“Ne do të vendosim taksën e sheshtë 9 % dhe do të heqim taksën për karburantin”, tha kryetari i PD-së Lulzim Basha, i cili zhvilloi një takim me drejtuesit e shoqatave të turizmit dhe hotelerisë në Shqipëri.
Basha tha se “problematikat e turizmit, si një nga sektorët e prekur më së shumti nga kriza ekonomike dhe pandemia, ishin temat qendrore për të cilat bashkëbisedoi me drejtuesit e shoqatave kryesore të turizmit dhe hotelerisë në Shqipëri”.
“Me natyrën e mrekullueshme dhe mundësitë për ta bërë turizmin shqiptar konkurrues në rajon, është e trishtueshme të dëgjosh se pjesa më e madhe e operatorëve turistikë që operojnë në Shqipëri po shkon drejt mbylljes. Problemeve të përvitshme të taksave të larta apo mungesës së infrastrukturës, këtë vit i është shtuar dhe pandemia. Operatorët kryesorë turistikë shprehën shqetësimin për mbylljen e kufijve për Shqipërinë, çfarë ka bërë që të anullohen edhe prenotimet e bëra për muajin korrik”, tha ai.
“Zero strategji mbështetëse për këtë sektor nga qeveria, zero strategji dalëse nga pandemia. Kjo e ka bërë situatën edhe më të rëndë dhe që po vazhdon të rëndohet çdo ditë. Ndonëse u premtua shtyrja e tatimfitimit, operatorët thanë se në sistem vazhdojnë edhe kamatëvonesat. Shtyrja e kredive nuk u zbatua, por ato u ristrukturuan. Marrja e kredive u bë e pamundur për shumë biznese, edhe pse sipas tyre kreditë nuk janë zgjidhje, pasi shumë prej tyre kanë dhe kredi të tjera të marra më herët dhe që në mungesë të punës e kanë të pamundur për t’i shlyer. Kjo situatë duhet të marrë fund sa më shpejt, sepse ndryshe do të ketë efekt shkatërrimtar për ekonominë dhe papunësinë e në veçanti për mbi 200 mijë qytetarë, që sot e kanë të lidhur punën dhe mbijetesën direkt me sektorin e turizmit”, u shpreh Basha.
Në vijim, Basha tha se “me një plan të qartë, me prioritete të mbështetura nga politika fiskale, investime dhe fonde, ne do ta shndërrojmë turizmin në gjenerator të madh të zhvillimit ekonomik dhe punësimit”.
“Ne do të vendosim taksën e sheshtë 9 % dhe do të heqim taksën për karburantin. Do të vendosim moratorium 1-vjeçar për të gjitha inspektoratet dhe do të ndërtojmë një kuadër ligjor me standarde europiane, për një model europian inspektimi, me zyrtarë që i shërbejnë ligjit”/ATA