Rama: Në muajt e parë të vitit nis vaksinimi antiCOVID

0
787

Kryeministri Rama deklaroi sot gjatë konferencës online të mbajtur me gazetarët se, “të gjitha shtetet po bëjnë një luftë të madhe për sigurimin në sasi të mëdha të vaksinës antiCovid teksa Shqipëria është në komunikim të vazhdueshëm më disa shtete mike për të siguruar vaksinën në dy muajt e parë të vitit të ardhshëm”.

“Ne jemi çdo ditë në punë për këtë çështje. Kini parasysh qe është tjetër çfarë thuhet nëpër media dhe çfarë komentohet nëpër ekrane dhe tjetër se çfarë është realiteti konkret i situatës me vaksinën. Shifrat e vaksinave që po marrin vendet e mëdha krahasuar me pritshmëritë e tyre janë jashtëzakonisht më të ulëta, nuk po i thonë akoma sa për dijeni. Do ti dëgjoni kur të fillojnë të thonë se sa kanë marrë për të filluar dhe pastaj do të kuptoni që është tjetër gjëja që lëviz pas ekraneve dhe pas portaleve që nuk është ende e bërë transparente. Problemi është që kërkesa është më e lartë sesa oferta dhe sasia e prodhimit është ku e ku më e vogël sesa nevoja. Natyrisht ky është një problem i madh në fazën e parë sepse ndërkohë kompanitë po shtojnë sasinë e prodhimit’’, tha Rama.

Më tej, kryeministri vijoi se , “SHBA ka vendosur ndalimin e eksportit të çdo sasie dhe vaksina Pfizer që është vaksina e aprovuar, sasinë kryesore e ka SHBA. Nuk del asnjë dozë nga SHBA drejt vendeve të tjera. Ne jemi në komunikim me të tre kompanitë, të vazhdueshëm, edhe me Pfizer, AstraZeneca edhe me Modernën dhe unë jam shumë besimplotë dhe ndërkohë që jemi në komunikim me disa shtete mike pasi siç e dini BE ka marrë një vendim në këndvështrimin tim goxha për të ardhur keq, por kështu e ka marrë: që për vendet e Ballkanit Perëndimor do të jepen tepricat. Këtu nuk ka teprica faktikisht. Këtu ka një problem të madh për çdo vend sepse ka shumë më pak seç kishin planifikuar’’.

“Megjithatë, me disa shtete mike, ne jemi në komunikim, unë nuk mund të përmend emra. Ajo që di të them është që ne nuk do të mbetemi mbrapa të tjerëve dhe ne në fillim të vitit të ardhshëm do të fillojmë të vaksinojmë. Se kur është data këtë nuk mund ta them. Kam folur për 2 muajt e parë të vitit të ardhshëm, nuk dua të jap më shumë të dhëna sot sepse nuk janë të konfirmuara 100%, kështu që mund të jetë edhe me shpejt, mund të jetë edhe pak më vonë por brenda 2 muajve të ardhshëm këtu do të fillojë vaksinimi. Më pas nuk do të kemi asnjë problem sepse kalendari i ardhjes së dozave është një kalendar që në të gjitha vendet me volume që rriten. Ajo që dua të theksoj është që për fat të keq edhe sigurimi i vaksinës është më shumë se kurrë diplomaci, marrëdhënie personale, miqësi, komunikime, kontakte. Është një luftë e madhe që po bëhet sot mbrapa kuintave nga të gjitha shtetet që të kenë sasira sa më të mëdha. Është realisht si radhët e qumështit të kohës së dikurshme, ku në vend të banorëve që zbrisnin poshtë pallatit dhe vinin shishet atje, janë shtetet. Kjo është situata. Unë i them të gjithë që të jenë të qetë sepse siç e kemi treguar edhe më parë kur është puna për të bërë lypësin për Shqipërinë, besoj që dimë ta bëjmë më mirë se çdokush tjetër”, tha Rama.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu