Një ekip i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), i udhëhequr nga Jan Kees Martijn, përfundoi diskutimet shtesë me Shqipërinë në konsultimin e Artikullit IV 2019. Raundi i parë i këtyre diskutimeve u mbajt në Nëntor 2019, por pas tërmetit në fund të Nëntorit, ndryshimet në perspektivën ekonomike dhe politikat ekonomike kërkuan diskutime të reja. Në përfundim të këtij misioni, i cili u zhvillua gjatë 9-13 Mars, FMN bëri dhe deklaratën në faqen zyrtare.
“Tërmeti që goditi Shqipërinë më 26 Nëntor pritet që të ngadalësojë ekonominë në 2020, ku as efekti i rindërtimit apo sektorëve të tjerë si turizmi nuk mund të amortizojë këtë efekt. Nëse i shtohet kësaj edhe shpërthimi global i koronavirusit, ekonomia pritet të ngadalësohet akoma dhe më shumë dhe do të godasë turizmin. Sa i fuqishëm do të jetë ngadalësimi, këtë ende e kemi të paqartë”.
FMN rekomandon që qeveria të orientojë politikat në sektorin shëndetësor dhe të krijojë burime për të mbështetur shtresat më të prekura nga efektet e koronavirus.
“Politikat duhet të orientohen për të mbrojtur qytetarët gjatë shpërthimit të virusit COVID-19 duke siguruar që sektori shëndetësor ka burime të mjaftueshme dhe duke mbështetur me të prekurit. Politika monetare duhet të jetë e përshtatshme që të mbështetë rritjen ekonomike. Ne jemi gati të vazhdojmë dialogun me autoritetet për të ndihmuar reduktimin e impaktit të virusit në ekonomi”.
Deri tani FMN nuk ka vlerësuar në mënyrë konçize se sa do të japë goditjen pandemia e koronavirus në shkallë globale, por ditët e fundit ka pranuar efekte të mëdha të saj duke alokuar një fond ndihme prej 50 miliardë Dollarësh për reduktimin e tyre, ndërsa vetë ka vendosur të bëhen virtualisht mbledhjet e pranverës.
FMN pohon gjithashtu se, qeveria duhet të bëjë shumë kujdes me amnistinë fiskale. “Një program i mundshëm i zbulimit të pasurive, siç u njoftua kohët e fundit nga autoritetet, që synon ringjalljen e ekonomisë do të duhet të zbatohet me shumë kujdes.Eshte e nevojshme të krijohen sisteme efektive për të zbuluar evazionin dhe për të parandaluar mundësitë për pastrim parash dhe korrupsion.”