Nga 1 janari, të gjitha bizneset që kanë marrëdhënie me shtetin do të lëshojnë vetëm faturë elektronike si dokumentacion të vlefshëm tatimor, në bazë të ligjit të ri për fiskalizimin. Ky është hapi i parë për vënien në funksionim të sistemit të ri të fiskalizimit, i cili do të ndryshojë rrënjësisht mënyrën se si bizneset sot kryejnë faturimet.
Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Delina Ibrahimaj siguron se të dhënat e tatimpaguesve do të jenë të mbrojtura dhe se prodhuesit e software nuk do të kenë akses në të dhënat e Administratës Tatimore.
“Nuk ka asnjë rrezik. Për sa i përket përdorimit të termave dhe kushteve të Platformës Qendrore të Faturave, certifikimet teknike të sistemit janë të bazuara në parimin e konfidencialitetit, i cili do të jetë i ruajtur në çdo rast, ashtu si më parë, pasi prodhuesit e Software nuk do të kenë akses në të dhënat e AT, vetëm nëse tatimpaguesi u jep këtë mundësi”, deklaroi Ibrahimaj gjatë një interviste në medie.
Përmes Fiskalizimit, tha Ibrahimaj, Administrata Tatimore do të ketë mundësinë të kontrollojë në kohë reale të gjitha faturat që lëshohen si me para në dorë ashtu dhe pa para në dorë, për të shmangur evazionin fiskal.
Ibrahimaj tha se reforma e fiskalizimit do të mundësojë një rritje prej 15% të të ardhurave tatimore.