Transporti publik/ Nuk ka rritje të çmimit të biletave, dezinfektim i përditshëm i mjeteve

0
31

Drejtori i Përgjithshëm i Politikave dhe Zhvillimit në Fushën e Infrastrukturës dhe Territorit, në Ministrinë e Transporteve, Eltar Deda deklaroi sot se “më 15 qershor përveç transportit urban do të hapen edhe lëvizjet ndërqytetëse dhe ato ndërkombëtare”.

I ftuar në një studio televizive, Deda tha se “pasagjerët dhe personeli e kanë të domosdoshme pajisjen me maska dhe doreza gjatë udhëtimit”.

“Duke filluar nga data 15 qershor, të hënën e ardhshme, i gjithë transporti rrugor, interurban, urban dhe ndërkombëtar do të jetë në dispozicion pas konsultimeve të kryera të protokolleve tona me Institutin e Shëndetit Publik. Kemi njoftuar të gjitha këto kompani, dhe është e gatshme që në 15 qershor ne të bëjmë të mundur që të kemi fillimin e këtij transporti me një kapacitet, i cili do të lejojë 70 % të kapaciteteve të tyre, ku është e detyrueshme çdo kompani që të ndjekë rregullat e higjienizimi. Të gjithë pasagjerët e kanë të detyrueshme të pajisen me maska dhe në të njëjtën kohë edhe personeli do të jetë me maska dhe me doreza”, tha ai.

Deda tha se “në të njëjtën kohë do të ketë edhe mjete të tjera të higjienizimit”. Sipas tij, “çdo ditë këto kompani do të kryejnë dezinfektimin dhe kjo do të monitorohet nga bashkitë”.

Deda u shpreh se nuk do të ketë rritje çmimesh të biletave. “Duke parë krizën e madhe dhe goditjen që mori ky sektor, pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe me përkujdesjen e ministres Belinda Balluku, është ngritur një grup pune në bashkëpunim me Ministrinë e Financave. Kemi qenë në konsulta të menjëhershme në mënyrë që ne t’i japim një ndihmë këtij biznesi”, tha ai.

Deda tha se “duke patur parasysh edhe kërkesat e shoqatave, ne kemi bërë të mundur disa skema dhe do të bëhen publike në mënyrë që kompanitë të marrin subvencionim nga ana e qeverisë”. “Nuk do të ketë rritje çmimesh. Ne kemi parë të gjitha skemat që ky lloj biznesi të jetë eficent edhe me këtë numër të kufizuar të pasagjerëve”, tha ai, ndërsa paralajmëroi masa drastike në rast të shkeljes së protokolleve të sigurisë.

Ai tha se “kemi filluar të kryejmë një reformë të madhe”. “Në fund të muajit shtator shikojmë rezultatet e këtij studimi. Do të ecim drejt krijimit të një dispecerie qendrore për gjithë trafikun, rregullimin e stacioneve interurbane dhe për pajisjen me bileta elektronike të gjithë pasagjerëve, po ashtu edhe një sërë risish të tjerash që do të transformojnë shërbimin. Ne do të ndërhyjmë me paketë ekonomike për të ndihmuar këtë biznes, por do të ndërhyjmë edhe për ta disipilinuar në vazhdimësi”, tha Deda./ATA

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu