“Si ka ndikuar Sistemi Fiskal në Modelin Ekonomik për Zhvillimin Ekonomik dhe Financiar të Shqipërisë”

0
1962

 

Nga Prof.Dr Agim Binaj

Nga analizat dhe studimet e bëra konstatohet se në Shqipëri megjithë hapat pozitiv në rritje, ka një shkallë të lartë të evazionit fiskal dhe të informalitetit (që zë afërsisht 40 – 45% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), me një efekt në të ardhurat e Buxhetit Vjetor rreth 800 milion euro).

Po tu referohemi shifrave dhe burimeve të ndryshme, për vitin 2018, Shqipëria për 1 milion banorë prodhon dhe mbledh më pak të ardhura publike për të njëjtën bazë krahasimi me vendet e tjera. Për shembull, Kroacia prodhon 13,4 miliard USD dhe mbledh tatim e taksa 6.2 miliard USD, ndërsa vendi ynë prodhon 4.5 miliard USD dhe mbledh 1.3 miliard USD. Pra, Shqipëria rënditet e fundit në rajon, duke përjashtuar vetëm Kosovën.

Cilat janë problematikat në këtë fushë dhe disa rrugëzgjidhje për të ardhmen

  1. Në bazë të përvojave të përparuara të vendeve të Europës, sidomos sipas modelit ekonomik gjerman, në fushën e taksave, mendojmë se sistemi i taksave, i hartuar në kushte të caktuara të një vendi duhet të shërbejë si një mjet nxitës për zhvillimin ekonomik dhe financiar të tij.

Për këtë :

  1. Mendojmë të ngrihet një grup ekspertësh me përvojë nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, të Bujqësisë, të institucioneve shkencore si Akademia e Shkencave, Universiteti i Tiranës, Bujqësor e të tjerë, për përcaktimin e sektorëve prioritarë, me produktivitet të lartë si: pasuritë natyrore, bujqësia, turizmi, teknologjitë, inovacioni, etj. Në këtë kuadër të bëhen përmirësime në legjislacionit fiskal, si Ligjin për Shoqëritë Tregëtare, Ligjin për Investimet, Ligjin për Procedurat Tatimore, Ligjin për TVSH, Ligji për Tatimin mbi të Ardhurat, Taksat Doganore, ngritjen e një administrate efiçente, etj.

Grupi i punës të hartojë një program reformues kombëtar, me orientim strategjik, për rritjen e efiçiencës për të luftuar informalitetin dhe rritjen e të ardhurave të Buxhetit të Shtetit.

Modeli gjerman i taksave në tërësinë e vet duhet të studiohet dhe të përshtatet në kushtet e Shqipërisë. Gjermania ka mbi 40 lloj taksash, por specifike janë disa që mund të aplikohen sa më shpejt në vendin tonë: TVSH e diferencuar 6 – 7% për artikujt e konsumit të gjerë sidomos ato ushqimorë, Tatim Fitimi 15%, taksë shtesë për të pasurit dhe taksë solidariteti 5.5% mbi të ardhurat, tatim mbi trashëgiminë apo dhuratat 7 – 50%, etj.

Këta tregues të rëndësishem, si shprehje e reformës fiskale në Shqipëri, në se do të miratohen me ligj, do jenë veç të tjerave edhe një qasje me rekomandimet e EU.

 

  1. Propozojmë vendosjen e një sistemi taksash sipas modeleve të përparuara, i cili do të ndikojë në reduktimin e çmimeve të mallrave të konsumit jetik. Në Shqipëri, krahasuar me vendet e BE-së, çmimet janë të larta dhe nuk janë në pajtim me të ardhurat reale të qytetarëve shqiptarë, me pagat dhe pensionet, të cilat krahasuar me vende të zhvilluara janë 10 herë më të ulta, apo të krahasuara me vendet e rajonit 2 – 3 herë më të ulta.
  2. Propozojmë të realizohet përcaktimi i saktë i minimumit jetik, të sigurimit të bazës jetike që garanton jetesën me dinjtet të qytetarit shqiptar. Kjo të arrihet nëpërmjet studimit dhe harmonizimit të treguesve financiar – fiskal – social, si kosto minimale jetese sipas artikujve e shërbimeve të shportës – Pagë minimale- Pension minimal – Ndihmë sociale, e të tjera.
  3. Nisur nga përvoja gjermane dhe disa vendeve të rajonit, theksojmë në miratimin e një norme të reduktuar të TVSH-së për artikujt e konsumit të domosdoshëm, duke propozuar nivelin 5 – 6%, duke hequr kufirin 2 milion Lekë që aplikohet deri tani për bizneset pa-TVSH. Të gjithë subjektet me xhiro mbi 1- Lekë të jenë subjekte të TVSH-së në masën e reduktuar si marketet, shërbimet, restorantet, etj.

