Memorandum bashkëpunimi mes 3 institucioneve në luftën kundër pastrimit të parave

0
1680

Bashkëpunim ndërinstitucional për intensifikimin e luftës kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Ky është thelbi i memorandumit që u nënshkrua sot  nga Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj dhe ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj.

Memorandumi ka në fokus rritjen e efektivitetit në hetimet që lidhen me pastrimin e parave, financimin e terrorizmit, krimet financiare dhe sekuestrimin e konfiskimin e aseteve kriminale.

Përmes këtij memorandumi palët angazhohen të rrisin dhe të forcojnë bashkëpunimin ndërinstitucional, kapacitetet institucionale dhe profesionale për të përmbushur rekomandimet e Komitetit të Stabilizim-Asociimit (KSA), midis Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, Planit të Veprimit të ICRG/FATF në afatet e përcaktuara nga secili institucion përgjegjës.

Palët angazhohen të marrin masat e nevojshme mbikëqyrëse, monitoruese dhe koordinuese sipas kompetencave ligjore, të kryejnë analiza të përbashkëta dhe të shkëmbejnë informacione midis institucioneve me qëllim evidentimin e saktë dhe të plotë të shkeljeve që përbëjnë vepër penale në fushat e pastrimit të parave, financimit të terrorizmit, krimeve financiare dhe kryerjen e hetimeve pasurore për sekuestrimin dhe konfiskimin e aseteve kriminale.

Marrëveshja parashikon marrjen e masave për inicimin dhe realizimin e ndryshimeve ligjore apo nxjerrjen e akteve nënligjore të nevojshme si dhe krijimin apo përmirësimin e strukturave të veçanta sipas fushës së veprimit të këtij memorandumi me personelin më të kualifikuar.

Marrëveshja institucionalizon bashkëpunimin për kryerjen e hetimeve pro aktive dhe përdorimin e mjeteve të posaçme të hetimit për të rritur efektivitetin e bashkërendimit ndërmjet institucioneve dhe agjencive përkatëse të zbatimit të ligjit, sipas fazave të gjurmimit, hetimit dhe ndjekjes penale. Institucionet angazhohen të bashkëpunojnë dhe të shkëmbejnë, pa cenuar kompetencat ligjore respektive, mbrojtjen e të dhënave personale dhe ruajtjen e sekretit hetimor për çështje konkrete.

Marrëveshja saktëson kontributin e secilit institucion, duke përcaktuar detyrat dhe bashkërendimin e punës mes institucioneve dhe agjencive ligj-zbatuese në gjurmimin, zbulimin, hetimin dhe ndjekjen penale në fushat e pastrimit të produkteve të veprës penale, krimeve financiare, financimit të terrorizmit, sekuestrimit dhe konfiskimit të aseteve kriminale, të kryera nga subjekte person fizik apo person juridik, sipas veprave të Kodit Penal.

Kreu i Prokurorisë së Përgjithshme, Olsian Çelaj tha se fokusi i kësaj marrëveshje do jetë konsolidimi i linjave të komunikimit mes institucioneve. “Lufta ndaj pastrimit të parave ka qenë prioritet dhe kërkuam që këtë prioritet ta bënim pjesë të misionit tonë të përbashkët dhe për këtë arsye nisëm punën përgatitore dhe kërkuam nisjen e një pune në grup mes institucioneve.”,- tha Çela.

“Grupet e punës punuan dhe në një situatë mjaft të vështirë. Ajo çfarë është risia, dhe që ne po ndryshojmë është përafrimi jo vetëm i institucioneve por edhe proceseve, kombinimi i këtyre proceseve, rritja e përgjegjshmërisë institucionale, ne besojmë se do sjell rezultate të mira. Unë besoj se këto masa do ndikojnë në uljen e informalitetit në ekonomi.  Ajo çka përbën thelbin e marrëveshjes, është konsolidimi i linjave të komunikimit mes institucioneve. Niveli i koordinimit në nivel vendor, në aspektin operacional si dhe në nivel qendror, që do të fokusohet tek ndërtimi i politikave për menaxhimin e çështjeve, verifikimin e problemeve dhe gjetjen e zgjidhjeve, duke krijuar kështu amalgamën e nevojshme, duke krijuar instrumente profesionale për operatorët e zbatimit të ligjit në terren. Institucionet janë instrumenta përmes së cilave ne ndërtojmë një shoqëri më të mirë e më të drejtë, ku krimi dhe informaliteti nuk do kenë vend.”, tha Çela.

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj tha se policia ka sekuestruar një sasi rekord prej 100 milionë euro asete ekonomike me origjinë nga krim në vitin 2019.

“Lufta kundër pastrimit të parave, krimit ekonomik dhe financiar, në fakt është thelbi i luftës kundër krimit të organizuar.”,- theksoi Lleshaj.

“Shterimi i burimeve të financimit të krimit, si edhe pengimi i krimit për të gëzuar produktet e veprës kriminale, është thelbi i të gjithë përpjekjes i cili çon në shkatërrimin e modelit të biznesit. Sepse krimi i organizuar është një biznes. Në qoftë se shkatërrojmë ciklin dhe shkatërrojmë modelin, ne kemi bërë kontributin më të madh në luftën kundër krimit në përgjithësi.”,- vijoj Lleshaj.

“Sigurisht është bërë progres i madh përgjatë viteve dhe kemi mjaft për të raportuar pozitive, por ka prapë shumëçka për të bërë. Në qoftë se do të përmendim vetëm një shifër, në vitin 2019 ne kemi arritur të sekuestrojmë një nivel historik asetesh me origjinë kriminale. Pra, një volum që shkon te 100 milionë euro, është një rekord historik.”, – u shpreh Lleshaj, i cili shprehet me rezerva për vendimet e gjykatave.

“Problemi mbetet se sa kjo shifër do të materializohet në fund përmes vendimeve të formës së prerë. Dhe ky është edhe problemi endemik i sistemit tonë, që kemi një diskrepancë të madhe midis asaj çka sekuestrohet dhe asaj çka konfiskohet. Burimi i kësaj diskrepance është i shumëllojtë, të gjithë kanë kontribut nga pak ka policia ndoshta përmes mosprovimit ose mossigurimit të provave të mjaftueshme, ka prokuroria, ka gjykata.”,- tha Lleshaj.

“Gjë që na sjell pastaj në këtë situatë ku jemi edhe përballë institucioneve ndërkombëtare, përballë FATF-së së Moneyval-it, të cilët kanë konstatuar problematikë. Ne duhet ta adresojmë këtë problematikë jo thjesht në funksion të axhendës sonë integruese në BE, por në funksion të axhendës sonë për të luftuar krimin e organizuar. Për arsye se lufta kundër krimit të organizuar përbën ndër prioritetet më të larta të qeverisë shqiptare, si dhe parakushtin për zhvillimin e vendit. Është parakusht për zhvillimin ekonomik-shoqëror të vendit. Besojmë që ky memorandum është një kontribut i shtuar, dhe besoj do të përbëjë një vlerë të shtuar në angazhimin tonë ndërinstitucional në luftën kundër krimit të organizuar.”,- vijoj ministri i Brendshëm.

“Ky memorandum i adreson të dyja edhe ambicien integruese të Shqipërisë në strukturat europiane, edhe prioritetet tona për zhvillimin ekonomik shoqëror të vendit dhe për luftën kundër krimit. E rëndësishme për mua në këtë memorandum është fakti që ky nuk është thjesht një deklaratë qëllimesh të mira, por është i shoqëruar edhe me instrumentet e nevojshme për zbatimin e tij. Dhe ky është thelbi e për këtë gjej rastin t’i përgëzoj edhe ata që kanë kontribuar në formulimin e tekstit, i cili është një tekst që meriton vlerësim.”,- tha Lleshaj.

“Pra është ndërtimi i instrumenteve të përbashkët dhe krijimi i një strukture qendrore, e cila do të ketë për mision monitorimin e përpjekjeve të përbashkëta, koordinimin e tyre, është vlera e shtuar në këtë proces. E rëndësishme është që kjo strukturë të bëhet eficiente një orë e më parë dhe secili prej nesh duhet të mbështesë fort funksionimin e saj për arsye se ky për mua është kyçi, – një strukturë e përbashkët që na bën që ta shohim së bashku gjendjen, ta monitorojmë në mënyrë të përbashkët, të raportojmë dhe të analizojmë në mënyrë të përbashkët si dhe të shkëmbejmë praktikat më të mira e të koordinojmë gjithë veprimtarinë në funksion të këtij qëllimi.”,- tha ministri Lleshaj.

“Ministria e Brendshme, strukturat e saj do të jenë plotësisht në funksion të zbatimit të këtij memorandumi, duke angazhuar gjithë kapacitetet njerëzore, logjistike etj., me besimin e plotë që përmes kësaj rruge ne do të arrijmë të bëjmë një ndryshim cilësor në qasjen tonë në luftën kundër krimit. Dhe do të kemi mundësi që së shpejti të mund të raportojmë suksese të dukshme.”,- tha ai.

“Unë mund t’ju them që Ministria e Brendshme, Policia e Shtetit e ka në prioritetin e parë, – me diferencë nga të tjerët, është lufta kundër krimit ekonomik-financiar dhe pastrimit të parave. Në funksion të këtij prioriteti, janë ndërtuar kapacitete të rëndësishme. Është ndërtuar një njësi e specializuar e luftës kundër krimit ekonomik. Është ndërtuar një njësi tjetër, e informacionit, që është në funksion të mbledhjes së informacionit dhe të përpunimit të tij. Po ashtu edhe një njësi e specializuar e luftës kundër krimit kompjuterik, të cilat në fakt janë të ndërlidhura me njëra tjetrën, por janë 3 kapacitete të reja, të cilat u shtohen atyre ekzistuese.”,- theksoi ministri i Brendshëm.

Lleshaj bëri me dije se Policia e Shtetit po investon në burime njerëzore. “Nga ana tjetër ne po punojmë shumë për të rritur nivelin e burimeve njerëzore të angazhuara në këtë luftë. Kjo është një luftë që bëhet në mënyra të tjera, jo në mënyra tradicionale dhe kërkon stafe profesionale të trajnuara posaçërisht për këtë punë. Në funksion të kësaj ne kemi rekrutuar dy breza studentësh ekselence nga universiteti, të cilët janë diplomuar në ekonomi, financë, bankë, informatikë dhe kanë kaluar një cikël gati 1-vjeçar trajnimi në Akademinë e Sigurisë në fushën e hetimit.”,- tha Lleshaj.

“Tashmë besojmë që me këto prurje të reja profesionistësh, të kombinuar edhe me profesionistët që ekzistojnë tashmë në strukturat tona, të cilat kanë me vete përvojën, pra duke kombinuar përvojën e më të vjetërve me ekspertizën, vrullin dhe energjinë e re të të rinjve, duke i futur në kuadër strukturash të përshtatshme, edhe si kjo që po bëjmë sot, ne besojmë që do t’i japim një impuls të ri të rëndësishëm luftës kundër krimit në tërësi dhe atij ekonomik-financiar në veçanti.”,- u shpreh ai.

Lleshaj foli edhe për OFL. “Po përmend dhe kontributin e madh që luan në këtë funksion edhe Operacioni Forca e Ligjit, i cili tashmë funksionon në bazë të një ligji të posaçëm, operacion i cili synon në thelb luftën ndaj krimit ekonomik-financiar, ndaj parave të siguruara në mënyrë kriminale dhe aseteve të gjeneruara në rrugë kriminale.”,- tha ai.

“Të gjithë këto instrumente të rinj, jo vetëm që tregojnë një vullnet të ri, por tregojnë kapacitete të shtuara dhe gjithë arti është se si mund që këto kapacitete të shtuara t’i përdorim tashmë. Mund t’i krijosh kapacitetet, por po nuk u përdorën në mënyrën e duhur, ato nuk do sjellin domosdoshmërisht  rezultatin e pritur. Prandaj them që ky memorandum është një instrument i dobishëm dhe e rëndësishme është që vijimi i punës së përbashkët për sendërtimin, për implementimin serioz të tij, në mënyrë të qëndrueshme. Kjo është sfida më e madhe që kemi, qëndrueshmëria në proces.”,- përfundoi Lleshaj.

Nënshkrues të këtij memorandumi ishin edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit Pastrimit të Parave, Drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, Drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe Kryeadministratori i Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuar.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu