Një mbrojtje e mirë, një jetë e paqtë!4 llojet e sigurimeve të domosdoshme për gjithsecilin

0
55

Nga Elda Shehu 

Jeta sjell shumë të papritura tek të gjithë ne. Ndërsa ne zakonisht nuk mund t’i ndalojmë të ndodhin, të paktën ne mund të zgjedhim t’i japim jetës sonë pak më shumë mbrojtje. Sigurimi ka për qëllim të na japë një masë të mbrojtjes, të paktën financiarisht, nëse ndodh një fatkeqësi. Ekzistojnë mundësi të shumta sigurimesh. Megjithatë, me kaq shumë mundësi, mund të jetë e vështirë të përcaktoni se çfarë sigurimi ju nevojitet vërtet. Blerja e sigurimit të duhur përcaktohet gjithmonë nga situata juaj specifike. Faktorë të tillë si: fëmijët, mosha, mënyra e jetesës dhe gjendja ekonomike janë ato që duhet të merren parasysh kur planifikoni portofolin tuaj të sigurimeve. Në Shqipëri sigurimet e detyrueshme janë më të përdorura, ndërkohë që edhe shtresat në gjendje të mirë financiare edhe pse kanë mundësi për një sigurim më të plotë, janë akoma larg kulturës së sigurimeve vullnetare.

Sidoqoftë, ekzistojnë katër sigurime që ekspertët financiarë e te sigurimeve rekomandojnë që të gjithë ne të kemi: jeta, shëndeti, automjeti dhe paaftësi afatgjatë. Secila prej këtyre përfshin një aspekt specifik të jetës suaj dhe secila është shumë e rëndësishme për të ardhmen tuaj financiare.

Sigurim i jetës

Rëndësia më e madhe në sigurimin e jetës është siguria për ata që lini pas. Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme nëse keni një familje që varet nga të ardhurat tuaja për të paguar detyrimet. Kur vlerësoni sasinë e mbulimit të sigurimit të jetës që ju nevojitet, mbani mend të faktoni edhe shpenzimet e jetesës siç janë: kreditë, kartat e kreditit dhe taksat, por edhe kujdesi për fëmijët dhe kostot e ardhshme të shkollimit.

Tek ne sigurimi i jetës ofrohet nga 3 kompani: Insig, Sicred dhe Sigal, që sipas të dhënave të raportuara nga AMF për 7 mujorin  e 2019-es zotëronin përkatësisht 18% ,20% dhe 62% të tregut në total që ishte diku te 6 mln euro prime ose 7% e totalit prej 80 mln euro, me një rritje 6.67% nga periudha e  kaluar. Sigurimet me peshë specifike më të madhe janë:’’ Jeta e debitorit’’, ‘’Jeta e kombinuar’’, ‘’Jeta në grup’’ dhe ‘’Jeta në kursim’’; që në 7 mujor zunë afërsisht 92% të totalit të gjithë primeve të shkruara bruto të sigurimit të jetës.

Kompanitë ofrojnë shumëllojshmëri paketash të kombinuara dhe me sigurime të tjera që e bëjnë këtë sigurim më atraktiv për individët. Të dhëna më të hollësishme i gjeni në faqet e web-it të këtyre kompanive.

Më të përhapura te ne janë sigurimi i jetës për kredi dhe sigurimi i jetës i kombinuar me afat. I pari garanton çlirimin e familjes të të siguruarit apo ortakëve të biznesit nga detyrimi bankar,  i dyti të garanton përfitimin e një pagese 100% të shumës së sigurimit për familjarët, në formën e një shume të vetme dhe të menjëhershme, nëse i siguruari humb jetën brenda periudhës së sigurimit.

Sigurimi  i gjithë jetës është një politikë që ju duhet të paguani deri sa të vdisni dhe ‘’Jeta afatgjatë’’  është një politikë për një kohë të caktuar. Ekzistojnë dallime të konsiderueshme midis dy politikave. Në marrjen e vendimeve midis tyre, konsumatorët duhet të marrin parasysh moshën e tyre, profesionin, numrin e fëmijëve të varur dhe faktorë të tjerë për të siguruar që ata kanë mbulimin e nevojshëm për të mbrojtur familjet e tyre. 

Sigurim shëndetësor (aksidente dhe shëndeti)

Sigurimi shëndetësor është shumë i rëndësishëm e bëhet gjithnjë e më i nevojshëm e sidomos  kur tek ne tarifat e spitaleve privatë janë shumë të shtrenjta për pjesën më të madhe të shqiptarëve  dhe shteti vazhdon të ofroje një shërbim të dobët mjekësor me mungesa të theksuara në ilaçe dhe rimbursime jo të kënaqshme  të tyre .

Vetëm këto fakte duhet t’ju nxisin të merrni sigurim shëndetësor ose të rrisni mbulimin tuaj aktual. Ndërsa opsioni më i mirë dhe më pak i kushtueshëm është pjesëmarrja në programin e sigurimeve të punëdhënësit tuaj ,por shumë biznese më të vogla nuk e ofrojnë këtë përfitim ndaj ju duhet te kujdeseni vetë për të. Kompanitë e sigurimit e kanë zhvilluar vazhdimisht këtë produkt duke ju ofruar klientëve paketa te shumëllojshme të mbulimit individual apo dhe familjar.

Ndërsa debati për kujdesin shëndetësor vazhdon, pjesa më e madhe e shqiptarëve  janë pa mbulim sigurimesh të aksidenteve dhe shëndetit. Konsultohuni me punëdhënësin tuaj në lidhje me përfitimet e kujdesit shëndetësor si dhe të aksidenteve në punë , ose drejtohuni në shoqëritë e sigurimeve për të marrë informacion të detajuar në lidhje me përfitimet e shumta. Aksidentet dhe shëndeti në 7 mujorin e 2019-ës arritën në 6.6 mln euro prime me një rënie 2% nga periudha e kaluar, por duke zënë 30% të totalit të primeve të ‘’Jo Jetës’’ që ishin afërsisht 74 mln euro.

Mbulimi me paaftësi afatgjatë

Ky është një sigurim për të cilën ne mendojmë se nuk do të na duhet kurrë, pasi askush prej nesh nuk supozon se do të bëhet ndonjë ditë i paaftë. Megjithatë, statistikat në shume shtete ,tregojnë se tre në 10 punëtorë që hyjnë në fuqinë punëtore do të bëhen me aftësi të kufizuara dhe nuk do të jenë në gjendje të punojnë para se të mbushin moshën e pensionit. 

Edhe ata punëtorë që kanë një mbrojtje të sigurt , dhe një politikë të mirë të sigurimit të jetës kurrë nuk përgatiten për ditën kur ata nuk mund të jenë në gjendje të punojnë me javë, muaj ose mund të mos jenë në gjendje të kthehen përsëri në punë. Ndërsa sigurimi shëndetësor paguan  vetem për shtrimin në spital dhe faturat mjekësore, nga vijnë paratë për të paguar shpenzimet ditore që mbuloheshin nga paga juaj? 

Konsideroni se me çfarë mund të përballeni financiarisht nëse vuani nga sëmundje  vdekjeprurëse dhe nuk keni qenë në gjendje të punoni për më shumë se një vit.

Shumë punëdhënës ofrojnë mbulim të aftësisë së kufizuar afatshkurtër dhe afatgjatë, si pjesë e paketës së përfitimeve të tyre. Ky do të ishte opsioni më i mirë për të siguruar mbulim të përballueshëm të aftësisë së kufizuar. Nëse nuk e bëjnë këtë, kërkoni vetë një kompani sigurimi qe e ofron atë. Nëse nuk jeni të sigurt se sa mbulim ju nevojitet, kompanitë do ju japin gjithë informacionin e duhur .

Një politikë që garanton zëvendësimin e të ardhurave në një përqindje të caktuar është politika optimal. Kostoja e sigurimit të aftësisë së kufizuar bazohet në shumë faktorë, përfshirë: moshën, stilin e jetës dhe shëndetin, sëmundje shkatërruese ose dëmtim. Sigurimi i aftësisë së kufizuar do të garantojë që do të keni të ardhura kur nuk mund të punoni.

Sigurimi i automjeteve(sigurimet motorike)

Sigurimi i automjeteve ose sigurimet motorike përfshijnë 4 produkte: TPL, Sig.Kufitar , Karton jeshil dhe  Sig.Kasko ku tre të parat janë të detyrueshme .Këto sigurime në 7 mujorin e 2019-ës arritën në 53 mln euro prime duke zënë 72% të totalit të primeve të ’’ Jo Jetës’’ dhe me një rritje me 5.7% nga periudha e kaluar.

car insurance collage tags cloud over blue background 49672996 300x214 - Një mbrojtje e mirë, një jetë e paqtë!4 llojet e sigurimeve të domosdoshme për gjithsecilin

Në Shqipëri aksidentet rrugore vazhdojnë të jenë shumë te larta në raport me numrin e popullsisë krahasuar me vendet e bashkimit evropian. Sipas Institutit të Statistikave për 7 mujorin e 2019-ës kanë ndodhur 862 aksidente nga të cilat 746 për faj të drejtuesve të automjeteve dhe 116 për faj të këmbësorëve. Janë aksidentuar 1188 persona nga të cilët 115 kanë humbur jetën dhe 1073 janë plagosur.

Edhe pse është një sigurim i detyrueshëm me ligj, mijëra drejtues automjetesh vazhdojnë të qarkullojnë në vend pa kryer siguracionin. Sipas të dhënave të siguruara nga Policia e Shtetit, vetëm në 6- mujorin e parë të këtij viti janë gjobitur 1616 automjete pasi janë kapur në qarkullim pa siguracion. Ekspertët e sigurimeve  ju bëjnë thirrje për ndërgjegjësim e që mos të udhëtoni me makina pa siguracion pasi pasojat financiare mund të jenë tepër të larta.

Nëse jeni të siguruar dhe ndodh që pasagjerët në makinën tuaj ose shoferi tjetër plagosen në aksident, sigurimi juaj i automjetit  do t’i mbulojë ato shpenzime dhe do t’ju ndihmojë të mbroheni ju nga çdo proces gjyqësor që mund të rezultojë nga aksidenti. Sigurimi i automjeteve, ai kasko , gjithashtu mbron automjetin tuaj kundër vjedhjes, vandalizmit ose fatkeqësive natyrore .

Si me të gjitha sigurimet, tashmë edhe me sigurimin TPL duke filluar nga 1 prill 2020 hyn në fuqi sistemi bonus malus i quajtur ndryshe  BMS ( për të cilin do flasim më hollësisht në numrat e ardhshëm). Ky sistem me shkallë përllogarit pagesën e primit të sigurimit të automjetit tuaj bazuar në  rrethanat tuaja individuale e sidomos nga historiku i dëmeve të shkaktuara vitin e kaluar.

Merrni sa më shumë informacion për kontratat e sigurimet edhe në faqet web-it të kompanive të sigurimit që ofrojnë paketa shërbimesh edhe on line duke qene më pranë jush në mënyrë që të ndiheni sa më të mbrojtur nga pasiguritë e jetës.

Ndërsa sigurimi është i shtrenjtë dhe sigurisht që merr një pjesë të buxhetit tuaj, të qenit pa të mund të çojë në dëmtime financiare të parikuperueshme. Gjithmonë kontrolloni me punëdhënësin tuaj së pari për mbulim të disponueshëm, pasi kjo ndoshta do të jetë aty ku do të gjeni mënyrën më ekonomike për të siguruar mbulimin. Nëse punëdhënësi juaj nuk e ofron atë, atëherë drejtojuni shoqërive të sigurimit. Një mbrojtje e mirë, një jetë e paqtë!

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu