“Projekti i rindërtimit të Bubqit është gati dhe përveç urbanizimit të gjithë zonës do të krijojë edhe kushte për zhvillimin e agroturizmit”.
Kështu u shpreh sot deputetja e Partisë Socialiste, Eglantina Gjermeni, ndërsa ndau edhe disa pamje nga ky projekt.
“Gati projekti i rindërtimit të banesave të familjeve të prekura rëndë nga tërmeti, në njësinë administrative Bubq, të bashkisë Krujë. Në hapësirën e përzgjedhur, do të ndërtohen banesat individuale dhe apartamentet për të strehuar familjet e prekura nga tërmeti”, tha Gjermeni.
Ajo theksoi se “me implementimin e projektit të rindërtimit, do të urbanizohet e gjithë qendra e Bubqit, ku do të ndërtohet shkolla e re me kushte bashkëkohore, një qendër e re e ofrimit të shërbimeve publike, një kënd lojërash për fëmijët, hapësira rekreative për të gjithë komunitetin, si dhe një treg bujqësor për prodhimet e zonës”.
“Njësia administrative Bubq ka hapësira dhe potenciale të mëdha për zhvillimin agroturizmit, kështu që ky projekt i rindërtimit do të krijojë kushtet për zhvillimin e tij”, tha Gjermeni./ATA