Rindërtimi në Fushë-Krujë/ Bushi: Hapësira prej 10 ha që po transformohet në kantier ndërtimi për strehimin e familjeve

0
24

Në Fushë-Krujë ka nisur dje projekti i rindërtimit për të strehuar familjet që kanë mbetur pa banesë nga tërmeti i 26 nëntorit.

Në një sipërfaqe prej 10 ha dhe në një largësi prej 1 km nga qendra e Fushë-Krujës, do të ndërtohen banesat individuale dhe apartamentet, për banorët e Fushë-Krujës, ku do të të strehohen familjet me nivel dëmi DS4 dhe DS5. Ndërsa familjet me nivel dëmi DS1, DS2 dhe DS3 do të marrin kompensim financiar.

Kryetari i bashkisë së Krujës, Artur Bushi, tha se “në të katër sitet e miratuara në bashkinë Krujë, po punohet me procedurat e shpronësimit, aty ku ka pronë private. Në Fushë-Krujë nisi më shpejt, pasi e gjithë zona ishte tokë publike”.

“Aktualisht, hapësira prej 10 ha po kthehet në një kantier ndërtimi, duke hequr strukturat prej hekuri të fermës që ishte në funksion para viteve ’90, si dhe mbushja me inerte të truallit”, – theksoi Bushi.

Kryebashkiaku Bushi deklaron se projekti do të ketë dy faza, ku e para është shtrirja e infrastrukturës nëntokësore, realizimin dhe izolimin e pikave mbitokësore si daljet e furnizimit me ujë, shkarkimit të ujërave të zeza dhe ujërave të shiut, furnizimin me energji elektrike të rrymave të larta dhe atyre të ulëta e telekomunikacionit”.

“Faza e dytë, janë banesat kolektive dhe individuale bashkë me mobilimin urban si hapësira rekrative, kënde lojërash, ndriçimi, qendra shëndetësore, çerdhe, kopshte, qendra komunitare”,

Fazat e punës, projekti, infrastruktura akomoduese dhe urbane për projektin e rindërtimit

Siti i Rindërtimit do të ketë dy faza, ku e para është gërmimi nëntokësor për gjithë punimet infrastrukturore sipas parashikimeve të projektit të zbatimit. Pozicionimi dhe lidhja e infrastrukturës së re me pikat e caktuara të ushqimit/furnizimit/shkarkimit duhet të kryhet për gjithë zonën totale dhe në konsideratë të gjithë ndërtimeve të parashikuara për realizim afatshkurtër dhe afatgjatë.

Pas përfundimit të shtrirjes së infrastrukturës nëntokësore, përfundohet me realizimin dhe izolimin e pikave mbitokësore si daljet e furnizimit me ujë, shkarkimit të ujërave të zeza dhe ujërave të shiut, furnizimin me energji elektrike të rrymave të larta dhe atyre të ulëta e telekomunikacionit.

Ndërkohë, pas rehabilitimit të infrastrukturës bazë, nis faza e dytë me ndërtimin e banesave kolektive, duke nisur me gërmimet përkatëse, realizimin e bazamenteve dhe themeleve, karabinanë modulare, muraturën e jashtme dhe atë të brendshme, izolimet dhe veshjet-rifiniturat e jashtme, e në fund rifiniturat e brendshme. Pas përfundimit të ndërtimit të ndërtesave kolektive, realizohet përfundimi i segmenteve rrugore qe konturojnë zonën dhe ato brenda zonës që lidhin me rrugën kryesore, për funksionimin normal të kësaj pjese të bllokut.

Pas përfundimit të të gjitha fazave të ndërtimit të shtëpive, do të ndërtohet qendra shëndetësore, çerdhe, kopshti, qendra komunitare. Përfundimi i ndërtimit dhe funksionimit të gjithë kuartallit vjen me realizimin e gjithë sistemimeve të jashtme brenda vilave si dhe në hapësirat rekreative të përbashkëta, me plotësimin e gjithë nevojave me mobilim urban si ndriçim i jashtëm i lartë dhe i ulët, stola ulje, kosha të vegjël mbeturinash, sinjalistike e shenja qarkullimi, si dhe vepra arti.

Ndërtimi i banesave kolektive do të jenë jo më të larta se 5 kate. Në zonën e re për rindërtim e përcaktuar në Fushë Krujë, parashikohet strehimi për 218 familje nga të cilat 91 familje në banesa kolektive dhe 147 familje në banesa individuale./ATA

 

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu