Mjeku Krasniqi:12 pacientë trajtohen në Klinikën Infektive, 4 fitojnë betejën me COVID-19

0
41

Mëngjesin e sotëm është shënuar viktima e 27 nga COVID-19 në Kosovë. Pacientja që ka ndërruar jetë është një 63-vjeçare nga Dragashi, e cila përveç infeksionit me koronavirus ka pasur edhe sëmundje kronike të veshkave dhe sëmundje të tjera shoqëruese.

Mjeku InfeksionistValbon Krasniqi tha për KosovaPress se në këtë klinikë aktualisht po trajtohen 12 pacientë, ndërsa sot gjatë ditës u bë dalje katër pacientë të shëruar nga koronavirusi.

“Gjendja shëndetësore e nëntë prej tyre është shumë e mirë, ndërsa dy persona janë në oksigjeno-terapi. Ndërsa, në repartin intensiv vazhdojmë të kemi në gjendje shumë të rëndë një të moshuar 73-vjeçar, i cili krahas mbikqyrjes nga infektologu në bashkëpunim me anesteziologun, është duke u monitoruar 24 orë në përkujdesje intensive dhe gjendjen e tij e vlerësojnë kritike”, tha Krasniqi.

Ai foli edhe për vdekjen e viktimës së 27 nga COVID-19 në Kosovë, e cila është një paciente nga Dragashi.

“Sot në orët e mëngjesit nuk ka arritur t’i mbijetojë infeksionit një grua e moshës 63-vjeçare nga komuna e Dragashit, e cila në Klinikën Infektive është pranuar para 12-13 ditëve. Është e vërtetë që krahas infeksionit ajo ka pasur edhe pamjaftueshmëri të veshkave, dhe si pasojë e saj ka qenë në dializë të rregullt kronike, sëmundje të diabetit”, shton Krasniqi.

Mjeku tha se mbrëmë në Klinikën Infektive janë pranuar dy raste, ku një fëmijë i moshës 2-vjeçare sëbashku me nënën e saj kanë shfaqur simptoma më të theksuara të virusit, por që tani janë në gjendje të stabilizuar.

Ai tha se pavarësisht numrit të vogël të rasteve që janë paraqitur ditëve të fundit, qytetarët duhet të vazhdojnë të mbajnë higjienën personale, dhe të kenë kujdes me distancën fizike.

Në Kosovë janë konfirmuar 860 raste me COVID-19, 533 janë shëruar, ndërsa 27 kanë vdekur./KosovaPress//ATA

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu