Unioni i Bashkive Shqiptare në Rajon këtë 8 mars arriti të bëjë bashkë bashkitë e komunat e Tiranës, Krujës, Tuzit, Prishtinës, Prizrenit, Tetovës, Ulqinit, Preshevës dhe Cairit në edicionin e parë të “Forumit të grave shqiptare të suksesshme në rajon”.
I mbajtur në Komunën e Tuzit kjo ngjarje përfshiu një program të larmishëm duke vendosur në fokus të vëmendjes gruan shqiptare dhe rrugëtimin e saj në demokraci për të fituar më shumë të drejta dhe për tu bërë faktor në shoqëri.
Me pjesëmarrjen e më shumë se 150 pjesëmarrësve nga të gjitha rajonet shqipfolëse, Komuna e Tuzit u shndërrua në një vend feste për banorët nëpërmjet panairit të artizanateve në të cilin u paraqiten 40 ekspozues nga 8 komuna të rajonit. Tema e përbashkët e panairit ishte promovimi i kulturës dhe traditës shqiptare.
‘’Forumi i Grave të trevave shqiptare’’ zhvilloi një axhendë që përfshiu përfaqësuese dhe eksperte të fushave të ndryshme si nga politika, biznesi, shoqëria civile etj ku pjesëmarrëset ndanë së bashku eksperiencat, idetë dhe adresuan sfidat me të cilat përballet gruaja shqiptare në ditët e sotme.
Forumit iu bashkuan emra të njohur të grave në politikë, biznes, televizion, art dhe vendimmarrje.
Sipas kryetares së Unionit të Bashkive znj. Andriola Kambo , nisma synon të krijojë një precedentë dhe të bëhet një organizim i përvitshëm me pjesëmarrje edhe më të gjerë, i cili synon të zgjojë dhe kontribuojë në fuqizimin e gruas shqiptare kudo në rajon.