Rinisja e transportit detar të pasagjerëve/ Ndreu: Kategoritë që lëvizin në fazën e parë, mjetet deri në 70% të kapacitetit

0
1158

Nga sot ka rinisur transporti detar i pasagjerëve.

Kreu i Drejtorisë së Përgjithshme Detare, Paulin Ndreu në një prononcim mediatik shpjegoi  kategoritë që mund të udhëtojnë në këtë fazë të parë si dhe protokollet që duhen zbatuar në udhëtim si nga kompanitë, ashtu edhe nga pasagjerët për të shmangur përhapjen e infeksionit COVID-19

Sipas Ndreut, lejohen të lëvizin me transport ndërkombëtar të trageteve tē gjithë shtetasit e huaj që ndodhen në Shqipëri ose vijnë për në Shqipëri për punë apo biznes.

Do të lejohen të lëvizin, po ashtu nga dhe për në Shqipëri të gjithë shtetasit shqiptarë që janë rezidentë në vendet e Bashkimit Europian, dhe janë të pajisur me dokumente të shteteve të BE ose shteteve të tjera jashtë BE.

Në këtë fazë, Ndreu tha se do të lejohen të lëvizin të gjithë diplomatët shqiptarë dhe të huaj, si dhe diplomatë të Republikës së Kosovës me automjetet e tyre personalë në hyrje dhe në dalje për dhe nga Shqipëria.

“Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Drejtoria e Përgjithshme Detare po punojnë, dhe po presin vendimin nga BE për hapjen përfundimtare që shpresojmë të jetë data 1 korrik 2020”, u shpreh Ndreu.

Kreu i DPD-së shpjegoi edhe protokollin që duhet ndjekur nga kompanitë dhe pasagjerët.

“Të gjithë kapiteneritë e porteve, autoritetet portuale dhe agjencitë detare duhet të zbatojnë me rigorizitet protokollin e operimit të transportit detar për COVID-19 të miratuar me urdhërin nr. 169 datë 5 qershor 2020, të Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë”, tha ai.

Ky protokoll u shpreh Ndreu, ka qëllim të ndihmojë në ruajtjen dhe në mbrojtjen e shëndetit të punonjësve të terminaleve, operatorëve të portit, ekuipazheve dhe pasagjerëve, si dhe për parandalimin dhe kontrollin e përhapjes së COVID-19 në portet e hapura në Republikën e Shqipërisë.

Sipas protokollit, mjetet detare të transportit të pasagjerëve lejohen të mbajnë deri në 70% të kapacitetit të tyre maksimal të pasagjerëve të përcaktuar me legjislacionin aktual, në varësi riskut të përhapjes së infeksionit.

“Mjetet detare të transportit të pasagjerëve që kanë kabina lejohen të transportojnë deri në 80% të aftësisë së tyre origjinale të akomodimit të pasagjerëve, në varësi të riskut përhapjes së infeksionit. Pasagjerët duhet të mbajnë një distancë prej 1.5 metrash ndërmjet njëri-tjetrit gjatë hipjes, zbarkimit dhe në të gjitha zonat e anijes. Vetëm një pasagjer të lejohet për kabinën, përveç kur pasagjerët janë të së njëjtës familjeje. Personat me nevoja të veçanta t’u lejohet shoqërimi nga një person tjetër. Maskat janë të detyrueshme të mbahen nga pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazhit. Mjetet detare të transportit të pasagjerëve që ofrojnë ndenjëse për pasagjerët në salla të dedikuara të përcaktohet ulja e udhëtarëve, në një mënyre e cila ruan distancën midis udhëtarëve”, u shpreh Ndreu.

Drejtoria e Përgjithshme Detare, bëri të ditur ai, do bëjë monitorimin dhe përditësimin e situatës në transportin ndërkombëtar detar të pasagjerëve, dhe do ju njoftojë për çdo ndryshim që do të ndodhë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu