Nga Junilda Karanxha
Architect and Head of office at “Archistudio”
Prag festash fundviti përsëri …përsëri!
Për mua personalisht është periudha më e preferuar e vitit…Kultivohet një atmosferë pozitive në ajër e cila vjen e shtohet ndërkohë që countdown-i vazhdon! Dua të mendoj që dhe për pjesën më të madhe tuajën është e njëjta gjë!
Në fakt lexohet shumë qartë që ky është emocion kolektiv dhe sigurisht merr përmasa shumë më të gjera sesa një vend…është një fenomen global…kaq adiktiv (në mënyrën më pozitive të të thënit) sa gati -gati garohet për zbukurimet!
Ndjeshmëria e arkitektit ndaj të bukurës dihet, në fund te fundit arkitektura formëzon ambientit njerëzor! Por privilegjin e të ndjerit të së bukurës dhe festives e kanë të tërë në kohë festash fundviti, pa përjashtim! Petku gati -gati magjepsës i zbukurimeve vesh magjishëm arkitekturën dhe krijon forma të reja, arkitekturë të re të dedikuar festave në absolut! Marr shembullin e parë që më vjen në mendje…dritat e panumërta të vendosura në konturet e një vile, në dritare , çati, dyer, figurat e dashura të Babagjyshit në slitën e tij, elfëve, drerëve, që mbushin oborrin e shtëpisë….magji! Sfilata me dizanje të panumërta pemësh Krishtlindjeje, nga ato me tradicionalet e deri tek më eksravagantet që mund të imagjinohen!
Ju ftoj te shihni skenografinë e mrekullueshme të dedikuar Krishtlindjeve në Galerinë e famshme La Fayette…tjetër dimension!
Tradita e përvitshme e ndezjes së Pemës së Krishtlindjes në Rockfeller New York nuk ka të krahasuar me emocionin që përcjell!
Siç e thashë dhe më lart, gara e kryeqyteteve më të mëdha të globit bëhet përditë e më e fortë duke vënë në dukje që në fund të fundit të bën të ndihesh shumë mirë një atmosferë e tillë!
Sigurisht ne, në të voglën tonë jemi shumë më të ndjeshëm, në shtëpinë tonë të dashur, ku mblidhemi me familjen e miqtë e mirë nuk duhet të mungojë kjo atmosferë pra dhe dekoret që e shoqërojnë! Sigurisht pa dalë nga stili i shtëpisë ku jetojmë pasi janë dekore të përkohshme në fund të fundit, më lejoni të sugjeroj tendencat për 2019- ën!
Figura të tilla si: drerë, arinj polarë , bufe dimri, kuaj që lëkunden, kërpudhat, madje dhe vetë pema e Vitit të Ri mund të shërbejë si ‘personazh’ më vete dekorativ!
Sigurisht nuk mungojnë as këtë vit topat e qelqtë, por me ndryshimin e vogël të të pasurit një teksturë të personalizuar përveç ngjyrës, rrathë koncentrike, rombe të vizatuar mbi ta, vija paralele etj.
Sa i takon teksturave, shumë trend janë copat e buta e gëzofët, imitime gëzofësh të ndryshme , copat e kadifenjta plotësojnë shumë skenare dekorative.
Nuk rrinë prapa kombinimet e stilit art deko ku shohim të zezën të kombinuar me ngjyrën flori apo argjend, risi janë puplat sidomos ato të fazanit në ngjyrat e tyre origjinale…sa dekadente aq edhe ekstravagante.
Për tradicionalistët këshilla është që të mos heqin dorë nga stili që dashurojnë..në fund të fundit klasikja mbetet gjithmonë klasike!
Për natyralistët dhe ata që janë më të prirur ndaj natyrës, degët e pemëve, bohçet e pishave, të kombinuara me globa transparentë apo të bardhë , shoqëruar edhe me dekore të tjera gjithashtu të bardha përbëjnë dezajnin perfekt për 2019-ën!
Gjëja që unë them me bindje është që tani më shumë se kurrë po shkojmë drejt personalizimit të dekoreve ashtu sikurse dhe të shumë elementeve të tjerë në përgjithësi në këtë periudhë që po jetojmë, kjo si derivat i fenomenit të globalizimit!
Të gjitha këto marrin vlerë kur bëhen në familje apo mes miqsh, së bashku!
Të gjithë të impenjuar në zbukurimin e ambientit të shtëpisë p.sh: Ndërkohë që jashtë bën pak ftohtë, në shtëpi është ngrohtë dhe në ajër ndihet një aromë e mirë gështenjash të pjekura!