Bledar Shella, CEO i Banka OTP Albania: Ne synojmë të bëhemi një bankë lider duke patur klientin në mendje

0
2574

“Sfida jonë kryesore për të ardhmen është të bëhemi një nga bankat kryesore në sistemin bankar shqiptar. Kjo duhet të shkojë paralelisht me rritjen e bazës së klientëve tanë dhe duke ofruar atyre më shumë mundësi financimi per ta.Strategjia për ta arritur këtë është duke punuar vazhdimisht për të përmirësuar veten tonë dhe duke u ofruar klientëve tanë shërbimin më të mirë në treg. ” Kjo deklaratë u bë nga Drejtori i Përgjithshëm i OTP Bank Albania, Bledar Shella në një intervistë ekskluzive për STAR BUSINESS.

Banka OTP Albania është duke mbyllur vitin e saj të parë në Shqipëri, i cili është një vit në rritje.  Kujt do t’ja atribuoni rritjen e deritanishme?

Viti që lamë pas ishte padyshim një vit i mbushur me sfida dhe momente historike. Objektivat kryesore për këtë vit ishin dy: procesi i integrimit me Grupin OTP dhe rezultatet financiare. Jam shumë krenar që të dy këto objektiva u arritën me sukses. Ky rezultat ishte kryesisht për shkak të punës së palodhur, përqendrimit dhe profesionalizmit që ekipi në Bankën OTP Albania ka treguar gjatë gjithë këtij viti. Gjithashtu, ndërmjet faktorëve të tjerë për këtë sukses nuk duhet lënë pa përmendur edhe forca, ambicja dhe kultura e përgjithshme korporative e stafit tonë.

Si do t’a vlerësonit performancën e Bankës OTP Albania? Cilat janë kontrollet e brendshme që jeni duke zbatuar për të siguruar që çdo objektiv është realizuar me një standard të kënaqshëm?

Banka OTP Albania raportoi një rritje mbresëlënëse në të gjitha fushat kryesore të biznesit për vitin 2019. Jam shumë krenar që Banka OTP Albania ka patur rritje përsa i përket përqindjes së saj në tregun bankar shqiptar dhe kthimit të investimit. Gjithashtu, përgjatë vitit 2019 banka ka arritur të ulë përqindjen e kredive të këqija. Rezultatet e vitit të kaluar janë arritur pas konsolidimit të shërbimeve tona ekzistuese, të cilat si rrjedhojë kanë çuar në një efikasitet më të mirë operacional. Siç u shpreha edhe më herët, viti 2019 ishte një vit ndryshimesh dhe një nga gjërat më të rëndësishme ishte që njerëzit të ishin të vetëdijshëm dhe përgjegjës për këto ndryshime. Gjithsecili prej nesh kishte rolin e tij në këtë skenar të madh. Ne pajtohemi me synimet dhe objektivat tona vjetore të një viti më parë dhe sigurohemi që çdo pjesë e tyre të arrihet në kohën e duhur.

Bledar Shella, CEO i Banka OTP Albania: Ne synojmë të bëhemi një bankë lider duke patur klientin në mendje 1

Cilat janë sfidat e së ardhmes? A keni një strategji për t’u përballur me to?

Sfida jonë kryesore për të ardhmen është të jemi një prej bankave kryesore në sistemin bankar shqiptar. Kjo duhet të ecë në linjë paralele me rritjen e bazës së klientëve tanë dhe duke ofruar më shumë mundësi financimi për ta. Strategjia për ta arritur këtë është duke punuar vazhdimisht për të përmirësuar veten tonë dhe duke u ofruar klientëve tanë shërbimin më të mirë në treg. Unë besoj se përvoja e shkëlqyer e klientit përkthehet në besnikëri ndaj markës, rritje të biznesit dhe njëkohësisht, fitim. Unë gjykoj se avantazhi konkurrues i Bankës OTP Albania është pikërisht kjo: Përvoja e klientit.

Banka OTP në Shqipëri është vlerësuar si një stimul për të sjellë investitorët hungarezë në Shqipëri. A shihni ndonjë shenjë të parë?

OTP Bank është jo vetëm banka kryesore në Hungari, por edhe një nga grupet kryesore në vend, e cila operon në segmente të ndryshme të biznesit, si pasuri të paluajtshme, turizëm, financimin e makinave, etj. Hyrja e OTP Bank në një treg të caktuar, pasohet nga hyrja e investitorëve hungarezë në këtë treg. Gjatë fjalimit të mbajtur në një konferencë për shtyp në prill të vitit 2019, Kryetari i Bordit të OTP Bank, Z. Sándor Csányi, vuri theksin në disa fusha kryesore të interesit si agrikultura, bujqësia dhe industria. Gjithashtu, kjo u theksua edhe prej Ministrit të Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Hungarisë, Z. Péter Szijjártó gjatë vizitës së tij të fundit në Tiranë, kur tha se kompanitë hungareze e shikojnë praninë e bankës së tyre në një treg si një çështje besueshmërie. Ne jemi shumë optimistë që prania e OTP Bank në Shqipëri do të ndikojë pozitivisht në rritjen e bizneseve hungareze që investojnë në vendin tonë.

Cilat janë planet për zhvillimin e degëve të Bankës?

Aktualisht, Banka OTP Albania operon përmes një rrjeti prej 37 degësh dhe 78 ATM të hapura në mënyrë strategjike në të gjithë Shqipërinë. Gjatë vitit 2019 kemi hapur dy degë të reja në Tiranë dhe shumë mbetet për të bërë në këtë drejtim. Planet tona për rritjen e bankës do të vazhdojnë edhe gjatë vitit 2020 me më shumë degë të hapura dhe ATM të vendosura në mënyrë strategjike. Qëllimi është të jemi sa më afër klientëve tanë dhe t’u shërbejmë atyre më mirë, më shpejt dhe më me efikasitet.

Bledar Shella, CEO i Banka OTP Albania: Ne synojmë të bëhemi një bankë lider duke patur klientin në mendje 2

Na tregoni më shumë rreth stafit që keni punësuar. A jeni duke investuar në fuqizimin dhe zhvillimin e bankierëve shqiptarë, të cilët do të jenë e ardhmja e kësaj industrie? Dhe sa i rëndësishëm është kultivimi i mjedisit të punës në grup në drejtim të arritjes së qëllimeve përfundimtare të bankës?

Ekipi pasionant dhe profesional i Bankës OTP Albania është aseti ynë më i madh, dhe ne jemi krenarë që kemi një ekip të madh njerëzish të orientuar drejt shërbimit të klientit. Banka OTP Albania do të vazhdojë të investojë edhe më tepër në trajnimin e anëtarëve të ekipit dhe përmirësimin e njohurive të tyre, duke i dhënë atyre njohuritë për t’i shërbyer klientëve tanë në mënyrë më efikase dhe më të sigurt. Fusha jonë kryesore e fokusit do të jetë që anëtarët e ekipit tonë të jenë plotësisht të pajisur jo vetëm me njohuri mbi produktet, por edhe me karakteristika dhe aftësi të tilla si menaxhimin e kohës, zgjidhjen e problemeve dhe komunikimin.

Sipas gjykimit tim, çelësi i suksesit mund të gjendet vetëm nëpërmjet punës në grup, në fuqinë e bashkëpunimit dhe sinergjisë. Kam besim se arritjet tona bankare vijnë si rezultat i kësaj fryme. Në Bankën OTP Albania ne veprojmë si një trup i vetëm drejt një misioni të përbashkët. Kjo është e dukshme në çdo proces biznesi dhe në mjedisin e bankës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu