Masat kundër COVID-19/ ISHSH ka kryer në total 2 463 inspektime, gjoba për 131 subjekte

0
1343

Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor gjatë gjithë kësaj periudhe ka kryer 2 463 inspektime në gjithë Shqipërinë, duke gjobitur 131 subjekte.

Në një intervistë televizive, Vjollca Braho, drejtore e Përgjithshme e ISHSH-së u shpreh se “pjesa më e madhe e subjekteve kanë realizuar të gjitha masat për të parandaluar COVID-19, por 131 subjekte nuk kanë zbatuar masat dhe i kemi gjobitur”.

“Fokusi kryesor i ISHSH në këto ditë dhe në vijim do të jenë qoftë subjektet e reja që janë hapur, qoftë ato subjekte që janë të përcaktuara në protokollin e kuq si fasoneritë, call center-at, objektet që merren me prodhimin, përpunimin dhe shpërndarjen e produkteve ushqimore, tregtimin e bukës, mishit dhe subjekte të tjera. Kemi kontrolluar edhe subjektet shëndetësore për të parë kushtet në të cilat punohet në këtë situatë COVID-i”, tha ajo.

Masat kryesore, sipas Brahos janë procesi i dezinfektimit që kryhet dy herë në ditë, si dhe masat e tjera si maskat, dorezat, dezinfektuesit. Po ashtu ajo tha se duhet të respektohet edhe distancimi social prej 2 metrash në vendet e punës.

“Janë 762 subjekte fason. Kemi kapur me shkelje 35 subjekte ndaj të cilave janë marrë masa administrative, vetëm në Krujë janë mbyllur 6 fasoneri pasi ka pasur punonjës të infektuar. Ndërsa një fason është mbyllur si rezultat i kushteve jo të mira higjieno-sanitare. 4 fasoneri në Gjirokastër gjithashtu nuk kishin marrë masat. Më pas i kanë realizuar këto masa dhe është bërë hapja e aktivitetit. Distanca nuk ka qenë problematike, fillimisht u la 1 metër e gjysmë dhe tani është vendosur 2 metra”, tha ajo.

Ajo tha se ISHSH ka njësinë e vet dhe në aeroportin e Rinasit, ku kryen kontrollin e të gjithë udhëtarëve që futen në vendin tonë.

“Bëhet monitorimi i matjes së temperaturës, bëhet një pyetësor dhe plotësohet skeda për çdo udhëtar. Nga 18 prilli dhe deri sot janë riatdhesuar 1 296 persona. Përmes policisë merren me autobusë dhe çohen në hotelet e përcaktuar. Edhe në hotele bëhet inspektimi çdo ditë për kushtet higjieno-sanitare dhe masat mbrojtëse”, tha ajo. /ATA

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu