Forumi Ekonomik i Tiranës : Të frenojmë ikjen e të rinjve. Përmirësimi i klimës së biznesit domosdoshmëri

0
1307

Sfidat e zhvillimit ekonomik, klima e biznesit dhe investimet e huaja ishin disa nga temat kryesore të diskutuara sot në Forumin Ekonomik të Tiranës, me pjesëmarrjen e aktorëve vendimmarrës dhe të biznesit vendas dhe të huaj.

Në fjalën përshëndetëse, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u shpreh se ky forum zhvillohet në një moment shumë të veçantë për Shqipërinë. Ai nënvizoi se Tirana ka potenciale për një zhvillim të qëndrueshëm të biznesit dhe se biznesi ka gjithë mbështetjen e qeverisë shqiptare për përmirësimin e klimës së të bërit biznes.

Veliaj  përmendi faktin se në Kashar do të krijohet zona e lirë ekonomike, ku hapësira prej 80 hektarësh do të jetë në dispozicion të investitorëve strategjikë, për t’i dhënë një impuls tjetër zhvillimit ekonomik të gjithë qytetit.

Ndërsa kryeministri Edi Rama theksoi se do të bëhet një ndarje e qartë në trajtim midis bizneseve të parregullta dhe sipërmarrjeve të rregullta dhe çdo aset i vendosur në rrugë jo të rregullt, do të konfiskohet.

Ministrja e Financave, Anila Denaj bëri një pasqyrë të pritshmërive të  ekonomisë gjatë vitit 2020, ku foli edhe për efektet që do të ketë procesi i rindërtimit.

Forumi Ekonomik i Tiranës ofron mundësi për të identifikuar dhe vlerësuar adoptimin e praktikave të inovacionit social në sektorin privat dhe për të identifikuar një kurs veprimi politikash drejt ekonomive më konkurruese dhe gjithëpërfshirëse në Shqipëri dhe Evropën Juglindore.

Forcimi i bashkëpunimeve rajonale, të rinjtë dhe frenimi i ikjes, reforma në drejtësi në fushën e pronës ishin disa nga diskutimet kyçe të takimit, ku nuk mungoi as prezenca e ambasadorëve të diplomacive të atashuara në vendin tonë.

 

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu