Sejko / Bashkepunimi dhe investimi në stabilitetin monetar dhe financiar, do te çojne ne rritje ekonomike të qëndrueshme

0
35

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko,mori pjesë në takimin online të Ministrave të Financave dhe Guvernatorëve të Bankave Qendrore të vendeve të Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore (EQLJL) me Drejtoren e Përgjithshme të FMN-së, zj. Kristalina Georgieva, në kuadër të Mbledhjeve Vjetore të (FMN) dhe të Grupit të Bankës Botërore (BB).

Qëllimi i këtij takimi është diskutimi mbi : (i) zhvillimet dhe masat e politikave të marra nga vendet për të zbutur ndikimin e pandemisë në ekonomitë dhe popullsinë e tyre; dhe (ii) strategjitë e politikave të nevojshme për të zvogëluar ndikimin e goditjes, për të siguruar rimëkëmbjen dhe për të forcuar qëndrueshmërinë, duke trajtuar gjithashtu sfidat afatgjata.

Ky takim u hap nga fjala përshëndetëse e Drejtores së Përgjithshme të FMN-së, zj. Kristalina Georgieva, e cila u shpreh se, për shkak të pandemisë COVID-19, ekonomitë e zhvilluara dhe ato në zhvillim u goditën ashpër gjatë vitit 2020. Ajo shtoi se natyra e goditjes pandemike kërkon mbështetje të vazhdueshme të politikave, në varësi edhe të hapësirave që këto politika kanë në vendet e rajonit. Për më tej, politikëbërësit duhet të gjejnë mënyra për të vazhduar të mbështesin ekonominë, ndërsa përgatiten për botën post-pandemike dhe trajtojnë sfidat afatgjata.

Në vijim, z. Alfred Kammer, Drejtor i Departamentit për Evropën në FMN, paraqiti perspektivën ekonomike të rajonit evropian, vlerësoi marrjen në kohë të masave të jashtëzakonshme nga secili vend, si dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar për zgjidhje efektive rajonale dhe globale.

Në këtë takim, u mbajtën dhe dy prezantime të cilat synonin të ndanin eksperiencat e bankave qendrore dhe autoriteteve fiskale në përballimin e kësaj krize. Për të paraqitur këndvështrimin e bankave qendrore, i përzgjedhur ishte Guvernatori Sejko, i cili mbajti një prezantim lidhur me përvojën dhe sfidat me të cilat u përballën institucionet dhe politikëbërësit në vendin tonë gjatë menaxhimit të kësaj situate.

Guvernatori u shpreh se në nivel global, perspektiva ekonomike po përmirësohet nga kontraktimi i shkaktuar nga Covid-19. Megjithatë, sfida të shumëfishta mbeten për politikëbërësit, ku mund të përmendet hapësira e kufizuar e politikave ekonomike për reagim në të ardhmen, ndikimi afatgjatë i kësaj goditjeje në ritmet e rritjes potenciale, si dhe ndikimi negativ që ajo mund te japë në procesin e integrimit ekonomik dhe koordinimit të politikave në nivel botëror.

Më tej, duke u ndalur në situatën në Shqipëri, Guvernatori Sejko theksoi se tërmeti i vitit 2019 dhe pandemia shkaktuan goditje të dyfishtë brenda një periudhe kohore të shkurtër. Si përgjigje, nga Banka e Shqipërisë u morën masa të menjëhershme si ulja e normës bazë të interesit dhe shtimi i injektimeve të likuiditetit; lehtësimi rregullator i përkohshëm në nxitje të shtyrjes së pagesës së kësteve dhe të ristrukturimit të kredive; pezullimi i pagesave të dividentit në sektorin bankar; si dhe, heqja e tarifave të transaksioneve ndërbankare në sistemet tona të pagesave.

Guvernatori shtoi se të gjithë aktorët publikë në vend kanë marrë masa ekonomike të koordinuara dhe në kohën e duhur, në aspektin fiskal, monetar dhe makroprudencial, duke zbutur efektet negative të pandemisë. Gjithashtu, ai evidentoi rolin e Instrumentit të Financimit të Shpejtë (RFI), akorduar Shqipërisë nga FMN në fillimet e pandemisë, i cili mbështeti stimulin tonë fiskal, lehtësoi ndikimin e tij në tregjet e brendshme financiare dhe sinjalizoi aftësinë e vendit për të aksesuar burime të ndryshme financimi.

Në vijim, Guvernatori nënvizoi se nga trajtimi i situatës së krijuar nga Covid-19, politikëbërësit arritën të evidentojnë elementet kyçe të suksesit të menaxhimit të krizës, si rëndësia e marrjes në kohë të masave të jashtëzakonshme, koordinimi i kujdesshëm i politikave, bashkëpunimi dhe investimi në stabilitetin monetar dhe financiar, me qëllim arritjen e një rritjeje ekonomike të qëndrueshme afatgjatë.

4CAF0E11 C4E7 455E 8153 CE4D09F713ED 300x200 - Sejko / Bashkepunimi dhe investimi në stabilitetin monetar dhe financiar, do te çojne ne rritje ekonomike të qëndrueshme04059CB5 1786 409F 8B2B 1815143400FE 300x200 - Sejko / Bashkepunimi dhe investimi në stabilitetin monetar dhe financiar, do te çojne ne rritje ekonomike të qëndrueshmeC3997313 DD95 499E 8115 859966BD7612 300x169 - Sejko / Bashkepunimi dhe investimi në stabilitetin monetar dhe financiar, do te çojne ne rritje ekonomike të qëndrueshme

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu