Parashikuar fillimisht në Zagreb, samiti BE-Ballkani Perëndimor do të zhvillohet më 6 maj nëpërmjet një videokonference për shkak të pandemisë së COVID-19.
Bashkimi Europian është partneri kryesor i rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe karakteri unik i marrëdhënieve që i bashkon do të theksohet gjatë videokonferencës.
Bashkimi Europian dhe Ballkani Perëndimor janë të bashkuar në luftën kundër COVID-19.
Samiti do të jetë rasti për të nxjerrë në pah solidaritetin dhe bashkëpunimin e ndërsjellë në këto kohë krize.
Partnerët në rajon kanë kontribuar për të ndihmuar shtetet anëtare të BE-së, ndërkohë që kjo e fundit ka mobilizuar më shumë se 3,3 miliardë euro për të ndihmuar Ballkanin Perëndimor t’i bëjë ballë krizës së koronavirusit të ri.
Drejtuesit do të rikonfirmojnë përveç të tjerave perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor si dhe angazhimin e partnerëve të rajonit për të respektuar vlerat dhe parimet europiane.
Gjatë takimit të parë jo zyrtar me partnerët e Ballkani Perëndimor, që u mbajt në Bruksel më 16 shkurt 2020, presidenti Michel nënvizoi angazhimin e BE-së në rajon.
Drejtuesit do të kenë një shkëmbim pikëpamjesh mbi fazën e re të bashkëpunimit të ngushtë përsa i përket pasojave social-ekonomike si pasojë e krizës nga COVID-19, mbi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal si dhe për mënyrën për t’iu përgjigjur sa më mirë sfidave përsa i përket sigurisë.
Në samitin BE-Ballkani Perëndimor do të marrin pjesë presidentët dhe kryeministrat e shteteve anëtare të BE-së, drejtuesit e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, Shqipërisë, Bosnje-Hercegovinës, Serbisë, Malit të Zi, Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.
Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel do të drejtojë takimin. Ai do të përfaqësojë BE-në së bashku me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.
Në këtë samit do të marrin pjesë gjithashtu kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkovic, i cili mban aktualisht presidencën e Këshillit, përfaqësuesi i lartë për Çështjet e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë Josep Borrell, president i Parlamentit Europian, David Sassoli, si dhe përfaqësues të Bankës Europiane për Rindërtimin dhe Zhvillimin, Bankës Botërore, Bankës Europiane të Investimeve dhe të Këshillit për Bashkëpunimin Rajonal.
Në përfundim të takimi do të zhvillohet një konferencë shtypi me presidentin Michel, presidenten Von Der Leyen dhe kryeministrin, Plenkovic. / ATA