Rama e Manastirliu urojnë mjekët e Infektivit për Krishtlindje: Mirënjohje për punën heroike, vaksina për ju në fillim të vitit

0
489

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, i uruan sot festën e Krishtlindjes mjekëve dhe infermierëve në Spitalin Infektiv në Tiranë, ndërsa bëri të ditur se pas kalimit të situatës së COVID spitali Infektiv do të ndërtohet nga fillimi.

Duke u shprehur mirënjohjen për punën heroike e të palodhur në këta 10 muaj të pandemisë botërore COVID-19, Rama dhe Manastirliu iu dhanë edhe disa dhurata simbolike.

Kryeministri Rama tha “shumë respekte të gjithëve është bërë një punë dhe sakrificë e jashtëzakonshme. Ja që ndodhi ajo që ndodh një herë në 100 vjet, është mbi shpatullat tuaja,  mesa duket do ta kaloni me shumë sukses dhe do mbetet e shënuar në jetën tuaj personale si një moment heroik i jashtëzakonshëm, për të cilin, ju do të jeni krenarë për veten e për kolegët dhe familjen tuaj edhe Shqipëria do të jetë krenare për ju”.

Kreu i qeverisë u tha mjekëve dhe infermierëve se do të vaksinohen shumë shpejt.

“Është çështje javësh besoj dhe pastaj do ta përshkallëzojmë, është situatë e vështirë sepse edhe shtetet e mëdha dozat që po marrin janë shumë pak se ato që kishin parashikuar. Sepse baza prodhuese e SHBA-së, Presidenti i SHBA-së ka vendosur ndalimin e eksportit të çdo doze. Kështu që pjesa tjetër prodhuese që është jashtë SHBA-së ka më pak doza dhe për fillimin është problem.  Kam folur me disa kryeministra këto ditë dhe ata akoma nuk po i thonë publikisht shifrat , sepse janë shumë më pak se çfarë kishin premtuar edhe ata, jo sepse nuk kishin informacion, por informacioni që kishin ka ndryshuar për shkak të dinamikës. Ne jemi në komunikim me disa nga shtetet sepse tani marrëveshjet bëhen shtet me shtet”, – tha Rama.

Kryeministri u shpreh se “tani pavarësisht marrëveshjes me kompanitë me Pfizer jemi shumë afër edhe me Astrazeneca besoj do aprovohet brenda këtij viti vaksina e Oxfordit, edhe me Modernën jemi ne diskutim, por ajo ka një sasi më të vogël jashtë SHBA. Pastaj duhet të merret vesh shteti me shtetet e tjera. U fol për Maqedoninë e Veriut, por ato janë 100 doza që Bullgaria ka deklaruar që do të japë për Maqedoninë e Veriut njësoj si për ne. Ne nuk e kemi deklaruar këtë gjë, pasi e para është një shprehje dashamirësie, por nuk është fakt, e dyta s’kemi dashur të bëjmë fjalë, por jemi shumë afër. Kemi shumë besim që për ekipet e spitaleve COVID do të jetë shumë shpejt”, – nënvizoi Rama.

Kryeministri Rama bëri të ditur edhe adaptimin e një projekti tek stadium Air Albiania për të vendosur gjithë ekipet që do të bëjnë vaksinimet.

“Kjo pasi siç na kanë sugjeruar në ambiente të hapura është më mirë, për të pasur edhe radhë të kontrolluara. Po bëjmë një projekt shumë të bukur dhe në javët e para të janarit do ta kemi të instaluar. Shumë shpejt do t’iu imunziojmë ju në fillim, pastaj  hap pas hapi do vazhdojmë me të gjithë mjekët, mësuesit, punonjësit e policisë që janë më në kontakt me njerëzit, pastaj në mars , prill dozat do jenë më shumë dhe prodhimi do të ketë teprica sepse është futur më shumë në linjë. Jemi në rrugën e  duhur”, – tha Rama.

Më tej kreu i qeverisë u shpreh se “godina e Infektivit do ta mbyllë me sukses misionin e vet, sepse pas kësaj lufte do të bëhet godina e re.

Ministrja Manastirliu tha se “me miratimin e kredisë të Bankës Botërore tashmë Infektivi është përfshirë në planin tonë për tu rindërtuar me standardet më të mira. Vitin tjetër duke shpresuar që pandemia të mos ketë këtë kurbën e madhe e të mos kemi këtë përballje me infeksionet e rritura se edhe vaksina që presim të vijë në fillim të vitit që vjen patjetër që do të lehtësoje. Por kjo nuk do të thotë që nuk do e kemi armikun e padukshëm prezentë, sepse do të duhet të vijojmë kujdesin , maskën, distancën, deri s atë kthehemi në atë normalitetin që të gjithë presim që ta rifitojmë së shpejti”.

Ministrja Manastirliu duke falënderuar personelin shëndetësor për punën heroike në këtë vit të pazakontë, tha se “ shpresojmë që viti tjetër të jetë shumë më i mbarë dhe me plot shëndet për të gjithë. Do të jemi gjithmonë  bashkë të kalojmë këtë moment të vështirë, pasi këto 10 muaj kanë qenë të vështire dhe jemi përballur me sfida jo të vogla”.

Si askush sot mjekët e infermierët e spitaleve Covid janë mishërimi i kësaj feste të rilindjes pas sakrificës sublime, në luftën e paepur me vdekjen në trupin e njerëzve dhe si kurrë më parë sot, figura e tyre është njehsuar me shërbëtorët e sublimes në zemrën, mendjen e në përkushtimin e njeriut për tjetrin.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu