Pensionistët që duan ta marrin pensionin në banesë duhet të aplikojnë pranë Postës Shqiptare që t’u mundësohet ky shërbim.
Në kuadër të masave të marra si pasojë e situatës së krijuar nga përhapja e COVID-19, është evidentuar në disa zyra postare krijimi i radhëve dhe mos zbatim i protokollit të masave të sigurisë nga qytetarët. Posta Shqiptare i bën thirrje të gjithë pensionistëve dhe qytetarëve që marrin shërbime postare-financiare në zyra postare, të respektojnë protokollin e masave sipas udhëzimit të miratuar nga Ministria e Shëndetësisë, duke ruajtur distancimin fizik dhe duke mbajtur masat mbrojtëse.
Posta Shqiptare, në kuadër të parandalimit të radhëve të gjata apo ndonjë mundësie infektimi në këtë situatë të pazakontë, njofton se prej disa vitesh, ofron për të gjithë pensionistët shërbimin “Shpërndarja e pensionit në adresë”.
Drejtori i departamentit të Zhvillimit dhe Standardeve pranë Postës Shqiptare, Vangjush Andoni, në një prononcim për mediat, tha se, “Posta Shqiptare ka arritur të menaxhojë me sukses shpërndarjen e rreth 500 mijë pensioneve në muaj, në adresë të çdo pensionisti, në të gjithë Shqipërinë, në kushtet e parandalimit të përhapjes së COVID-19, tek grupmosha më e rrezikuar, pensionistët”.
“Pensionistët që dëshirojnë që pensioni t’ju shpërndahet në adresë, të aplikojnë pranë zyrave postare për përfitimin e shërbimit të shpërndarjes së pensionit në banesë. Pensionisti ose një anëtar i familjes së tij mund të paraqitet në zyrë postare, të plotësojë një formular aplikimi për përfitimin e këtij shërbimi dhe pensioni do të shpërndahet sipas grafikut të përcaktuar nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore”, – tha ai.
“Posta Shqiptare dhe punonjësit e shërbimit janë në dispozicion të qytetarëve për të asistuar në përfitimin e këtij shërbimi”, deklaroi Andoni./ATA