Konferencë rajonale në Portin e Durrësit/ Jetësimi i ndërlidhjes infrastrukturore në portet e Adriatikut jugor

0
1574

Në kuadrin e Ditës Ndërkombëtare të Detarisë, Porti i Durrësit mirëpriti konferencën rajonale të projektit SAGOV, mbi rolin e porteve në jetësimin e investimeve rajonale për ndërlidhjen infrastrukturore.

I pranishëm në këtë takim ishte dhe drejtori i ri i Sekretariatit të Përhershëm të Komunitetit të Transportit, Matej Zakonjšek. Takimi u fokusua në bashkëpunimin e porteve shqiptare, malazeze dhe italiane në jetësimin e ndërlidhjes infrastrukturore të korridoreve europiane të transportit (TEN-T core network).

Në fjalën e mirëseardhjes, Drejtori i APD-së, Pirro Vengu, prezantoi kontributin e porteve të Adriatikut në përballimin me sukses të vëshirësive me të cilat transporti detar u ndesh në kohën e pandemisë.

“Këtë vit Porti i Durrësit ka investuar shumë në dixhitalizimin e shërbimeve portuale dhe automatizimin e disa proceseve, për të lehtësuar punën e operatorëve dhe përdoruesve të portit”, u shpreh Vengu.

“Angazhimi i Shqipërisë në kuadër të Procesit të Berlinit për jetësimin e prioriteteve europiane të transportit ka mundësuar gjithashtu mbështetje financiare dhe teknike për disa projekte kyçe që po zbatohen tanimë nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, me ndihmën e BE, BERZH dhe WBIF, mes të cilëve është dhe rehabilitimi i infrastrukturës portuale”, nënvizoi Vengu.

Pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e investimeve që po realizohen në Shqipëri, si Rruga e Arbrit, finalizimi i segmentit shqiptar të Korridorit Blu dhe nisja së shpejti e punimeve për hekurudhën Tiranë-Rinas-Durrës, investime këto që forcojnë rëndësinë e Durrësit si nyje logjistike rajonale.

“Dita Ndërkombëtare e Detarisë është momenti ideal për të takuar aktorët kryesorë të transportit detar rajonal”, e filloi fjalën e tij Zakonjšek.

Pasi përmendi rëndësinë e porteve në axhendën europiane të ndërlidhjes infrastrukturore,  Zakonjsek renditi pikat kryesore ku do të fokusohet mandati i tij në krye të Sekretariatit të përhershëm të transportit.

Koordinatori i Projektit “Mirëadministrimi i ndërlidhjes infrastrukturore në Adriatikun jugor”, Ardian Haçkaj nga Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim, prezantoi konkluzionet kryesore të hulumtimeve të kryera nga specialistet e projektit SAGOV, si dhe disa nga arritjet në lëmin e koordinimit institucional mes tre vendeve.

Otasevic nga Ministria e Transportit dhe Çështjeve Detare në Malin e Zi prezantoi politikat malazeze të transportit detar dhe kontributin e porteve malazeze në axhendën e ndërlidhjes rajonale. Ai përmendi si shembuj pozitivë bashkëpunimin në organizimin e korridoreve të gjelbër dhe menaxhimin e përbashkët të stacionit hekurudhor të Tuzit.

Prof. Bergantino shpalosi veçantitë e Pulias dhe të Italisë si vend anëtar në ciklin e planifikimit të politikave, përputhjen mes interesave të jugut të Italisë dhe të vendeve të Adriatikut jugor për kthimin e kësaj zone në një udhëkryq të rëndësishëm të transportit detar europian.

Konferenca do të pasohet nga një seminar i ekipeve teknike të tre vendeve për planifikimin e politikave dhe të projekteve të infrastrukturës detare rajonale.

Konferencë rajonale në Portin e Durrësit/ Jetësimi i ndërlidhjes infrastrukturore në portet e Adriatikut jugor 1 Konferencë rajonale në Portin e Durrësit/ Jetësimi i ndërlidhjes infrastrukturore në portet e Adriatikut jugor 2

Konferencë rajonale në Portin e Durrësit/ Jetësimi i ndërlidhjes infrastrukturore në portet e Adriatikut jugor 3 Konferencë rajonale në Portin e Durrësit/ Jetësimi i ndërlidhjes infrastrukturore në portet e Adriatikut jugor 4 Konferencë rajonale në Portin e Durrësit/ Jetësimi i ndërlidhjes infrastrukturore në portet e Adriatikut jugor 5

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu