“Kodi ajror” sipas standardeve ndërkombëtare/ Balluku: Dokument me rëndësi për një industri në rritje në vendin tonë

0
49

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, u shpreh sot se, ndryshimet në “Kodin ajror” shqiptar sipas standardeve ndërkombëtare, e përbëjnë atë një dokument të rëndësishëm, për një industri në rritje në vendin tonë, siç është sektori ajror”.

Gjatë fjalës së saj në Kuvend, mbi projektligjin për “Kodin ajror”, Balluku tha se, që në gjenezë industria e aviacionit ka qenë e rregulluar sipas regjimeve ndërkombëtare, për shkak të rreziqeve që lidhen me operimet e një avioni. Sot ky sektor po gjendet në një presion konstant për shkak të globalizimit dhe liberalizimit, të kësaj industrie vitet e fundit.

Sipas saj, rritja e aktivitetit të transportit ajror dhe zhvillimi i teknologjisë në drejtim të mjeteve ajrore por edhe të infrastrukturës, ka nxitur ndryshime rregullatore të shpeshta në vendet e BE-së e më gjerë.

Në vitin 2018, Bashkimi Europian ka miratuar rregulloren e re për Autoritetin e Aviacionit Civil, për sfidat e parrezikshmërisë në fluturime për 10-15 vite në vazhdim. Autoriteti i Aviacionit Civil me ratifikimin e marrëveshjes shumë palëshe dhe në kuadër të angazhimit shtetëror për të bërë Shqipërinë pjesë të BE-së, po merr masa për ndryshimet përkatëse ligjore sipas standardeve ndërkombëtare, theksoi ministrja.

Balluku solli në vëmendje se ndryshimet e fundit në këtë kod, kanë ndodhur në 2011 dhe duke pasur parasysh tha ajo, evoluimin e legjislacionit europian gjatë kësaj periudhe, këto ndryshime janë sot më se të domosdoshme.

“Disa standarde janë adaptuar nëpërmjet disa akteve nënligjore, por ka çështje që kërkojnë ndryshime ligjore. Projektligji për Kodin Ajror që propozojmë sot për miratim është i plotë, i përditësuar dhe me ndryshimet e fundit të kuadrit rregullator europian dhe i pasuruar me parashikimet e munguara deri më tani.

“Disa nga risitë e këtij projektligji janë, qartësimi i marrëdhënieve mes Enteve që ofrojnë shërbime në fushën e aviacionit civil dhe që do të zbarojnë këtë ligj pikërisht të rekomanduara në pikat 2 të nenit 6. Gjatë kohës së pandemisë kemi parë qartësisht që është kërkuar një rregullim apo një lejim për përjashtimin siç ishte në rastin e licencave të cilat kanë parashikime kohore për orët e punës që zhvillohen nga pilotët apo nga kontrollorët e trafikut ajror dhe na është dashur të ndërhyjë për shkak të pandemisë duke qenë se volumi i trafikut është zvogëluar ndjeshëm. Kështu që mundësia e lejimit të përjashtimit është një pikë shumë e rëndësishme që gjen akomodim në këtë kod”- deklaroi Balluku.

Deputetja e PS-së Eglantina Gjermeni tha se legjislacioni shqiptare në transportin ajror është kryesisht në përputhje me legjislacionet e BE-së.

“Nisur nga dinamikat e ndryshimeve të legjislacionit europian të transportit ajror dhe të rekomandime të organizmave ndërkombëtar për avionin civil, lindi nevoja e përditësimit të legjislacionit në këtë fushë duke përmbushur një të njëjtën  kohë detyrimet për Shqipërinë në kuadër të integrimit europian”, tha ajo.

Po ashtu, Gjermeni tha se “risitë kryesore të këtij Kodit Ajror janë; plotëson mangësitë evidentuara nga auditimet e Organizatave Ndërkombëtare të Aviacionit Civil. I mundëson Autoritetit të Avionit Civil si institucioni mbikëqyrës për Aviacionin Civil në Shqipëri të realizoje funksionet e tij, qartëson detyrimet e industrisë aviacionit me qëllim garantimin e sigurisë në fluturim, formalizon mes institucioneve të ndryshme,  sanksionon konceptin e përdorimit fleksibël të hapësirës ajrore i cili duhet të zbatohet në tri nivele të menaxhimit të hapësirës ajrore”./ATSH/

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu