Një masë e propozuar nga Gjermania, që kushtëzon akordimin e fondeve europiane në respektim të shtetit të së drejtës, e para në BE, u miratua sot nga përfaqësuesit e shteteve anëtare, pavarësisht kundërshtimit të shtatë vendeve, me Hungarinë në krye.
Teksti i propozuar nga Gjermania, që mban presidencën e radhës së Bashkimit Europian, parashikon reduktimin ose pezullimin e fondeve në rast kur shkeljet nga një shtet anëtar të parimeve të shtetit të së drejtës ndikojnë në mënyrë mjaft të drejtpërdrejtë në menaxhimin e shëndoshë financiar të buxhetit të BE-së apo në mbrojtjen e interesave financiare të Bashkimit Europian.
”Ky tekst u miratua me shumicë dërrmuese”, sipas një zëdhënësi të presidencës gjermane, pavarësisht një debati shumë të polarizuar.
Ky mekanizëm duhet të bëhet tashmë objekt i bisedimeve me Parlamentin Europian për t’u integruar në kuadrin buxhetor shumëvjeçar 2021-2027, ende nën negociata mes shteteve, eurodeputetëve dhe Komisionit.
Ky buxhet duhet të miratohet nga eurodeputetët, të cilët kërkojnë një mekanizëm të fortë dhe dekurajues mbi sundimin e ligjit, si dhe nga 27 vendet me unanimitet.
Parimi i kushtëzimit për shtetin e së drejtës u parashikua në marrëveshjen për planin e rimëkëmbjes postCOVID-19 prej 750 miliardë eurosh miratuar nga 27 vendet në Korrik.