Hermès është sot një nga brand-et më të famshme botërore të prodhimit të mallrave luksoz të modës së lartë, i themeluar në 1837. I specializuar në lëkurë, aksesorë, orendi shtëpiake, parfumeri, stoli, orë dhe veshje brandi me kalimin e viteve është kthyer në një nga firmat më të fuqishme që qëndron në krye të piramidës së brand-eve elitare.
Themeluesi i saj, Thierry Hermès lindi në Krefeld të Gjermanisë, nga një baba francez dhe një nënë gjermane. Familja u transferua në Francë në 1828. Në 1837, Hermès organizoi për herë të parë një seminar e paradë parzmoresh në lagjen ‘’Grands Boulevards’’ të Parisit, kushtuar shërbimit të fisnikëve evropianë. Do të ishte ky moment që do të përkonte me lindjen e një prej brandeve më të rëndësishëm të shekujve të fundit. Pas kësaj Hermès krijoi parzmore dhe shalë me cilësi të lartë për tregtinë e karrocave, duke rrëmbyer në ato vite edhe një sërë çmimesh lokalë.
Revolucioni Hermès
Në 1918, Hermès prezantoi xhaketën e parë të golfit prej lëkure me një zinxhir, të bërë për Princin e Uellsit, Eduard.
Gjatë gjithë viteve 1920 kur drejtor i përgjithshëm i firmës ishte Émile-Maurice, ai shtoi aksesorë dhe koleksione veshjesh, duke i dhënë një dimension tjetër natyrës së prodhimeve të brand-it.
Në 1924, Hermès vendosi një seli në Shtetet e Bashkuara dhe hapi dy dyqane jashtë Parisit. Në vitin 1929, koleksioni i parë i veshjeve të grave u prezantua në Paris.
Në vitin 1949, u prodhua parfumi i parë, “Eau d’Hermès”.
Nga mesi i viteve 30’’, Hermès së bashku me ‘’Universal Genève’’ prodhuan një linjë të kronografive të orëve për burra dhe gra (prodhuar në 18K ari ose çelik të pandryshkshëm, si edhe platin).
Biznesi i parfumeve iu shtua si degë brand-it në vitin 1961, njëkohësisht me prezantimin e aromës “Calèche”, të quajtur sipas emrit të një karroce kali me katër rrota, të njohur që nga shekulli i 18-të, dhe që është gjithashtu logoja e kompanisë Hermès që nga vitet 50’’.
Pas këtyre viteve kompania do të investonte edhe më tej në veshje, në prodhimin e modës së lartë, duke u bërë influencuese dhe duke frymëzuar, udhëhequr e paraprirë trendët e modës së kohës.
Produktet e luksit
E njohur për mallrat luksoze, nga viti 2008, Hermès ka rreth 14 nëndarje produktesh që përfshijnë: produktet e lëkurës, shajet, kravatat, veshjet për burra dhe gra, parfumet, orërat, sendet e shkrimit, këpucët, dorezat, setet e kuzhinës, artet dekorative, stoli e bizhuteri të ndryshme.
Në raportin e shitjeve të Hermès rreth 30% e përbëjnë produktet prej lëkure, 15% rrobat, shajet 12% dhe 43% produktet e tjera.
Firma është shumë e lidhur me modelin e saj tradicional të biznesit dhe refuzon prodhimin në masë, linjat e montimit dhe mekanizimin. Mallrat e Hermès pothuajse tërësisht prodhohen në Francë.
Çantat
Hermès është e njohur për çantat e bëra me dorë (handmade). Njëra prej tyre mund të kërkojë 18 deri 24 orë për tu prodhuar. Për shembull, ndërtimi i secilës çante Kelly kërkon 18 orë për tu realizuar plotësisht. Duhet theksuar se lëkurat e Hermès vijnë nga e gjithë bota dhe janë të cilësisë absolute. Konsumatorët aktualisht mund të presin nga gjashtë muaj deri në një vit për dorëzimin e njërës prej çantave. Rastësisht, nëse mallrat prej lëkure të Hermès kërkojnë riparim, pronarët mund të sjellin një send në çdo dyqan Hermès dhe ai do të dërgohet në ‘’Les Ateliers Hermès’’ në Pantin për riparim.
Një tjetër çantë e famshme e Hermes, “Birkin”, u pagëzua me këtë emër sipas aktores angleze Jane Birkin. Pas një takimi rastësor me Jean-Louis Dumas (drejtorin e asaj kohe), ajo u ankua se çanta e saj “Kelly” nuk ishte praktike për përdorim të përditshëm. Si pasojë, ai e ftoi atë në Francë, ku ata bashkë-projektuan çantën në 1984. ‘’Birkin’’ që atëherë është ndoshta çantë më e famshme dhe më e kushtueshme në botë.