Kjo do të rriste konsumin dhe të ardhurat e buxhetit sepse:

  • do futeshin në skemën e TVSH-së rreth 65 mijë biznese të vogla;
  • do sillte reduktimin e evazionit fiskal në masën 20-25%;
  • do ulte çmimet dhe përmirësonte nivelin e jetesës së njerëzve;
  • do sillte zhvillim më të shpejtë ekonomik.

Eksperienca më të mira në këtë drejtimi ka Gjermania, Çekia, Polonia, Estonia dhe disa vende të rajonit të Ballkanit.

 

  1. Edhe pse në vitet e fundit kemi pasur rritje 3–4% të PBB, cilësia e zhvillimit të vendit duket se po ecën me hapa të ngadaltë.

Kjo përcaktohet nga niveli i varfërisë dhe nga vulnerabiliteti ekonomik dhe social që ka kapur zonat periferike të vendit. Theksojmë se, po rriten pabarazitë dhe diferencat ndërmjet shtresave sociale dhe kjo po zgjerohet çdo ditë e më tepër. Pasuria ka tendencën të përqendrohet në pak duar. Po tu referohemi disa shifrave të raportit të Bankës së Shqipërisë 2017 – 2018 dhe të dhënave të tjera nga institucione të pavarura, afërsisht 5% e popullsisë zotëron gati 90% të pasurisë kombëtare, ose 4% e depozituesve (ku depozitues janë afërsisht 2.4 milion vetë) në bankat e nivelit të dytë zotërojnë rreth 3.7 miliard euro ose 45% e depozitave (ku depozitat gjithsej janë 9.2 deri 9.5 miliard euro) dhe jashtë bankave qarkullojnë afërsisht 2.4 miliard (sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë)

Për këtë

  1. Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar na këshillojnë të analizojmë politikat fiskale, me synimin, që ai që merr më shumë të ardhura të paguajë më shumë taksa. Ndoshta, do të ishte me vend, të futej taksa e solidaritetit apo taksa për të pasurit (sipas modelit gjerman, për të ardhurat vjetore mbi 250 mijë euro, në nivelin 6 – 7%). Të ardhurat nga kjo taksë të shkojnë për ndihmë sociale, rritje pensionesh, rritje pagash etj. Kjo masë mund të çonte në ngushtimin e hendekut midis të pasurve dhe të varfërve.
  2. Vihet re se rritja e PBB-së gjithashtu, nuk është shoqëruar me rritjen e cilësisë së jetës në parametrat e duhura dhe përmirësimin e kushteve të jetesës. Me gjithë përmirësimet, ende nuk kemi një shpërndarje të drejtë të të ardhurave. Në Shqipëri vetëm 1/5 ose 20% e PBB-së shpërndahet për paga, ndërkohë që mesatarja në vendet e OECD është 55%. Ne jemi vendi me pagën bruto mesatare më të ulët në Ballkan (419 euro, ndërkohë që mesatarja e vendeve të Ballkanit Perëndimor arrin 773 euro). Por nga ana tjetër jemi edhe vendi me produktivitetin më të ulët në Ballkan.

 

Mendojmë se një studim më i hollësishëm duhet bërë në raportet e pagave të punonjësve me fitimin që realizojnë shoqëritë e biznesit, duke shkuar drejt rritjes graduale të pagës me qëllim që të arrihet mesatarja e pagës me vendet e rajonit. Kjo do të kërkonte edhe ndryshime të legjislacionit për rritjen e pagave minimale.

 

  1. Ekonomia Shqiptare është përqendruar në sektorët me produktivitet të ulët si Fasoneria dhe Call Center-at. Sot në Shqipëri janë mbi 40 mijë sipërmarrje të tilla.

Ekonomia shqiptare nuk ka të zhvilluar industrinë përpunuese,si rrjedhojë nafta, mineralet, gurët dekorativë eksportohen si lëndë e parë dhe të punësuarit shqiptarë punojnë 48 orë në javë dhe paguhen vetëm 26 mijë Lekë në muaj. Paga të tilla mbi të gjitha, janë nën nivelin e dinjitetit, nuk stimulojnë konsumin dhe nuk gjenerojnë zhvillim në vijimësi. Këtu duhet të ndërhyjë politika fiskale që ajo të jetë sa më e barabartë, duke favorizuar të punësuarit shqiptarë jo vetëm në rritjen e pagës por edhe në tatime më të ulta. Vendosja  e ekuilibrit në këtë drejtim, kërkon studime dhe vendimmarrje të veçantë e të shpejtë.

 Për këtë:

  1. Mendojmë se një nga prioritetet e zhvillimit të vendit siç është bujqësia, që megjithë projektin që ka filluar të implementohet për 100 fshatrat (kjo është një inisiativë e mirë e qeverisë), përsëri është pak për të folur për një zhvillim tërësor të bujqësisë, për ta kthyer nga një bujqësi ekstesive (prodhim për vete) në një bujqësi intesive (prodhim për tregun), sidomos për eksport. Është e rëndësishme që, nëpërmjet politikave fiskale zhvillimore, taksave dhe tatimeve 5 – 6%, sidomos tek TVSH, duke u zbatuar me rigorozitet si në blerje dhe shitje, ashtu dhe tek subvencionet e drejtpërdrejta.

Modeli  i stimulimit të bujqësisë nëpërmjet TVSH-së 6% në blerje të prodhimeve bujqësore dhe 20% në shitje në fazën e përpunimit, nuk është i përshtatshëm mbasi cënon ekuilibrin e TVSH-së.

Bujqësia shqiptare, me gjithë tendencën rritëse është më shumë deficitare; prodhon shumë në sezon, por ky prodhim shitet me çmime të ulta të cilat dëmtojnë prodhuesit, gje që bën që shumë prodhime të lihen pa u mbledhur nga prodhuesit, sepse çmimet e shitjes nuk justifikojnë kostot e prodhimit.

Bujqësia dhe blegtoria kanë nevojë urgjente të stimulohen nëpërmjet subvencioneve, bazuar në incentiva të përparuara, të orjentuar jo tek fermerët e veçantë, por bashkësi të fermerëve (sipas sistemit të kooperimit). Ato duhet të fokusohen në teknika bujqësore, farërat, në kapitale, informacion, vizion, mbrojtje tregtare, etj.

  1. Rreth 95% e sipërmarrjeve shqiptare kanë 1-10 të punësuar. Dimensionet e vogla limitojnë investimet në inovacion dhe kualifikimin e burimeve njerëzore, të cilat ndikojnë në konkurencën globale. Nëse do të shohim indeksin e inovacionit në botë, Shqipëria renditet e 68ta, pra shumë poshtë mesatares së vendeve të tjera të rajonit. Nga të dhënat e studimeve, prsh. në sektorin e bimëve medicinale, Shqipëria ka rreth 3 mijë e 200 specie bimore, që përbëjnë afërsisht 30% të specieve të faunës që ka gjithë Evropa. Për grumbullimin e tyre punojnë rreth 80 mijë punonjës, në zonat rurale. Pyetja që ngrihet dhe që duhet zgjidhur është, se sa investon shteti Shqiptar për këtë industri (me mënyra të ndryshme) dhe që e gjitha shkon për eksport. Fare pak, investimi është vetëm 170 mijë euro në vit.
  • Mendojmë se duhet të zgjerohen investimet në këtë industri me subvencione për përpunimin dhe industrializimin e bimëve medicinale, që kjo pasuri të eksportohet jo si lëndë e parë, por si produkt i gatshëm duke rritur vlerën e tyre. Këto pasuri natyrore mund të sjellin vlera të shtuara dhe të përfitohen nga Shqipëria, nëpërmjet teknologjive të përparuara të përpunimit dhe jo nga vendet e tjera ku eksportohen këto pasuri, si lëndë të para. Nga ana tjetër mund të shihet edhe një orjentim drejt rajonizimit të kulturave ne përputhje me kushtet për prodhimtari më të lartë.
  1. Jemi vendi me nivel arsimor ndër më të ultit në Evropë. Të diplomuar nga shkollat e larta kemi, por ata nuk kanë përgatitjen profesionale për të punuar në specialitetin përkatës apo tregun e punës.

Nga studimet e bëra del se 20% e klasës drejtuese në administratën punblike ka të paktën një diplomë nga universitetet e mbyllura. Ky është një shqetësim sepse reflekton direkt në cilësinë e shërbimeve publike dhe me nivelin e ulët të administratës publike

Sistemi ynë edukativ, me gjithë reformën arsimore që sapo ka filluar të japë shenjat e para të përmirësimit, është ende i paaftë të përgatisë profesionistë që ti përgjigjen tregut të punës me kompetencë profesionale, sidomos në fushën e teknologjive të reja.

Si shembull mund ti referohemi Estonisë, me karakteristika shumë të ngjashme me Shqipërinë. Ajo sot është shndërruar në një “lojtare” tregu e rëndësishme në lidhje me ofrimin e shërbimeve të specializuara dhe produkteve në fushën e teknologjisë. Kjo filloi në vitin 1992, kur niveli i të ardhurave për frymë në Estoni dhe Shqipëri ishte afërsisht në të njëjtin nivel të ardhurash. Ndërsa sot të ardhurat për frymë në Estoni llogariten 7 deri 8 herë më shumë se në Shqipëri. Kryeministri i Estonisë së asaj kohe, Mart Leart, ndërmori një sërë reformash në fushën e investimeve por edhe të politikave fiskale lehtësuese. Në këtë vend të vogël u bënë privatizimet e duhura, pa shkatërruar pronën e trashëguar nga regjimi i mëparshëm, duke hartuar strategji afatgjatë, konkrete, në lidhje me zhvillimin ekonomik e social të vendit, me fokus zhvillimin e sektorit të teknologjisë dhe edukimin e brezave të rinj për t’ju përgjigjur kësaj strategjie. Do të ishte me interes, të studiohej dhe të implementohej kjo përvojë e këtij vendi të vogël në kushtet e Shqipërisë, qoftë nga numri i popullsisë, qoftë sipërfaqeve gjeografike që afërsisht janë të njëjta me vendin tonë.

  1. Shqipëria paguan shtrenjtë inefiçencën e administratës publike dhe burokracinë. Zbatimi i ligjit, me gjithë përmirësimet e bëra, përsëri lë për të dëshiruar. Psh, administrata publike sa herë përgatit studime për të kaluar shërbime apo prona publike, në private në formën e koncesioneve nga mungesa e profesionalizmit, shpesh merren vendime të gabuara; nga kontratat e firmosura për këto veprimtari humbet gjithmonë shteti Shqiptar, si në rastin e CEZ-it, koncesioneve të naftës, etj. ku humbjet llogariten disa qindra milionë euro.
  2. Politika fiskale të favorshme për investitorët e huaj. Të gjitha vendet e rajonit kanë lëvizur në këtë drejtim, ndërsa ne si gjithmonë mbetemi mbrapa.

Vazhdojmë të mbajmë nivelin e tatim fitimit në masën 15%, si për bizneset dhe  investitorët vendas apo të huaj, ndërkohë që Bullgaria, Bosnje Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut e kanë 10%, Mali i Zi 9%, Hungaria për investimet e huaja e ka ulur tatim-fitimin në masën 9%, ndërsa Serbia subvencionon një pjesë të investimit dhe pagat e investitorëve të huaj. Kroacia dhe Sllovenia po japin subvencione për kompanitë që investojnë në fushën e IT, etj.

  1. Rrugët e mundshme për uljen e ekonomisë informale dhe të evazionit fiskal.

Mendojmë se është e nevojshme mbushja e boshllëqeve dhe përmirësimi i legjislacionit për shoqëritë tregtare apo edhe ligje të tjera që lidhen me procedurat tatimore, si Ligji për TVSH-në, Tatimin mbi të Ardhurat etj. Ndryshimi çdo vit i këtyre ligjeve krijon konfuzion për biznesin dhe politika fiskale të paqëndrueshme.

  • Për të qenë efikase lufta kundër evazionit fiskal nga pikëpamja ligjore duhet të prekë katër aspekte të shoqërive tregtare:
  1. qeverisjen, menaxhimin dhe administrimit të tyre;
  2. politikat e kontabilitetit dhe të sistemit të raportimit financiar;
  3. praktika të mira auditimi dhe kontrolli, jo vetëm manualisht por nëpërmjet sistemeve të IT me softuerë me teknologji të përparuar;
  4. harmonizimi i shkencës dhe praktikës kontabile me shkencat e disiplinat e tjera, duke përgatitur kontabilistë me njohje komplekse që ti pëtgjigjen kërkesave të shekullit 21-të.

Luftën kundër ekonomisë informale dhe evazionit fiskal duhet ta shikojmë në kushtet e Shqipërisë nga pikëpamja social-kulturore dhe psikologjike, duke vënë theksin në shtimin dhe përmirësimin për të njohur këto dukuri dhe bashkëpunimin mes faktorëve të ndryshëm që mund të kontribuojnë në realizimin e njohjes më mirë të tyre dhe masat për ti minimizuar ato.

  • Nëse luftën kundër ekonomisë informale dhe evazionit fiskal, do ta shihnim pastërtisht vetëm nga perspektiva e politikbërjes dhe politikave administrative atëherë këtë luftë do ta ngrinim mbi katër elementë.
  • Marrëdhëniet shtet – biznes
  • Vlerësimi i detyrimit tatimor të bizneseve dhe zbatimi i drejtë i tyre
  • Dokumentimi i veprimtarisë së biznesit
  • Modeli i administrimit me standarde dhe teknologji të përparuar dhe të integruar me trekëndëshin Doganë – Tatime – Kasë (Konsumator).

Për këtë:

  1. Mendojmë se përdorimi i kasës fiskale dhe faturës elektronike, jo me fushata, por në vazhdimësi, është një çeles i mirë i administrimit dhe luftës kunder informalitetit e evaziont fiskal. Trekëndëshi i një sistemi të integruar, Doganë-Tatime-Konsumator, dhe i shoqëruar dhe me stimuj duke i kthyer një pjesë të TVSH-së konsumatorit, do të sillte një përmirësim të dukshëm të evazionit fiskal dhe shtimin e të ardhurave në buxhet.
  2. Duhet studiuar në një afat të përshtatshën heqja e TVSH-së në doganë që biznesi e paguan në formë paradhënie. Ajo duhet të paguhet sipas kuptimit të këtij tatimi, kur malli krijon vlerë të shtuar, pasi shitet. Kjo mënyrë e të paguarit të TVSH-së në doganë, me argumentin e administratës tatimore se nuk mblidhet dot gjatë procesit të krijimit të vlerës, e rëndon gjendjen financiare të biznesit, sepse ai paguan një tatim që nuk e ka realizuar. Kjo ka edhe kosto shtesë për biznesin, i cili në disa raste për të paguar këtë tatim në doganë detyrohet të marrë kredi ose overdraft.

Po ashtu duhet studiuar heqja e referencave në doganë, për një grup të caktuar mallrash, të cilat rritin koston e biznesit. Mendojmë se dogana duhet të veprojë me vetdeklarimin që bën biznesi dhe dokumentet shoqëruese që disponon, për importet nga vende të ndryshme.

  1. Në Shqipëri nuk është aplikuar asnjëherë amnisti fiskale e plotë. Ka patur një përpjekje në vitin 2011, e cila kërkonte 2/3 e votave në parlament dhe konsensus politik, por që nuk u arrit dhe për këtë arsye u reduktua në një ligj të thjeshtë që është ligji i 2011 “Për legalizimin e kapitalit dhe faljen e detyrimeve…”. Gjithashtu, duhet të bëhet kujdes që të mos legalizohen kapitale korruptive me prejardhje nga krimi në ekonomi.
  • Ne mendojmë se një amnisti fiskale mund të bëhet vetëm kur shteti i ka kapacitetet e nevojshme administrative për ta zbatuar drejt atë, dhe sidomos nëse është i përgatitur që ta zbatojë drejt dhe me eficencë ligjin në të ardhmen duke mos lejuar përsëritjen e fenomenit. Pra, të krijohet besimi se ligji do zbatohet me korrektësi, njëlloj për të gjithë, dhe shkelësit të mos amnistohen, por të penalizohen për krime në ekonomi. Nisur nga situata e sotme politiko-ekonomiko-sociale, shkalla e korrupsionit dhe kryerja jo e plotë e vetingut në drejtësi e me gjerë, mendojmë që amnistia e kapitalit tani për tani nuk është efektive.

Në përfundim mendojmë se themeluesit e demokracive të përparuara në Evropë dhe SHBA nuk i vendosën binarët e demokracisë kundër taksave, por përkundrazi, Ndërtuan e Reformuan sisteme të tilla taksash, që ti përgjigjen nivelit kulturor, demokracisë si dhe modelit ekonomik të një vendi të caktuar.

 

*Më poshtë ne kete geogle document do të lexoni versionin anglisht të artikullit, sipas publikimit në origjinal në versionin print të revistës ”Star Business” , Janar 2020. 

https://docs.google.com/document/d/18i0qfzb9BES5JqFN91y2dd1EFt0X_bhtBf4Kw_nLKAY/edit

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu