Punonjësit e transportit do të marrin edhe për muajin qershor pagën e luftës

0
4

Punonjësit e transportit publik do të përfitojnë edhe për muajin qershor pagën e luftës.

Drejtori i përgjithshëm i Shërbimit të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhja bëri të ditur se është rënë dakord që këta punonjës të përfitojnë edhe pagën e muajit qershor.

“Është bërë prezantimi para të gjithë institucioneve të nevojës për pagën e qershorit, për të gjithë llojet e transportit. Bëhet fjalë për një vlerë prej 2.4 milionë euro, pasi përfshihen një numër i madh punonjësish”, tha Gonxhja në një intervistë në media.

Kreu i DPSHTRR theksoi se është bërë një protokoll për funksionimin e transportit publik. Ai u shpreh se zbatimi rigoroz i tij lidhet me nevojën për t’u hapur lëvizja.

“Është bërë një protokoll. Protokollet nuk janë dëshirë, por janë një detyrim reciprok. Nëse duam që Shqipëria të hapet, apo vendet e tjera të hapen ndaj nesh, dhe të qarkullojmë duhet të kemi protokolle të këtyre standardeve. Do të zbatohet protokolli për ato gjëra që janë të nevojshme dhe të realizueshme”, shprehet Gonxhja.

Për sa i përket terminaleve, Gonxhja u shpreh se janë bashkitë ato që do të kryejnë dezinfektimin.

Më tej, kreu i DPSHTRR tha se Taskforca e Transportit Rrugor po kujdeset për kontrollin e zbatimit të masave.

Gonxhja u shpreh se institucionet shtetërore po bashkërendojnë punën për të mbështetur këtë sektor përmes një reforme të qëndrueshme, ku përfshihet edhe krijimi i një rrjeti eficient linjash.

Synimi, sipas tij, është një transport publik cilësor udhëtarësh, pa rritur çmimet për qytetarët dhe duke mbështetur fuqimisht sektorin.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu