Shqipëria ka mbyllur daljen e saj të katërt në tregjet e kapitalit duke emetuar me sukses një Eurobond me vlerë 650 milionë euro, me kupon 3.5% dhe me normë interesi të tregtimit 3.625%. Eurobondi ka një afat 7-vjeçar.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Kryeministrin Edi Rama dhe ministrin për Rindërtimin Arben Ahmetaj, deklaroi se interesi i investitorëve ka qenë tepër i lartë, me një ofertë mbi 3 miliardë euro, me një raport të mbulimit të nevojave të Qeverisë shqiptare mbi 4 herë, duke shprehur qartazi besimin e rritur të investitorëve.
“Kanë qenë 190 investitorë, të cilët në tregjet ndërkombëtare, në Europë dhe Amerikë dhe kanë ofruar mbi 4 herë vlerën që ne kërkuam”, – deklaroi Denaj.
Financimi i siguruar nga Eurobondi, tha ajo, do të përdoret për financimin e projekteve prioritare, për të rifinancuar Eurobondin e marrë në vitin 2015, në një vlerë prej 250 milionë euro, si dhe për të plotësuar nevojat për financim për vitin 2020.
“Pavarësisht situatës së shkaktuar nga COVID-19 dhe sfidës emergjente të tërmetit të vitit 2019, Shqipëria arriti të vlerësohet maksimalisht nga investitorët”.
Sipas Denajt, eksperienca e dy ditëve Roadshow konfirmoi edhe një herë jo vetëm interesin e shtuar të investitorëve të huaj, por edhe vlerësimin e tyre për reformat e qeverisë dhe konsolidimin fiskal të arritur në vite, si dhe besimin se ky konsolidim fiskal, përtej planeve të rimëkëmbjes, do të realizohet.
Në këtë transaksion Shqipëria u asistua nga JP Morgan, Citi Bank, Banka IMI dhe Raiffeisen Bank International AG, si dhe dy konsulentë, atë financiar dhe juridik. /ATA