Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, mbajti konferencën e fundvitit. Ai dërgoi një mesazh shërimi për botën në 2021, një vit që uroi të na sjellë rreze shprese përballë sfidave të mëdha.
Guterres bëri thirrje për unitet dhe solidaritet për të lënë pas një vit ku dominoi pandemia koronavirus me vuajtjet e vazhdueshme dhe zinë që solli bashkë me tragjeditë njerëzore.
“Të dashur miq, 2020-ta ishte një vit sprovash, tragjedish dhe lotësh. Covid-19 ndikoi jetët tona dhe zhyti botën në vuajtje dhe zi. Kemi humbur shumë të dashur dhe pandemia vijon duke krijuar valë të reja të infeksionit dhe vdekjeve. Varfëria, pabarazia dhe uria po rritet. Vendet e punës po zhduken dhe borxhet po rriten. Fëmijët po vuajnë. Dhuna në familje po shtohet dhe pasiguria është kudo. Por, Viti i Ri është para nesh, dhe me të, ne shohim një rreze shprese: njerëzit po u shtrijnë dorën e ndihmës fqinjëve dhe të huajve; punonjësit në frontin e parë po bëjnë maksimumin, shkencëtarët po zhvillojnë vaksina në kohë rekord; vendet po bëjnë përpjekje të reja për të parandaluar katastrofën klimatike”, u shpreh sekretari i përgjithshëm i OKB-së.
Guterres shton se nëse të gjithë punojnë bashkë në unitet dhe solidaritet, këto rreze shprese mund të përhapen kudo në botë. Ai thotë se synimi kryesor i Kombeve të Bashkuara për vitin 2021 është të ndërtojë një koalicion global për neutralitet karbonik me emetime zero deri në 2025-n.
“Së bashku, le të bëjmë paqe mes nesh dhe natyrës, të luftojmë krizën klimatike, të ndalojmë përhapjen e Covid-19 dhe ta bëjmë 2021 një vit shërimi. Shërim nga impakti i virusit vdekjeprurës. Të shërojmë ekonomitë dhe shoqëritë e thyera si dhe përçarjet.”
Në fund, kreu i OKB-së uroi festat dhe një Vit të Ri më paqësor./SYRI.NET