Promovim turizmit elitar në Shqipëri/ Heqja e TVSH-së për jahtet krijon degë të re të ekonomisë

0
40

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi vlerësoi sot se “me heqjen e TVSH-së për jahtet, Shqipëria krijohet si destinacion i ri në kuadër të përpjekjeve për turizmin elitar”.

Në mbledhjen e komisionit parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, Klosi u ndal te debati politik i krijuar nga heqja e TVSH-së së jahteve.

Klosi tha se realiteti shqiptar ka një numër pothuajse inekzistent jahtesh. “Janë 222 mijë jahte që lundrojnë sot në Mesdhe pa pasur mundësinë e zhdoganimit. Ne duam të krijojmë mundësi që këto jahte duke ardhur në Shqipëri, të zhdoganohen, të marrin flamurin shqiptar dhe kështu krijohet një flotë shqiptare pa investime të brendshme”, tha Klosi

Ministri tha se “kjo krijon një degë të re të ekonomisë dhe është mjaft i rëndësishëm promovimi që i bëhet Shqipërisë përmes kësaj iniciative”.

“Hapja e Shqipërisë do të shoqërohet me një sërë masash të tjera. Nuk mjafton vetëm heqja e TVSH-së, por edhe të tjera masa që të kemi biznes në këtë sektor. Bëhet fjalë për të hapur me mijëra vende të reja pune për qytetarët shqiptarë dhe për t’u bërë atraktivë për të bërë marina të reja në Shqipëri”, tha Klosi.

Ai theksoi se “politikat kanë qenë shumë të ngurta deri tani dhe deti shënohet si zonë e mbyllur”. “Kishim moratorium. Deti ka qenë i izoluar. Ne duam ta hapim dhe të krijojmë lehtësira për të lundruar në detin shqiptar”, tha ai.

Klosi theksoi se “po i njëjti debat ka qenë vite më parë për të ulur TVSH-në e fjetjes për hotelerinë shqiptare në 6%”.

“Kjo politikë bëri që sot Shqipëria të jetë një vend me shumë turizëm. Vitin e kaluar kishim 6.4 milionë turistë të huaj. Këtë vit prisnim mbi 7 milionë. Sot në Shqipëri ne kemi 7-8 emra të mëdhenj në hotele me 5 yje dhe Shqipëria po shfaqet si atraksion. Falë këtyre politikave ne në Shqipëri mund të kemi 200- 250 milionë euro investime”, tha Klosi.

Klosi tha se “edhe nisma për heqjen e TVSH-së së jahteve është për të krijuar një industri të re që mund të premtojë shumë për Shqipërinë”.

“Kjo politikë ekziston edhe në vendet e tjera. Nuk është ligj, është politikë, që Shqipëria ashtu si vendet e rajonit të ketë një prurje të kësaj industrie. Për ta krijuar këtë duhet të bëhemi atraktivë. Si mund të bëhemi atraktiv për sa kohë nuk kemi marina? Ne duam të bëjmë këtë mekanizëm që të paktën të afrohen”, tha Klosi.

Ministri theksoi se “harta e detit të Shqipërisë kishte ngelur me rrezikshmëri nga minat që nga Lufta e Dytë Botërore dhe sot harta e detit shqiptar është e pastër”. /ATA

 

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu