Pogradec/Hotelet dhe shtëpitë e turizmit familjar, të gjitha të rezervuara në fundjavë

0
30

Pogradeci dhe rrethinat e tij ofrojnë për turistët një atraksion të përhershëm turistik me natyrën, kulturën dhe historinë që i japin madhështinë, ndërsa liqeni i jep hijeshinë.

Përveç liqenit, Pogradeci ka edhe shumë bukuri të tjera natyrore në periferinë e tij, në fshatrat që e rrethojnë, ka monumente të rëndësishme kulturore e historike që të tërheqin t’i vizitosh.

Bashkia e Pogradecit bëri të ditur sot se “nga të gjitha të dhënat e grumbulluara rezulton se Pogradeci nga kjo fundjavë është i gjithi i rezervuar. Janë të rezervuara 793 dhoma me 1355 shtretër në total, ku mbi 1000 shtretër ofrohen nga shtëpitë me turizëm familjar”.

Sipas bashkisë, nuk llogariten këtu edhe qytetarët që kanë blerë apartamente në Pogradec.

“Ka një sërë arsyesh se pse ndodh diçka e tillë. Së pari klima, freskia, liqeni të krijuara nga natyra.  Së dyti shërbimi dhe standardet e rritura këtë vit nga operatorët turistikë.  Së treti përmirësimi i vazhdueshëm që kemi arritur të realizojmë në plazhe, infrastrukturë, parqe etj”, nënvizon bashkia.

Këtë vit, shton bashkia,  Pogradeci si asnjë vit më parë është më i pastër, që nga rrugët kryesore, të brendshme apo vija liqenore.

“Shumë më shumë aktivitete do të kishte por për shkak të pandemisë ato janë të kufizuara.  Bashkia Pogradec ju falenderon përzemërsisht që keni zgjedhur Pogradecin”, – shprehet bashkia.

Në këtë qytet kudo ka bukuri si Lini, një gadishull i vogël në brigjet perëndimore të liqenit të Ohrit me një fshat të bukur me të njëjtin emër.

Shtëpitë janë të ndërtuara prej guri dhe tulla në anët e rrugicave të ngushta mbuluar me pjergulla. Në jug të Linit, afër Buqezës në liqen, në thellësinë 2-3 m ndodhen disa palafite. Ai është një vendbanim i tipit liqenor ndërtuar në sipërfaqe të liqenit, si ajo e Maliqit në rrethin e Korçës. Ka gojëdhëna që dikur gadishulli i Linit ka qenë një ishull i bukur me bimësi të lulëzuar.

Ndërsa burimet e Drilonit që ndodhen rrëzë kodrave afër fshatit Tushemisht dhe Gurras, 4 km nga Pogradeci kanë një pamje të pakrahasueshme.

Këtë monument natyre mund ta vizitoni në qoftë se ndiqni rrugën Pogradec-Doganë-Shën Naum. Ai është një burim i madh gëlqeror që buron me rrjedhje vertikale të ujit në fund të bllokut gëlqeror, duke vazhduar më pas rrjedhjen në liqenin e Ohrit. Uji vjen nga liqeni i Prespës përmes Malit të Thatë. Uji del jashtë si një burim i madh i veçantë me një rrjedhje prej 7 m3/sek. Zona është e rrethuar me bimësi të dendur.

Pogradeci ka edhe mjaft kisha mesjetare si kisha e Shën Bitrit, që vendasit janë mësuar ta thërrasin kisha e Shën Bitrit, ndodhet disa qindra metra larg fshatit Potkozhan.

Qyteti i Liqenit, Pogradeci, është qyteti elitar i Shqipërisë i cili vizitohet në të katër stinët.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu