Kreditimi i ekonomisë me bazë vjetore u rrit me 7%.
Banka e Shqipërisë bën të ditur se nuk ekzistojnë rreziqe të lidhura me rritjen e shpejtë të kreditimit, që mund të diktojnë marrjen e masave kundërciklike të kapitalizimit.
Guvernatori i BSH-së, Gent Sejko, ka vendosur në fund të muajit shtator që shtesa kundërciklike e kapitalit do të vazhdojë të jetë zero.
Shtesa kundërciklike e kapitalit është një nga shtesat e parashikuara në rregulloren “Për shtesat makroprudenciale të kapitalit”, që u miratua nga Banka e Shqipërisë në Qershor të vitit të kaluar.
Kjo rregullore përcakton një kategori shtesash në treguesin e mjaftueshmërinë e kapitalit, që do të vendosen periodikisht, me urdhër të Guvernatorit. Shtesa kundërciklike në parim ka si qëllim të frenojë një rritje tepër të shpejtë të kreditimit nga sektori bankar. Kur Banka e Shqipërisë çmon se ritmi i rritjes së kredisë mund ta ekspozojë sistemin përballë rreziqeve, ajo mund të vendosë të rrisë nivelin e kërkuar të mjaftueshmërisë së kapitalit. Një shtesë e tillë klasifikohet si kundërciklike. Përmes kësaj ndërhyrjeje, bankat detyrohen të ngadalësojnë kreditimin ose në alternativë të rrisin kapitalin e tyre rregullator.