COVID-19/ Manastirliu: Qytetarët të zbatojnë masat, qeveria po punon për të gjithë skenarët

0
39

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu tha në një intervistë televizive se qytetarët duhet të zbatojnë me rigorozitet rregullat e distancimit social, si dhe ato të higjienës, pavarësisht përfundimit të gjendjes së fatkeqësisë natyrore, pasi virusi COVID-19 vijon të qarkullojë.

Ministrja Manastirliu tha se virusi COVID-19 është i paparashikueshëm, por qeveria po punon fort dhe i ka bazuar skenarët mbi projeksione.

“Ky virus është i paparashikueshëm dhe ne nuk mund të bëjmë dot plane afatgjatë dhe afatmesëm. Por ajo çka ne ndërtojmë janë skenarë të bazuar mbi projeksione. Ne jemi duke punuar fort, që sa i përket shëndetësisë të kemi gati skenarët edhe për më të keqen, duke shpresuar gjithmonë më të mirën. Por gjithashtu edhe për shkollat, për t’iu përgjigjur jo vetëm me mësimin në shkolla, por edhe me mësimin online dhe për të gjitha ato aktivitete që janë të nevojshme, por që nëse do të duhet të përballemi me një vështirësi, duhet t’i përgjigjemi me një alternim të shërbimeve. Për riizolimin nuk mund të them sot, sepse situata është shumë dinamike dhe nëse një vaksinë do të zbulohet do të jetë shumë më e lehtë. Në rast të mungesës së një vaksine, masat e distancimin fizik, maskat, higjiena personale do të vazhdojnë të jenë masa që do të kenë shumë vlerë, si e vetmja armë që kemi në dorë kundër virusit”, – tha ministrja Manastirliu.

Lidhur me infektimet në QSUT, ministrja Manastirliu shtoi se janë raste sporadike, të cilat sipas saj nuk kanë munguar as në spitalet e vendeve më të zhvilluara si Italia e Gjermania.

Manastirliu tha se vendi ynë ka furnizimet e nevojshme me teste për COVID-19, por strategjia e ndjekur “Smart Testing”, ka bërë që në fillim të ishin më pak teste dhe tani në rritje sipas një strategjie të mirëpërcaktuar.

“Ne kemi furnizim të tamponëve në vazhdim. Nuk është vetëm çështja e testimit në vetvete. Por është edhe ‘smart testing’, ne testojmë për të ndërprerë zinxhirin e infeksionit. Nuk do të ketë mungesë të testimeve molekulare dhe po hapim një laborator për testim molekular në QSUT. Kemi një plan për ta shtrirë, por po bëjmë testim, sipas një strategjie për të këputur zinxhirin e infeksionit”, – tha ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Manastirliu tha se, disa aktivitetet do të vijojnë të mbeten të mbyllura, si dasmat, këndet e lojërave në ambiente të mbyllura, kinematë dhe teatrot.

“Heqja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore do të thotë se nuk ka rikthim mbrapa në mbylljen dhe kufizimin e lëvizjes, por kjo nuk do të thotë se gjendja e pandemisë ka përfunduar. Ndaj qëndrojnë të gjitha masat në kuadër të gjendjes së epidemisë, që janë vendosur për të mos lejuar përhapjen. Kufizimet që mbeten në fuqi janë ato që lidhen me aktivitete që kanë risk të lartë, klubet e natës, këndet e lojërave me ambiente të mbyllura dhe pishinat. Gjithashtu kinematë dhe teatrot nuk do të hapen”, – tha Manastirliu.

Sa i takon transportit publik, ministrja e Shëndetësisë tha se, çdo udhëtar do të jetë i detyruar që të mbajë maskë dhe respektimi i protokollit do të monitorohet nga subjektet që do të ofrojnë këtë shërbim. “Normaliteti i ri na dikton që të jetojmë në rregulla të reja dhe sot kërkohet më shumë se kurrë një ndërgjegje e lartë. Vendosja e maskës gjatë përdorimit të transportit publik është një detyrim”.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu