Forcimi i kapitalizimit të bankave/ BSH rrit raportin e levës financiare në 5.75%

0
80

Banka e Shqipërisë ka marrë masa për forcimin e kapitalizimit të sistemit bankar, për të siguruar që bankat tregtare në vend të jetë sa më të mbrojtura ndaj goditjeve eventuale.

Rregullorja e re e hartuar nga BSH-ja, që hyn në fuqi në vitin 2021, është në vazhdën e forcimit të kërkesave rregullatore të kapitalizimit dhe parashikon të vendosë një parametër të ri rregullator për bankat tregtare, “Raportin e levës financiare”.

Ky tregues llogaritet si raport mes kapitalit të nivelit të parë dhe ekspozimeve totale të bankës.

“Kapitali i nivelit të parë përfshin kapitalin e paguar të bankës, primet e aksioneve, fitimet e periudhës dhe ato të pashpërndara, si edhe rezervat. Raporti i levës financiare duhet të jetë të paktën 5.75%, si mbi baza individuale, ashtu edhe në nivel të konsoliduar për grupin financiar”, citon rregullorja e BSH-së.

Ndërsa një tjetër projekt rregullore e propozuar së fundmi, ajo për mbikëqyrjen e konsoliduar, parashikon që raporti mes kapitalit bazë të nivelit të parë dhe aktiveve të ponderuara me rrezik të rritet nga 4.5% në 6.75%, ndërsa raporti mes kapitalit të nivelit të parë dhe ekspozimeve me rrezik rritet nga 6% në 9%.

Situata e krijuar nga COVID-19 dëshmoi mbi rëndësinë e nivelit të mirë kapitalizimit që duhet të kenë bankat.

BSH-ja bën të ditur se, raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit, sipas statistikës më të fundit zyrtare dhe që i takon muajit mars, ishte në nivelin 19.1%, ndjeshëm më i lartë se kërkesa minimale prej 12%.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu