BSH projekt binjakëzimi me BE-në/ Sejko: Praktikat e bankingut shqiptar sipas standardeve më të mira europiane

0
1212

U zhvillua sot ceremonia virtuale e përfundimit të Projektit të Binjakëzimit “Forcimi i kapaciteteve të Bankës së Shqipërisë në kuadër të përafrimit me legjislacionin e Bashkimit Europian (BE)”.

Ky projekt u prezantua në Dhjetor të vitit 2019 dhe u financua nga fondet e Bashkimit Europian, në kuadër të Instrumentit të Asistencës së Para-Anëtarësimit (IPA II) të vitit 2015, në vazhdimësi të projektit të mëparshëm “Identifikimi i nevojave për përafrimin e Bankës së Shqipërisë” – konceptuar dhe udhëhequr nga Banka Qendrore Europiane, në partneritet me 11 Banka Qendrore të Bashkimit Europian.

Projekti u zbatua nga Banka e Shqipërisë, Banka e Italisë dhe Banka e Gjermanisë, si dhe disa komponentë të caktuar të tij u zbatuan nga Banka e Francës dhe Banka Kombëtare e Rumanisë. Ai kishte si qëllim parësor, përmirësimin e praktikave të punës të Bankës së Shqipërisë dhe njësimin e tyre me praktikat e Sistemit Europian të Bankave Qendrore, dhe falë trajnimit të ekspertëve të Bankës së Shqipërisë, synoi të sjellë ekspertizën e BE-së dhe përvojën e dy prej vendeve themeluese të BE-së në dobi të Sistemit Bankar Shqiptar, duke ndihmuar kështu në integrimin ekonomik të vendit me BE-në.

Ceremonia e përfundimit të këtij projekti, u hap nga fjalët përshëndetëse të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko; ambasadorit të BE-së, Luigi Soreca; zëvendësguvernatorit të Bankës së Italisë, Daniele Franco; ambasadorit të Italisë në Shqipëri, Fabrizio Bucci; ambasadorit të Gjermanisë në Shqipëri, Peter Zingraf.

Guvernatori Sejko u shpreh se pavarësisht situatës së jashtëzakonshme të krijuar për shkak të pandemisë COVID-19 në pjesën e parë të vitit 2020, nëpërmjet përshtatjes me mënyrën e re, atë të të punuarit në distancë, ia dolëm të përmbushnim projektin me sukses dhe në kohë.

Në vijim, Guvernatori prezantoi një panoramë të Projektit të Binjakëzimit, ku theksoi se ai përfshiu 8 departamente të Bankës së Shqipërisë, duke adresuar çështje të rëndësishme të bankingut qendror, të përmbledhura në 5 komponentë si: mbikëqyrja bankare dhe stabiliteti financiar; politika monetare dhe statistika; kontrolli i brendshëm; sistemet e pagesave; si dhe funksione të tjera, si burimet njerëzore dhe integrimi europian.

Gjatë zbatimit të Projektit të Binjakëzimit u realizuan 105 misione, duke përfshirë 73 ekspertë të bankave qendrore në BE, si dhe një numër të konsiderueshëm punonjësish të 8 departamenteve të Bankës së Shqipërisë. Të gjitha rezultatet e planifikuara në projekt u realizuan plotësisht si dhe secili prej komponentëve të projektit u pasqyrua në një numër rezultatesh të matshme, në formën e dokumenteve rregullatore. U hartuan 29 dokumente të ndryshme, si rregullore, akte nënligjore, manuale dhe udhëzues.

Guvernatori Sejko shtoi se ndërmarrja e projekteve të tilla nënvizon qartazi angazhimin reciprok të BE-së dhe të Shqipërisë në drejtim të thellimit të proceseve integruese me objektiv kryesor përafrimin e kuadrit ligjor, rregullator dhe operacional të Bankës së Shqipërisë, me atë të Sistemit Europian të Bankave Qendrore.

Më tej, Guvernatori nënvizoi se Banka e Shqipërisë mbetet e angazhuar në rrugën e saj për konvergimin e shpejtë me modelin e Sistemit Europian të Bankave Qendrore dhe u shpreh besimplotë se ky është kontributi më i mirë për vendin në procesin e integrimit në Bashkimin Europian – një objektiv strategjik që e kemi përfshirë në planet tona të punës për vitin 2021 dhe më tej.

“Jam i sigurt se bashkëpunimi ynë do të vazhdojë në të ardhmen dhe mbështetja e udhëheqja europiane do të na shoqërojë në çdo hap që hedhim drejt integrimit në familjen e përbashkët europiane”, – shtoi Guvernatori.

Ndërsa ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca në fjalën e mbajtur me këtë rast shprehu gatishmërinë për të vijuar mbështetjen nga BSH-së.

“I gatshëm për të vazhduar mbështetjen e Bankës së Shqipërisë, një aktor thelbësor në procesin e integrimit në BE të Shqipërisë. COVID-19 përfaqëson një sfidë të paparë për Shqipërinë për sa i përket rritjes ekonomike dhe stabilitetit financiar”, – tha Soreca.

“BE ka siguruar më shumë se 230 milionë euro mbështetje financiare për Shqipërinë për të ndihmuar rimëkëmbjen ekonomike dhe për të mbështetur përfshirjen sociale. Edhe një herë, theksoj solidaritetin europian dhe angazhimin e vendosur ndaj Shqipërisë”, – u shpreh ambasadori Soreca.

Ambasadorët gjatë fjalës së tyre, vlerësuan punën e bërë nga Banka e Shqipërisë në drejtim të ruajtjes dhe garantimit të sistemit financiar në vend, sidomos në këto kohë të vështira të krijuara nga pandemia e COVID-19.

Ata theksuan se, nëpërmjet instrumenteve të politikës monetare Banka e Shqipërisë ka luajtur një rol thelbësor, duke ofruar në vazhdimësi stimujt e nevojshëm ekonomikë. Gjithashtu falë masave të marra nga Banka e Shqipërisë janë krijuar premisat për një rimëkëmbje sa më të shpejtë të ekonomisë në periudhën vijuese. Ndër të tjera, ata shtuan se Banka e Shqipërisë është një institucion që ka luajtur një rol të spikatur nëpërmjet kontributit të vazhdueshëm të dhënë në rrugën e integrimit europian të vendit.

Në përfundim, ambasadorët përgëzuan Bankën e Shqipërisë për përfundimin me sukses të Projektit të Binjakëzimit “Forcimi i kapaciteteve të Bankës së Shqipërisë në kuadër të përafrimit me legjislacionin e Bashkimit Europian” pavarësisht sfidave të vitit 2020. 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu