Nga Fatima Gorezi
Irsida Tafaj është themeluese e ‘’Chicarti ‘’, një nisëm për të sjellë pranë klientit një brand ndryshe nga të tjerët, që në qendër të vëmendjes ka për qëllim të shfaq veçantinë e punimeve ‘handmade’.
Pasioni i saj për tregtimin e punimeve të bëra me dorë dhe që flasin për kulturën dhe traditën shqiptare, ishin udhëheqëse në rrugëtimin e saj të suksesit, detaje të të cilës ajo i ndan edhe me ”Star Business” në këtë intervistë.
Si lindi tek ju ideja për të hapur një dyqan të tillë? Çfarë ju motivoi?
Duke qene se nga fëmijëria ime unë jam rritur në një ambient tregtar familjar, i lidhur ngushtë me tregtimin e bizhuterive dhe aksesorëve estetikë femëror nuk është rastësore që sot jam këtu . Për ta plotësuar këtë profil, përfundova dhe studimet në fushën e biznesit dhe marketingut brenda Shqipërisë. Në vitin 2014 vendosa të hap një brand me emrin CHICARTI , kuptimi i të cilit nënkupton “art elegant”. I filluar si koncept i bizhuterive të thjeshta dhe më pas në rritje të cilësisë vendosa të ringrihem në një profil argjendarie, në gurë natyral dhe punime artizane të filigranit, një traditë e Shqipërisë kjo e fundit, por e zhvilluar kulturalisht edhe në shtete te tjera si: në Greqi, Çeki , Peru etj. Duke qenë se patëm dhe një ndryshim të zonës lokale të dyqanit tonë, erdhëm brenda Kalasë së Tiranës; menduam që dhe target-grupi dhe kërkesa do ishte më e madhe për bizhuteri artizanale të bëra me dorë dhe kështu u përqendrova në pjesën e bizhuterive ‘handmade’. Pasioni për punën dhe për produktet e veçanta dhe unike që po shihja më ‘’detyruan’’ më pas të filloja dhe punën si artizane në kombinime të gurëve natyralë.
Cilat janë produktet më tipike në dyqanin tuaj dhe njëherësh të preferuarat e klientëve?
Produktet më tipike në të cilat kemi fokusuar biznesin tonë janë punimet e dorës të bëra në argjend në detaje kristalesh natyrale të cilat kanë secila emërtimet dhe vetitë e tyre. Ne këto kristale i kemi ndërthurur në aksesorë të filigranit të cilat janë të artizanëve të Shqipërisë që i realizojnë. Ndërsa gdhendjet në guaskë janë punë e artizanisë italiane. Kemi edhe perlat e kultivuara të mbledhura nga ujërat e ëmbla të liqeneve, ato kokërr rrumbullak dhe ato barok. Më ekskluzive janë suveniret e bëra me dorë nga një artizan 20 -vjeçar kosovar i cili e ka filluar këtë lloj pune e pasioni që 10 vjeç dhe realizon punime në materialin e filigranit.
Çfarë blejnë më shumë shqiptarët ?
Turistët lokalë blejnë pjesërisht, por vendin më të madh e zënë emigrantët shqiptarë të cilët kërkojnë ta ruajnë sadopak kulturalisht traditën.
Ndër produktet më të shitura mund të përmendim punime të filigranit në bizhuteri: vath , varse , byzylyk, unaza.
Të huajt preferojnë çdo gjë që është bërë në filgran siç e thashë më sipër që nga pjatat e kompozuara në fije të holla të filigranit , në suvenire , në bizhuteri zbukuruese femërore dhe çdo gjë tjetër që lidhet me punimet ‘handmade’ të filigranit.
Të jesh në kontakt çdo ditë me të huajt të bën të ndihesh mirë kulturalisht për faktin se sa interes shfaqin për punimet me dorë tradicionale. Kjo të bën të vlerësosh dhe ndihesh krenarë për traditën tonë kombëtare. Ne mundohemi që procesin e filigranit t’ua shpjegojmë hap pas hapi për t’i dhënë rëndësi dhe për ta vlerësuar këtë proces që ka vështirësi dhe kërkon shumë durim nga artizanët tanë.