Unaza e Madhe/ Qeveria miraton 1.6 miliardë lekë për shpronësimin e banorëve

0
13

Këshilli i Ministrave miratoi sot disa ndryshime dhe shtesa në vendimin “Për shpronësimin për interes publik të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit për rehabilitimin e segmentit rrugor Pallati me Shigjeta-Rrethrrotullimi Shqiponja”, të ndryshuar.

Sipas këtij vendimi, pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, do të kompensohen në vlerë të plotë sipas masës përkatëse, për pasuritë e llojit “truall”, “tokë arë” dhe “ndërtesë”, me një vlerë të përgjithshme prej 1 637 923 893.36 lekë.

Vendimi parashikon se 1 224 874 430.42 lekë do të përballohen nga buxheti i vitit 2019, miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Ndërsa 158 067 603.10 lekë, nga buxheti i miratuar për Autoritetin Rrugor Shqiptar dhe 200 000 000 lekë nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për vitin 2020.

Po ashtu 54 981 859.84 lekë do të përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, për vitin 2021”.

Vlera e shpenzimeve procedurale, prej 50 000 lekësh, sipas vendimit do të përballohet nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Drejtoria Vendore Tiranë./ATA

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu