Trendet e burimeve njerëzore për vitin 2020

0
72
Nga Rezarta Karapici
Specialiste e Burimeve Njerëzore

Bota e biznesit është padyshim e lidhur ngushtë me faktorin njerëzor, i cili i jep jetë proceseve, praktikave dhe objektivave të vendosura.

Nga ana tjetër përsa kohë bota e biznesit është në proces evolucioni të vazhdueshëm edhe Burimet Njerëzore si një element kyc në mbarëvajtjen e organizatës, kërkojnë gjithnjë vëmendjen dhe zhvillimin e duhur për t’ u adaptuar me risitë dhe ndryshimet e vazhdueshme.  Më poshtë japim disa trende të zhvillimit të burimeve njerëzore që parashikohen gjatë vitit 2020:

1- Zhvillimi i Teknologjisë dhe Burimet Njerëzore (HR)

Teknologjia në kohët e sotme po ecën me ritme shumë të shpejta gjë që d.m.th. se mjete të reja, sisteme të reja dhe infrastrukturë e re po vihen në zbatim me shumë shpejtësi (madje në kohën që ne po flasim). Drejtuesit e Burimeve Njerëzore jo vetëm që do të duhet të përballen me adoptimin e proceseve të reja dixhitale, por ata do të jenë përgjegjësit kryesorë për përzgjedhjen e talentit teknologjik që do të ketë ndikim në marrjen në punë në vitet e ardhshme. Sipas një studimi te Komisionit Evropian vlerësohet se deri në fund te vitit  2020 do të nevojitet një rritje në numrin e punonjësve të specializuar ,Teknologjinë e Informacionit (TIK) në tregun e punës . Kjo do të thotë që transformimi dixhital dhe tërheqja e talenteve eksperte në teknologjitë e reja janë paraqitur si sfidat kryesore për departamentin e burimeve njerëzore të këtij viti të ri.

Nga ana tjetër automatizimi do të ndihmojë drejtuesit burimeve njerëzore në procesin e rekrutimit, në plotësimin e vendeve vakante dhe në fusha të ndryshme të HR, prandaj departamentet e burimeve njerëzore duhet të jenë familjarë me përdorimin dhe njohjen e teknologjisë së re dhe konkretisht:   RPA (Robotic Process Automation), AI (Artificial Intelligence), and VR (Virtual Reality).

Robotic Process Automation 

RPA është një aplikim i teknologjisë moderne, të udhëhequr nga logjika e biznesit duke automatizuar proceset. 

P.sh ai mund të përdoret shumë mirë në përpunimin dhe ruajtjen e të dhënave të një personi që intervistohet apo duke regjistruar të dhënat e një personi që punësohet për herë të parë. Po ashtu nëpërmjet automatizimit mund të përgatiten përgjigje për pyetjet standarde nëpër intervista pune.

Artificial Intelligence

AI si një algoritëm që jep rezultate duke përdorur të dhënat që i janë inputuar fillimisht. 

AI mund të na japë me shumë kohë në dispozicion, me shume kapacitet dhe me shumë informacione për të marre vendimin e duhur. 

Aplikimet AI janë të vlefshme sot në procese të ndryshme të punësimit. Ato na ndihmojnë të shfrytëzojmë me mirë kohën e punës dhe për  të plotësuar në kohen e duhur postet vakante. Po ashtu ai mund krijojë analiza te vlefshme të brendshme që i duhen HR. Dhe ndërsa teknologjia evoluon, ato do të jenë më të disponueshme dhe do të bëhen pjesë përbërëse e jetës sonë të përditshme.

Virtual Reality

VR shërben për të krijuar një imazh real 3-D te ambientit të punës, duke bërë që personi të bashkëveprojë në një mënyre realiste njëlloj si në lojërat virtuale duke qenë pjesë e këtij realiteti. Ekzistojnë një numër mënyrash emocionuese brenda lojërave të VR që mund të përmirësojnë aftësitë e burimeve njerëzore, veçanërisht brenda rekrutimit dhe punësimit, aftësisë për të mësuar dhe zhvillimit.

VR  i ndihmon HR të evidentoje aftësitë praktike të punonjësve. 

Pra çdo teknologji e re duhet parë si një mundësi për t’u shfrytëzuar. 

2 – Millennials – mijëvjeçari i ri (brezi qe ka lindur ne vitet 1981-1996) 

E vërteta është se Millennials (njerëzit e mijëvjeçarit të ri) janë ata që kanë bërë ndryshimet më të mëdha pozitive. Duke qenë se kanë lindur në periudhën dixhitale, millennials janë shumë të lidhur me teknologjinë dhe e njohin mirë atë. Ata sjellin ide të reja dhe mënyra të reja pune dhe vlerësimi të saj. 

Kjo është një gjë shumë  e mirë për kompanitë. Duke marrë në konsideratë faktin se millennials aktualisht zënë pjesën më të madhe të forcës së punës, para burimeve njerëzore shtrohet sfida për të qenë në të njëjtin nivel me ta. 

Me konkretisht çfarë duan millennials?

Fleksibiliteti: Marrëveshjet fleksibël të punës, siç janë puna në distancë dhe orët fleksibile, për të arritur ekuilibrin më të mirë midis punës dhe jetës.

Komunikimi: Bashkëpunimi, transparenca dhe reagimet janë të gjitha të rëndësishme për brezat e rinj. Tendenca është komunikimi me transparencë të plotë dhe në kohë reale çdo vendim që merret dhe prek punonjësit, duke përdorur aplikacionet e reja, të komunikimit që zakonisht përfshijnë teknologji të tilla si pajisjet mobile, aplikacionet dhe media sociale.

Vlera te fuqishmeSipas studimeve të bëra nga Deloitte, 75% e Millennials të anketuar besojnë se vlera te fuqishme janë rritja e të mirave (materiale) dhe impaktit shoqëror.

3- Krijimi i modeleve të reja  të punës dhe lidershipi

Menaxhimi modern dhe tendencat e burimeve njerëzore në vitin 2020 po kalojnë drejt një qasje më të përqendruar te faktori njerëzor. Kjo jo vetëm që plotëson pritjet e millennials, por gjithashtu lejon që njerëzit e të gjithë brezave të jene te kënaqur. Mbi të gjitha, kush nuk do të dëshironte të punonte në një organizatë qe vlerëson dhe mbështet mirëqenien dhe zhvillimin tuaj? Këto koncepte të reja drejtuese promovojnë vetë-menaxhimin, fuqizimin, punën në grup, shpejtësinë e proceseve dhe inteligjencën emocionale. Më poshtë po japim disa trende te modeleve te punës:

Holacracy

Holacracy është një sfidë e re, e decentralizuar ndaj metodave tradicionale të punës. Në Holacracy, pushteti nuk funksionon nga lart-poshtë, por shpërndahet në mënyrë të barabartë në të gjithë organizatën. Kjo u jep punonjësve lirinë e vetë-menaxhimit pa u larguar nga qëllimi i organizatës. Një set rregullash te strukturuar krijon bazën për këtë liri dhe eliminon probleme si: dinamika e pabarabartë e pushtetit dhe hamendësimet që lidhen me detyrën.

header human resources best practices 300x151 - Trendet e burimeve njerëzore për vitin 2020

Gig economy 

Gig ekonomi është një lloj tregu i punës, ku mbizotërojnë kontratat afatshkurtra, puna e pavarur mbi kontratat e përhershme. Kjo u jep punonjësve fleksibilitet dhe liri për të zgjedhur punët, madje  edhe sasinë e punës së kryer.

Gig Ekonomi po merr një përhapje gjithnjë e më të madhe në ditët e sotme. Në fakt, më shumë se 57 milion punonjës në Shtetet e Bashkuara janë pjesë e ekonomisë Gig (kjo është një e treta e të gjithë punonjësve).

Për shumë njerëz, ekonomia Gig siguron përfitime në mënyrën e jetesës, siç është një shkallë e lartë fleksibiliteti dhe mundësia për të qenë shefi i vetvetes, të cilat në mënyrën tradicionale të punës, shpesh janë të vështira për t’u realizuar.

Teal organization 

Sipas Teal Organization, kompania shihet si një forcë e pavarur me qëllimin e vet, dhe jo thjesht si një mjet për arritjen e objektivave të menaxhimit. ‘’Teal organization’’ karakterizohet nga vetë-organizimi dhe vetë-menaxhimi. Piramida hierarkike është zëvendësuar me një strukturë të decentralizuar të përbërë nga ekipe të vogla që marrin përgjegjësinë për qeverisjen e tyre dhe për mënyrën se si ata bashkëveprojnë me pjesët e tjera të organizatës. Pozicionet e caktuara dhe përshkrimet e punës zëvendësohen me një shumëllojshmëri rolesh, shpesh të vetë-përzgjedhura dhe të ndryshueshme. Veprimet e njerëzve nuk udhëzohen nga urdhrat e dikujt lart sipas zinxhirin e komandës, por duke u udhëhequr nga qëllimi i organizatës. Struktura organizative në Teal karakterizohet nga ndryshime dhe adaptim i shpejtë, pasi adaptimet bëhen vazhdimisht për t’i shërbyer më mirë qëllimit të organizatës.

‘’Teal organizations’’ janë të bazuara në tre vlera specifike: vetë-menaxhimi; konceptimin e organizatës si një të tere dhe qëllimin. Në praktikë, kjo do të thotë që hierarkitë janë hequr dhe njerëzit janë të autorizuar të jenë vetvetja e tyre e vërtetë, ndërsa punojnë së bashku drejt një qëllimi.

HR - Trendet e burimeve njerëzore për vitin 2020

4- Fokusi tek punonjësit

Tradicionalisht, punonjësit janë parë si një kosto sesa burimi më i rëndësishëm i të ardhurave. Tani, shumica prej nesh e kuptojnë se punonjësit janë të vetmit që kanë vlerën kryesore në strukturën e kompanisë, sistemeve, produkteve dhe shërbimeve. Ata jo vetëm që mund të tregojnë se çfarë funksionon dhe çfarë jo në kompani, por ata gjithashtu kanë fuqinë për të përshpejtuar ndryshimet duke angazhuar veten dhe të tjerët në proces.

Pavarësisht të gjithë zhvillimeve teknologjike në fund të fundit, një kompani është po aq e mirë sa janë njerëzit e saj.

Më poshtë disa pika që ndihmojnë në fokusin te punonjësit: 

Eksperienca e punonjësve

Të gjitha observimet dhe perceptimet që kanë punonjësit gjatë kohës së tyre duke punuar për një organizatë, përshkruhen si përvoja e punonjësve – d.m.th., udhëtimi që punonjësi ka me organizatën tuaj. Cikli i përvojës së punonjësve përfshin të gjitha fazat nga tërheqja dhe punësimi i talenteve, futja në detyrë dhe angazhimi i punonjësve të rinj, drejtimi i performancës dhe zhvillimi, deri në largim. Kuptimi dhe zhvillimi i kësaj përvoje në tërësi duhet të jetë në krye të listës së çdo departamenti të HR, pasi që mund të çojë në përfitime të jashtëzakonshme si për punonjësit ashtu edhe për organizatën.

Duke promovuar përvojën e punonjësve, HR mund të ndihmojë, në rritjen e qëndrueshmërisë se tyre, pasi punonjësit nuk e ndiejnë nevojën të kalojnë në një kompani tjetër, në rritjen e mirëqenies së tyre. Për më tepër, mbajtja e punonjësve të angazhuar, të vlerësuar,  krijon një forcë pune më të përkushtuar qe do i japë efektet e saj në rritjen ekonomike të kompanise. 

Përfshirja e punonjësve

Kur bëhet fjalë për menaxhimin e ndryshimit, përfshirja e punonjësve  është veçanërisht e rëndësishme. 

Punonjësit duhet të ndiejnë lidhjen e tyre me kompaninë për të cilën punojnë dhe kjo është domethënëse. Në fund të fundit, mesatarisht ata kalojnë mbi 90,000 orë të jetës së tyre duke punuar. Nëse njerëzit i kalojnë ato orë duke u ndjerë të pakënaqur, të irrituar dhe të stresuar, ata nuk do të japin më të mirën për kompaninë. Si pasojë, qëllimi përfundimtar është të nxisë punonjësit, të cilët nuk janë thjesht të përkushtuar për kompaninë, por janë të inkurajuar ta ndihmojnë kompaninë të përmbushë qëllimet e saj.

Për t’u siguruar që punonjësit janë të angazhuar, ata së pari duhet të dinë se cili është qëllimi i kompanisë. Së dyti, ata duhet të besojnë se mund ta arrisin qëllimin dhe të motivohen për ta arritur atë. Më në fund, ata duhet të mendojnë se dëgjohen dhe kanë akses në burimet e duhura, siç janë trajnimi, bazat e të dhënave, informacioni dhe rrjetet.

5- Trendet analitike të burimeve njerezore 

Në fakt përdorimi analitik i të dhenave nga Burimet Njerëzore nuk është ndonjë koncept i ri,  por risia qëndron në përdorimin sa më të mirë të të dhënave analitike.

Ky trend është një përpjekje e përdorimit të të dhënave në mënyrë që të identifikohen dhe analizohen problemet e lidhura me burimet njerëzore. Me ndihmën e përdorimit analitik të të dhënave, profesonistët e Burimeve Njerezore mund të kombinojnë dhe analizojnë të dhënat e mbledhura prej tyre në mënyrë që të zbulojnë përdorime të reja dhe të dobishme. Kjo do të thotë të merren vendime më të drejta në bazë të të dhënave objektive. Mbi të gjitha një analizë e mirë analitike e të dhënave do të çojë në një ambient më të mirë për punonjësit dhe në një rritje të fitimeve për organizatën.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu