Për shkak të rritjes së numrit të infeksioneve me koronavirus në mesin e studentëve në Roterdam, kryetari i bashkisë u ka dërguar një letër të gjithë studentëve të qytetit port holandez për të respektuar rregulloret dhe për të kontrolluar përhapjen e koronavirusit.
“Të rinjtë gjithashtu mund të sëmuren rëndë. Kushtojini vëmendje përgjegjësisë suaj, pasi vetëm së bashku mund ta kontrollojmë këtë virus”, thuhet në letër.
Numri i infeksioneve në mesin e studentëve në Roterdam po rritet çdo ditë.
”Problemi është se studentët nuk nxitojnë të bëjnë teste dhe e konsiderojnë të bezdisshme karantinën”, tha kryetari i bashkisë.
Roterdami dhe Amsterdami do të jenë qytetet e para holandeze ku maska do të jetë e detyrueshme që nga e mërkura e ardhshme.
Kjo vlen edhe për sheshet, rrugët dhe dyqanet.
Qeveria holandeze ka refuzuar detyrimin e përgjithshëm për të veshur maska.