Të gjithë individët, të ish-punësuar në subjektet që janë lejuar të kryejnë aktivitetet ose janë mbyllur sipas urdhrave të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, të cilët janë larguar nga puna nga data 1 mars 2020 deri në datën 17 maj 2020 janë përfitues të ndihmës prej 40 mijë lekësh, mbështetje e qeverisë shqiptare.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj bëri të ditur se Qeveria Shqiptare ka bërë ndryshimet e nevojshme në vendimin për Paketën e Zgjeruar për të ardhur në ndihmë të qytetarëve të prekur dhe larguar nga puna prej pandemisë.
“Numri i punonjësve që do të jenë përfitues është shtuar me 32 mijë. Këta punonjës u larguan nga puna në periudhën 1 mars – 17 maj dhe do te përfitojnë pagesën 40 mijë lekësh nga Paketa e Zgjeruar”, u shpreh Denaj.
Sipas ministres, aplikimi për punonjësit përfitues kryhet online nga subjektet, deri në datën 5 qershor 2020.
Ministrja apeloi tatimpaguesit që të aplikojnë për punonjësit e tyre.
“Ftojmë bizneset të kryejnë aplikimin dhe të sigurojnë pagesën për ish-punonjësit e tyre duke bërë të mundur kështu edhe përjashtimin nga penalitetet për mosaplikim”, tha ajo.
Ndryshimet e fundit të vendimit të Këshillit të Ministrave miratuar përcaktojnë kritere të reja për përfitimin e ndihmës financiare, mbështetje e Qeverisë Shqiptare.
Sipas këtyre ndryshimeve, janë përfitues të ndihmës prej prej 40 mijë lekësh të gjithë individët, të ish-punësuarit në subjektet që janë lejuar të kryejnë aktivitetet ose janë mbyllur sipas urdhrave të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, të cilët janë larguar nga puna nga data 1 mars 2020 deri në datën 17 maj 2020.
Aplikimi për punonjësit përfitues, i kryer online, nga subjektet punëdhënës, deri në datën 5 qershor 2020, i përjashton ata nga penaliteti për mosaplikim.
Në rastet kur punëdhënësi nuk do të kryejë aplikimin brenda datës 5 qershor 2020, të gjithë individëve përfitues, do t’iu jepet mundësia për përfitimin e ndihmës financiare në mënyrë automatike. Kjo do të realizohet pas verifikimit të kritereve bazuar në të dhënat që administata tatimore disponon apo të dhënave që të punësuarit apo të ish-punësuarit do të dorëzojnë.
Të gjithë subjektet, të cilët plotësojnë kriteret sipas VKM nr.305 datë 16.04.2020, i ndryshuar (sipas listës bashkëngjitur), duhet të plotësojnë kërkesën për përfitim të ndihmës financiare, për individët përfitues sipas VKM të sipërcituar.
Trajtimi i këtyre kërkesave do të jetë në mënyrë automatike, pra pas dorëzimit të Formularit të plotësuar, që do të thotë se kërkesa është miratuar automatikisht dhe do të vijohet me pagesën e Ndihmës financiare prej 40 mijë lekësh./ATA