gjalla, shëndetin dhe ngritjen e nivelit të detit. Ndryshueshmëria e klimës gjatë shekullit të kaluar është përkeqësuar nga aktiviteti njerëzor, veçanërisht në vendet e zhvilluara. Shkencëtarët kanë paralajmëruar se nëse nuk merren masa, pasojat do të jenë katastrofike për brezat e ardhshëm.
Mendimi bashkëkohor mbi menaxhimin e ndryshimit të klimës përcakton dy lloje të veprimtarive të ndryshme për ta adresuar atë: aktivitete për zbutje dhe aktivitete për përshtatje. Aktivitete për zbutje kanë theksin kryesor, sepse sa më shumë zbutje të bëhet, aq më pak aktivitete për përshtatje do të jenë të nevojshme. Sidoqoftë, edhe në skenarin më optimist të përpjekjeve për zbutje, efektet e ndryshimit të klimës do të ndjehen në rritje, duke kërkuar bashkëpunim në një shkallë ndërkombëtare. Në vitin 2015, 193 liderë botërorë të Kombeve të Bashkuara ranë dakord për 17 Objektiva të Zhvillimit të Qëndrueshëm, për të filluar një plan veprimi integral në të gjithë botën, duke përqafuar të gjitha dimensionet e qëndrueshmërisë. Objektivat e qëndrueshmërisë ofrojnë më shumë mundësi për pjesëmarrjen dhe bashkëpunimin e shumë palëve, si dhe sfida të reja për mjedisin tonë ekonomik dhe shoqëror.
Sistemi arsimor ndikohet shumë nga këto sfida. Ndryshimet klimatike ndikojnë si në anën e kërkesës ashtu edhe të ofertës së arsimit. Komunitetet më pak të zhvilluara janë ato që mbajnë kostot e një mjedisi të dëmtuar, dhe kjo ndikon edhe në sigurimin e arsimit. Ndryshimi i klimës ndikon në cilësinë e arsimit dhe rrezikon sigurinë e studentëve dhe mësuesve të përfshirë në proçesin e mësimdhënies dhe nxënies. Fatkeqësitë e shkaktuara nga ndryshimet klimatike mund të dëmtojnë ose shkatërrojnë objektet shkollore dhe sistemet arsimore, duke kërcënuar sigurinë fizike dhe mirëqenien psikologjike të komuniteteve. Migrimi i popullatës për shkak të kërcënimeve klimatike, mund të shkaktojë ndërprerjen e furnizimit arsimor. Për më tepër, ndikimet ekonomike të katastrofave zvogëlojnë regjistrimin në shkollë, pasi fëmijët mbahen jashtë shkollës për të ndihmuar familjet e tyre përballojnë pasojat e katastrofës.
Pavarësisht nga kërcënimet e ndryshimeve të klimës, sektori i arsimit përfshin shumë kapacitete adaptive. Institucionet e Arsimit të Lartë janë vendi ku trajnohen udhëheqësit e së ardhmes. Prandaj, ata kanë mundësinë për të udhëhequr veprimet drejt qëndrueshmërisë dhe përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike. Tashmë është provuar që arsimi ka ndikim në çështjet kryesore me rëndësi globale, prandaj është e rëndësishme që roli i tij të mos anashkalohet.
Ka shumë mënyra se si çështjet e zhvillimit të qëndrueshëm dhe përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike mund të përfshihen në sistemin arsimor. Edukimi për Zhvillimin e Qëndrueshëm është një mjet gjithëpërfshirës dhe multidisiplinor që përfshin jo vetëm zhvillimin e njohurive të reja mbi fushën e ndryshimeve klimatike dhe zhvillimit të qëndrueshëm, por gjithashtu përqëndrohet në aftësimin e shkollave dhe sistemeve arsimore për t’u bërë më rezistent ndaj ndryshimeve klimatike, si dhe më të qëndrueshëm dhe të gjelbër.
Edukimi për Zhvillimin e Qëndrueshëm ofron shumë mundësi, por në të njëjtën kohë paraqet shumë sfida. Arsimi është një komponent kritik i aftësive adaptive. Mënyra se si njerëzit edukohen dhe përmbajtja e arsimit mund të sigurojnë njohuri dhe aftësi të nevojshme për marrjen e vendimeve se si të përshtasim stilin e jetës dhe zgjedhjet tona në një mjedis të ndryshueshëm. Mësimdhënia mbi qëndrueshmërinë përfshin natyrën ndërdisiplinore të problemeve në fjalë. Për më tepër, ajo kërkon jo vetëm përqendrimin në përmbajtjen e lëndëve të ndryshme, por edhe zbatimin e mënyrave dhe metodologjive të reja të mësimdhënies. Prandaj pedagogjia në fushën e qëndrueshmërisë është një çështje komplekse. Zakonisht, lektorëve të përfshirë në këtë lloj mësimdhënie u kërkohet të punojnë jashtë fushave të tyre të ekspertizës. Ata duhet të sjellin përmbajtje dhe metodologji të reja në proçesin e mësimdhënies, në mënyrë që të promovojnë të menduarit kritik dhe një qasje për zgjidhjen e problemeve nga studentët. Së fundmi, shkollat dhe institucionet arsimore duhet të bëhen të qëndrueshme përmes politikave të gjelbërta që promovojnë qëndrueshmërinë nëpërmjet ndërtimit, projektimit dhe mirëmbajtjes së faciliteteve arsimore, duke zvogëluar në këtë mënyrë gjurmët e tyre ekologjike. Si përmbledhje, sistemi arsimor mund të ndikojë në veprimin ndaj ndryshimeve klimatike duke përmirësuar njohuritë rreth këtij fenomeni, duke adresuar metodologji të mësimdhënies që nxisin një qasje drejt zgjidhjes së problemeve dhe të menduarit kritik, dhe duke i bërë shërbimet universitare më të qëndrueshme dhe më të gjelbërta.
Megjithëse roli i arsimit në adresimin e sfidave të ndryshimeve klimatike po njihet gjithnjë e më shumë, aftësia e arsimit për të kontribuar në masat e përshtatjes dhe zbutjes duhet të depërtojë ende në zhvillimin e të menduarit. Kjo është veçanërisht e vërtetë për rajonin e Ballkanit, përfshirë Shqipërinë.
Vendet e Ballkanit Perëndimor ndajnë një të kaluar të përbashkët komuniste, e cila, në shkallë të ndryshme, vazhdon të ndikojë në sistemet e tyre të arsimit të lartë. Sidoqoftë, në periudhën postkomuniste (1990 e deri më sot) kurrikulat e arsimit të lartë janë rishikuar shumë për të përfshirë parimet e përcaktuara në Proçesin e Bolonjës. Gjithashtu, janë hartuar kurse tërësisht të reja. Bashkimi Evropian ka mbështetur sektorin e arsimit të lartë në rajon përmes një game të gjerë të projekteve dhe skemave të financimit, dhe shumica e vendeve janë pajtuar me gatishmërinë për të përqafuar praktikat arsimore perëndimore, siç janë multidisiplinariteti ose ndërdisiplinariteti. Ndërsa programet bachelor kanë tendencë të jenë më tradicionale përsa i përket përmbajtjes dhe përqëndrimit, programet pasuniversitare po bëjnë përpjekje të përbashkëta për të zgjeruar përmbajtjen e tyre. Krijimi i një sërë programesh master është dëshmi e kësaj. Ky ndryshim pasqyron nevojat e një të ardhmeje gjithnjë e më sfiduese siç është përshkruar më sipër. Aftësitë e të diplomuarve të rinj duhet të plotësojnë nevoja të reja të komunitetit, qeverisë dhe industrisë.
Në rajonin e Ballkanit, identifikohet mungesa e veprimit në fushën e qëndrueshmërisë brenda Sistemeve të Arsimit të Lartë. Janë vënë re pak përpjekje për të zbatuar arsimin e modernizuar në fushën e zhvillimit të qëndrueshëm në rajon si dhe pak përpjekje për t’i bërë shërbimet universitare më efikase dhe më të qëndrueshme. Ndërsa Arsimi për Zhvillim të Qëndrueshëm po bëhet gjithnjë e më popullor në BE, në vendet e Ballkanit ka ende punë në këtë drejtim. Me përjashtim të Greqisë, pak vende në rajon kanë zbatuar konceptin e ndërdisiplinaritetit në arsimin e lartë, dhe përfshirjen e temave që lidhen me menaxhimin e rrezikut nga katastrofat, përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike, tregjet e energjisë, etj. Ngurtësia kulturore, sistemi arsimor tradicional dhe tregu i punës përgjithësisht i kufizuar, janë disa pengesa për zbatimin e kërkesave të tilla në arsimin e lartë.
Studimi i tregut i realizuar në Shqipëri tregon se, ndërsa shprehin nevojën për një forcë pune më të larmishme (përsa i përket arsimit), profesionistët dyshojnë në aftësinë e tregut të punës për të përfshirë të diplomuarit e programeve të studimit “moderne” dhe “inovative”. Një program studimi i natyrës ndërdisiplinore i zbatuar në vitin 2018 në Fakultetin e Ekonomisë, Universiteti i Tiranës, në kuadrin e një projekti të BE-së i quajtur “Njohuri për një shoqëri të qëndrueshmë”, është një nga përpjekjet e para në vend për të përfshirë tema mbi qëndrueshmërinë në kurrikulat e universitit. Programi i në fjalë quhet Master i Shkencave në Menaxhimin e Riskut dhe përfshin tema që lidhen në mënyrë indirekte dhe drejtpërdrejt me qëndrueshmërinë, siç janë: menaxhimi i rrezikut nga katastrofat, përshtatja ndaj ndryshimeve klimatike, qëndrueshmëria financiare ndaj rreziqeve, modelimi i rrezikut nga katastrofat, vlerësimi i rrezikut nga katastrofat, etj. Ky program studimi është i vetmi në vend që përfshin një kurs mbi Përshtatjen ndaj Ndryshimeve Klimatike. Pavarësisht rëndësisë së tij, ky program studimi ka përfshirë vetëm 30 studentë në secilin nga dy brezat e para të tij.
Për të adresuar këto sfida dhe për të udhëhequr rrugën drejt qëndrueshmërisë në sistemin e arsimit të lartë, bashkëpunimi dhe ndihma ndërkombëtare është thelbësore. Përvoja e vendeve të BE-së në fushën e qëndrueshmërisë, mund të jetë shtytje në arritjen e qëllimeve të qëndrueshmërisë për arsimin e lartë në rajonin e Ballkanit. Projektet e përbashkëta, bashkëpunimi mes institucioneve të arsimit të lartë nga BE dhe Ballkani, si edhe nxitja e bashkëpunimit dhe rrjetëzimit brenda rajonit dhe më gjerë, adresojnë synimet e integrimit të secilit vend dhe i shërbejnë nevojave të veprimit të përbashkët dhe të integruar për zhvillimin e qëndrueshëm.
*Profesoreshë në Fakultetin e Ekonomisë dhe Konsulente në Programin e UNDP për Problemet e Ekonomisë / Ndryshimet e Klimës