Leja e peshkimit zgjatet në 10 vjet, zënia e cironkës ndalohet nga 20 prilli deri më 20 korrik

0
75

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimt Rural ka miratuar ndryshimet në Rregulloren e re për peshkimin që synojnë lehtësi në zhvillimin e këtij sektori në vendin tonë, paralelisht me mbrojtjen e rasateve dhe shumimin e specieve të peshkut në liqenet e detet tona.

Ndryshimet në rregulloren e re për peshkimin janë botuar në Fletoren Zyrtare dhe parashikojnë zgjatjen me 5 vjet të afatit të vlefshmërisë të lejeve të peshkimit detar, që ushtrohet me mjete lundruese me kuvertë (motobarka ose anije peshkimi), por edhe pa kuvertë.

Vlefshmëria e lejeve ishte në 5 vjet, por me ndryshimet e miratuara vlefshmëria e lejes së peshkimit do të jetë 10 vjeçare dhe do të rinovohet automatikisht me dorëzimin e kërkesës përkatëse të pronarit të anijes së peshkimit.

Gjithashtu ndryshojnë afatet e periudhës të peshkimit në ujërat e liqeneve të Ohrit, Shkodrës dhe të Adriatikut dhe Jonit. Ndalimi për peshkimin e cironkës në liqenin e Ohrit do të jenë nga 20 prilli deri në 20 korrik, nga 20 prill deri më 15 korrik që ishte më parë. Ndërsa në zonat e tjera ujore periudha në të cilat ndalohet peshkimi i cironkës nuk ka ndryshuar.

Sipas rregullores, “në ujërat e liqenit të Ohrit, për 1 muaj brenda periudhës nga 20 prilli deri më 20 korrik nuk do të lejohet peshkimi i krapit dhe në zonat e tjera ujore 1 muaj brenda periudhës 1 prill deri më 1 korrik”.

Me rregulloren e mëparshme periudha e ndalimit të krapit në liqenin e Ohrit ishte nga 20 maji deri më 15 qershor, ndërsa në zonat e tjera ujore nuk përcaktohej ndalim.

Ndryshimet e tjera në këtë rregullore kanë të bëjnë me ndalimin e peshkimit me rrjeta në distancë prej 300 m nga bregu në liqenin e Ohrit dhe në liqenin e Shkodrës dhe 150 m nga bregu për zonat e tjera ujore.

Në peshkimin tregtar artizanal në bregdet, veglat e peshkimit (mbrezhda, njica, kurthe, grepa etj.) hidhen/lëshohen në mbrëmje, në perëndim të diellit dhe ngrihen në mëngjes, në lindje të diellit, sipas orareve të përcaktuara. Ndalohet hedhja e çfarëdolloj rrjete peshkimi deri në izobatën prej 10 m për detin Adriatik dhe deri në izobatën prej 20 m për detin Jon”- thuhet në rregulloren e re të peshkimit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu