Sejko dhe Denaj takime online me FMN dhe Banken Botërore: Rimëkëmbja varet nga kohëzgjatja e Covid-19

0
36

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, dhe Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, zj. Anila Denaj, zhvilluan takime online me zj. Anna Bjerde, Zëvendëspresidente e Bankës Botërore për Rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore dhe me z. Alfred Kammer, Drejtor i Departamentit për Evropën në FMN, në kuadër të Mbledhjeve Vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të Grupit të Bankës Botërore (BB).

Diskutimet e këtyre takimeve u fokusuan në ndikimin e pandemisë në ecurinë e ekonomisë shqiptare, zhvillimet në sistemin financiar e bankar, si dhe pritshmëritë lidhur me treguesit ekonomikë në të ardhmen.

Gjatë takimit, Guvernatori Sejko dhe Ministrja Denaj u shprehën se ekonomia shqiptare ka qenë nën efektin e fortë të pandemisë gjatë gjysmës së parë të vitit, sidomos në tremujorin e dytë të vitit 2020. Si rrjedhojë, shumica e indikatorëve ekonomikë pritet të ndikohen nga pasojat negative të pandemisë këtë vit. Ndërkohë, në perspektivën afatmesme, kohëzgjatja dhe ndikimi i pandemisë do të jenë thelbësore në përcaktimin e rrugës së rimëkëmbjes së ekonomisë shqiptare, e cila pritet të fillojë rimëkëmbjen në vitin 2021.

Për sa i përket sistemit bankar, Guvernatori u shpreh se pandemia e gjeti sistemin me tregues të mirë financiarë, si dhe me një nivel të mirë kapitalizimi dhe likuiditeti. Ky sektor, theksoi Guvernatori, ka vijuar pa asnjë ndërprerje aktivitetin normal dhe ka qëndruar i gatshëm të japë kontributin e nevojshëm për përballimin dhe tejkalimin e situatës së krijuar nga pandemia Covid-19.

Ai shtoi se tregjet e brendshme financiare paraqiten të qeta dhe kanë mbizotëruar norma interesi të qëndrueshme. Kursi i këmbimit paraqitet i stabilizuar, përtej faktit se në fillim të kufizimeve të vendosura për shkak të pandemisë, monedha vendase u zhvlerësua.

Më tej, Guvernatori Sejko prezantoi masat e marra nga Banka e Shqipërisë si përgjigje e goditjes së krijuar nga pandemia, ku mund të përmendet rritja e stimulit monetar, nëpërmjet uljes së normës bazë të interesit dhe rritjes së injektimeve të likuiditetit, si dhe ndryshimet në kuadrin rregullator, të cilat patën për qëllim lehtësimin e shtyrjes së përkohshme të pagesës së kësteve dhe ristrukturimin e kredive bankare për klientët në vështirësi.

Lidhur me politikën monetare lehtësuese të ndjekur nga Banka e Shqipërisë, Guvernatori vlerësoi se ajo mbetet e përshtatshëm duke ofruar stimulin e nevojshëm për nxitjen e rritjes ekonomike dhe për kthimin e inflacionit në objektiv brenda vitit 2022.

Ministrja Denaj vlerësoi se politika fiskale gjithashtu ka pasur një rol të rëndësishëm në trajtimin e situatës, duke mbështetur financiarisht qytetarët dhe duke ofruar mbështetje me likuiditet për bizneset e prekura. Gjithashtu, fondet e garancisë sovrane për kompanitë private kanë kontribuar si një fluks i vazhdueshëm fondesh, duke ndihmuar në situatën e likuiditetit të bizneseve dhe duke i mbështetur ato në momente të vështira.

Ministrja Denaj theksoi se pavarësisht kontraktimit të PBB-së në 6 muajt e parë të vitit, prej -10.2%, parashikimet për vitin mbeten në një rënie me vetëm -5%, shoqëruar me një nivel të papunësisë prej 12.5%. Ministria e Financave dhe Ekonomisë është e angazhuar të rikthehet në konsolidim fiskal, me një balancë primare pozitive prej vitit 2022, në mënyrë të sigurt prej vitit 2023, parashikim i bërë edhe në ndryshimet e ligjit organik të buxhetit. Ministrja Denaj solli në vëmendje edhe risitë e projektbuxhetit të vitit të ardhshëm, duke u ndalur në rritjen e shpenzimeve kapitale, pagat e sektorëve prioritarë dhe projektin e rindërtimit. Ministrja theksoi se projeksionet e borxhit parashikohen ende në ekspansion, edhe pse në nivele më të ulëta se gjatë vitit të pandemisë, duke iu rikthyer konsolidimit fiskal brenda 5 viteve të ardhshme.

Përfaqësuesit e BB-së dhe FMN-së vlerësuan kontributin e dhënë nga autoritetet shqiptare në menaxhimin e goditjes së pandemisë në ekonomi veçanërisht nëpërmjet harmonizimit të politikës fiskale me atë monetare, mbështetjen e dhënë për qytetarët dhe bizneset e cenuara nga goditjet, si dhe ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të Shqipërisë.

Gjatë takimit, delegacioni shqiptar shprehu falënderimet ndaj përfaqësuesve të BB-së dhe FMN-së për asistencën e dhënë në vazhdimësi ndaj institucioneve kryesore në vend. Gjithashtu, delegacioni vlerësoi dhe Instrumentin e Ndihmës së Shpejtë (Rapid Financial Instrument), si një mundësi mjaft e vlefshme, ofruar Shqipërisë në kohën e duhur, për të adresuar nevojat e ndryshme që mund të lindin në këtë situatë pandemie.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu