Antonela Hako – Lead without fear 

0
134

Nga Fatima Gorezi

Hako Sh.p.k është sot një prej kompanive më të mëdha në Shqipëri të prodhimit të mishit. Pas suksesit të kësaj marke të njohur qëndron përkushtimi dhe vizioni jo vetëm i familjes ‘’Hako’’, por  në mënyrë të veçantë edhe i Antonela Hakos. Antonela për më shumë se 20 vjet, ka drejtuar financat dhe sot menaxhon shitjet dhe marketingun ne kompaninë “Hako”. 

Përpos sfidave me të cilat përballet sot ekonomia shqiptare dhe tregu i prodhimit të mishit ajo është optimiste kur mendon për ardhmërinë. E vendosur dhe e përgjegjshme për rëndësinë jetike të produkteve që prodhon, ‘’Hako’’ vit pas viti ka rritur investimet për ta çuar prodhimin ushqimor në shkallën më të lartë të standardit europian, për të përsosur teknologjinë dhe për të shtuar diversitetin e produkteve. 

Elokuente, e qeshur, paksa pragmatiste, si edhe e kuruar deri në detajin më të hollësishëm Antonela rrëfen se si së bashku me bashkëshortin arritën ta kthejnë ‘’Hakon’’ në një histori suksesi. Mes rreshtash Antonela flet për familjen, dy djemtë që janë dobësia e saj,  si edhe raportin shumë special me të motrën, aktoren e dashur për publikun Ema Andrea.  

Hako Sh.p.k është sot një prej kompanive më të mëdha në Shqipëri të prodhimit të sallamit dhe jo vetëm. Themeluar në 1994, Hako është rritur nga një dyqan i vogël në një prej bizneseve më të suksesshme në vend me mbi 200 punonjës. Si ka qenë i gjithë ky rrugëtim në pak fjalë…? 

Rrugëtim si jeta e një njeriu, nga frymëmarrja e parë, dhimbjet e trupit, të qarat, hapat e parë.

Përballja me të papriturat, pjekuria dhe formimi i karakterit, deri kur fillon të jesh i sigurt për rrugën tënde në jetë dhe si do e ndërtosh atë. Kështu me pak fjalë është edhe jeta në 25 vite e Hakos.

Cilat janë kujtimet tuaja më të rëndësishme në këto 25 vite?

Nuk do mjaftonte një interviste për tu përgjigjur. Ishim shumë të rinj kur emigruam. Në vend të huaj mësuam shumë për punën dhe biznesin, sepse të dalë nga diktatura, njohuritë tona ishin veç nga librat.

Shqipëria të ngjallte shpresën për të investuar. Dhe vendosëm të ktheheshim. Nuk e shihnim të ardhmen në vend të huaj. Kthimi pas katër vjetësh kishte risqet e veta, por falë kurajos i kapërcyem.

Kam ndarë këtë eksperience here pas here me lexuesit. Dhe ne fakt nuk do doja t’i lodhja.

Kujtoj veten time që dhe shtatzënë shkoja çdo ditë në punë. Në ditë të rënda kur me binte të fikët, e merrja veten me një kokërr portokall. Dhe ngrihesha përsëri e përsëri në punë. S’kishim mundësi të punësonim shumë personel; kështu që bënim edhe punëtorin edhe menaxhimin edhe ekonomistin. Kanë qenë vite që më rritën. Çdo proces e çdo makineri e kam prekur me dorë, kam punuar pa ndjerë lodhje, me kënaqësinë që po hidhnim në treg çdo vit produkte ndryshe, produkte të reja, produkte që konsumatorët po i pranonin si pjesë të tryezave të tyre.

Kemi kaluar 1997-ën, vit kur të tmerruar menduam të iknim nga Shqipëria. Por a mundeshim që të linim pas si pa të keq, gjithçka kishim investuar? Nuk ishte e lehtë të shkelje mbi ëndrrat.

83152152 175180060395820 261487603369377792 n - Antonela Hako - Lead without fear 

Nga pikëpamja e gruas dhe biznesmenes që e sheh karrierën fort të lidhur me biznesin e sallamerisë, si e shihni tregun e produkteve të sallamerisë në Shqipëri?

Prodhimi është i vështirë, por dhe shumë i bukur. Sot në Shqipëri ka shumë kompani të investuara mirë në prodhimin e sallamerisë, sikurse ka dhe prodhues pa kushte minimale të higjienës.

Sa më lart, konsumatori gjendet gjithmonë nën presionin e cilësisë, sigurisë ushqimore, çmimit dhe zgjedhjes.

Është shumë pak i informuar dhe nën presionin e mediave, konfuzioni arrin kulmin. Për të bërë lajm, për të rritur shikueshmërinë; gjendemi jo rrallë në panik.

Janë të pakët gazetarët, ( ose aspak ) që të vijnë dhe të kërkojnë informacion për të vërtetën, që të hyjnë në sallat e prodhimit e të shohin nga afër sa shumë mundim ka për të prodhuar me standardet e higjienës, që të kërkojnë të njihen me mënyrën se si përzgjidhen lendet e para dhe si “ndiqet” produkti deri në destinacionin final. Askush nuk shkruan që kjo industri sot mban mijëra familje në punë, që ka investime bashkëkohore nga më mirat në Evropë. 

Sikundër, për fatin tonë të keq, ka prodhues pa kushte dhe jashtë vëmendjes së kontrollit. Si të tillë ,ata dalin në treg me produktet e veta jashtë çdo kushti të tregtimit dhe konfuzojnë konsumatorin me çmime të lira.

Si është jeta mes biznesit dhe familjes? Keni pengje… apo gjëra që gjatë rrugës  do të kishit dëshiruar t’i kishit bërë ndryshe?

Vite më parë më ngatërroheshin me njeri-tjetrin. Biznesi me vështirësitë e veta bëhej pjesë dhe në familje dhe shpeshherë merrte orët e fëmijëve. Mërzia dhe lodhja të linin pa  gjumë. Ka pasur ditë të tëra që punonim kaq vonë, saqë fëmijët i linim dhe i gjenim në gjumë.

Pengjet e mia…? Do doja më shumë kohë për nënën time, për motrën dhe tim vëlla. Do doja të kisha kaluar më shumë fundjava me fëmijët kur ishin të vegjël. Do doja më shumë kohë për veten, për gjëra që me kalimin e viteve nuk i bën dot më. 

Do doja që debatet te mos ishin pjese e ditëve të mia, do doja shumë që të mos kisha mbajtur rreth vetes njerëz që më shpenzuan mirësinë dhe ligështuan zemrën time.

Herë pas here ju jeni edhe pjesë e ekranit në intervista, në emisione të ndryshme. Unë ju kam lexuar e dëgjuar disa herë; ka rrëfime aty, por edhe një ndjeshmëri të madhe sociale. Si e sheh Antonela Shqipërinë? Si e shihni jetën sociale sot në Shqipëri. Çfarë mungon dhe çfarë është me tepri?

Shqipëria është vend i bekuar. Por ende nuk po shoh që ta vlerësojmë si tonën. Më dhëmb shpirti kur dëgjoj njerëz që duan të ikin, kur shoh të rinj që të ardhmen duan ta ndërtojnë jashtë.

Sot ka shumë kafe, por pak biblioteka, ka biseda për veshje dhe pushime, por pak biseda për ide të reja dhe pak punë. Sot shohim shumë telenovela, por pak emisione për adoleshentët dhe nevojat e tyre.

Sot jemi mes bollëkut të produkteve, por pak dimë të zgjedhim dhe të ushqehemi shëndetshëm.

Sot harxhojmë kohë në rrjete sociale, por pak në sport dhe në ndihmë të moshave të treta ose njerëzve në nevojë.

Për çfarë do ta linte Antonela sipërmarrjen? A e keni menduar ndonjëherë? Nëse nuk do ishit bërë sipërmarrëse, cili do të kishte qenë profesioni juaj?

Dikur, në rininë time kam pasur dy ëndrra në sirtar: mjeke dhe drejtuese emisionesh në TV.

Është pak e çuditshme dhe për të qeshur sepse janë dy ekstreme, por sot arrij ta shpjegoj. Cilido nga të dy profesionet, do kishte marrëdhënie me njerëzit, do kërkonte përkushtim ndaj tyre . Dhe mua më pëlqen të shërbej për gjëra jetësore, për të shpjeguar, për të trajnuar, unë nuk kam frike të jap nga vetja, nuk kam frikë që dikush tjetër do jetë më i mirë se unë. S’e kam kompleks këtë, më mjafton që çfarë bëj, të vlejë.

Duket se jeni shumë e organizuar, me një axhendë të mirë -skeduluar e të rregullt dhe normalisht me shumë aktivitete gjatë ditës. Çfarë ju motivon që të zgjoheni në mëngjes ? Cila është motoja juaj e përditshme ?

Kam shumë vite që në Hako drejtoj shitjen dhe marketingun. Të dy sektorë dinamikë, që kërkojnë të jesh e rrethuar me profesionistë dhe me njerëz të përkushtuar. Kam fatin që një punë si kjo e imja të bën të krijosh kontakte me klientët, t’i takosh dhe të bisedosh me ta. Dhe gjithmonë ka diçka të re qe mëson, ka gjëra për të përmirësuar, shikon ku je pozicionuar si kompani, çfarë ke bërë mirë dhe sa shumë duhet të lodhesh për tu bërë dhe më mirë. Nuk harroj kurrë motivin : “Ekziston vetëm një boss. Ai është KLIENTI! Ai mund të pushojë këdo në kompani nga drejtori deri tek roja, thjeshtë duke i shpenzuar paratë diku tjetër.” 

Hako ka investuar shumë për emrin e mirë. Parimi që na ka çuar përpara ka qenë ndershmëria me konsumatorin. Sot, pas 25 vitesh, jo vetëm që ruajmë të njëjtin parim, por punojmë që çdo herë të ruajmë dhe përditësojmë me të reja si teknologjinë ashtu dhe standardin.

70444072 758334317953265 1832593164301500416 n - Antonela Hako - Lead without fear 

Ju jeni motra e aktores Ema Andrea, një grua që ka dhënë kontribute dhe e ka shkruar emrin me të arta në gjirin e artistëve shqiptarë, por edhe një antikonformiste e pashoqë (rebele ndaj padrejtësive dhe fenomeneve sociale). Si ka qenë marrëdhënia juaj ndër vite ? Po sot? 

Ema ime është nga të bukurat që fati të dhuron. E unë jam e bekuar për të dhe marrëdhënien që kemi. Më dhemb shpirti kur kujtoj sa shumë është lodhur dhe lodhet Ema. Kur ishte e vogël dhe shprehu dëshirën për në shkollë të baletit, mu duk pak e çuditshme. Rritur nga një nënë mjeke, s’e kishim menduar ndonjëherë lidhjen me artin. Por tani që e kujtoj ditët kur bënte prova dhe konkuronte për tu bërë balerinë. Pas kësaj, në sytë e mia kalonte gjithmonë një vajzë që rritej me pasionin dhe emocionin, shumë e përgjegjshme dhe shumë punëtore. Si më e madhja përpiqesha që të mos e lija të bënte punë në shtëpi. 

Nuk ka pasur asnjëherë oreks, por kishte dëshirë të provonte çdo gjë. Më kujtohen festat e fundvitit. Varfëria na bënte të gëzoheshim me bollëkun e tryezës së festës. Bollëk…të themi! Unë kam gatuar që fëmijë dhe në të tilla ditë më binte barra që të ngulesha në kuzhinë që në mëngjes. Ema më rrinte nga pas dhe sapo mbaroja diçka , ia jepja ta provonte. Pastaj, në darkë shtronim tryezën dhe pinim verë deri sa zbardhte….Shpeshherë e prisnim mëngjesin vetëm të dyja.

Kemi ndarë bashkë pasionin për muzikën klasike, për veshjet dhe ngjyrat. Kemi të njëjtin mendim për faktin që jemi të përkohshëm dhe se mirësia është virtyt.

E adhuroj motrën time në skenë, e adhuroj për sakrificën dhe ka momente që dua të ulërij: ”Sa ia vlejti…?”

Përgjigjen në fakt vazhdon ta japë Ema ime, me artin e bukur që bën.

Përtej botës së biznesit, si është e organizuar jeta juaj? Cila është jeta familjare?  Cilat janë pasionet dhe koha e lirë?

Familja ime është bota ime, fëmijët e mi janë kurora e artë e jetës sime. Kam dy djem si drita e diellit.

Sot të rritur, mund të mbështetem tek ta pa frikë. Ata u rritën nga dy prindër që shembullin më të mirë u dhanë punën. U rritën me dashurinë e gjyshërve të mrekullueshëm. I kemi bërë pjesë të biznesit që të vegjël. Më kujtohet që i merrja në punë gjatë pushimeve verore disa javë. Dhe sigurisht që i përfshinim në procesin e paketimit. I vogli, atëherë shikonte telenovela me gjyshen, e edhe pse e kishim këshilluar që të mos fliste gjatë procesit të punës , nuk pushonte. Midis grave që “ndihmonte”,  fliste e fliste papushim. Kishte raste që shkaktonte dhe të qeshura, dhe atëherë ndihej mirë me veten dhe me punën. Pushimin e drekës dhe konsumin në mensë, që të dy e bënin me grupin ku punonin, në të njëjtën tryezë… Kështu kishin çfarë mësonin gjëra ndryshe nga bota e vet.

Kurrë nuk u plotësuam të panevojshmet, asnjëherë nuk u treguam shembull fëmijësh të tjerë. Këshilla ime ka qenë të behën qytetarë dhe të jenë vetvetja. Vaniteti nuk ka qenë pjesë e rritjes së tyre.

Ju njiheni edhe si filantropiste dhe merrni pjesë në fushata bamirësie e nisma për t’u ardhur në ndihmë komunitetit. Në jo pak raste e bëni këtë larg kamerave apo dritës së prozhektorëve. Mund të ndani si rrallë ndonjëherë me ne detaje më shumë rreth kësaj?

Dikur kam thënë që filantropia nuk bërtitet. Dhe sot vazhdoj të them njësoj. Kam bërë gjëra të vogla që shpresoj që të kenë bërë të lumtur dikë. Jam përpjekur sa kam mundur që tu kushtoj kohë, sepse mendoj që çfarë njerëzit kanë më shumë nevojë sot është koha, përkushtimi, fjala, përkëdhelja, jo vetëm ndihma financiare. Kur shkoj tek qendra e fëmijëve “Ndihmoni jetën”  dhe takohem me zonjën Afërdita, kuptoj forcën e kësaj zonje dhe përkushtimin që i gjithë stafi ka për fëmijët. E pas kësaj çfarë kam bërë është asgjë, sepse koha që ju jap është shumë pak. Po kështu kur takoj Emën e DSA-së, heroike, grua për tu marrë shembull. Përkushtimi i saj dhe “lufta” për fëmijët , më bëjnë të ndihem mirë që jam një pjesëz e vogël e kësaj pune. 

Cili është mesazhi juaj për lexuesit tanë dhe sidomos për audiencën femërore?

Çdo mëngjes adhuroni veten para pasqyrës dhe niseni ditën me besimin që gjithçka do shkojë mirë. Të djeshmes nuk i kthehesh dot, të nesërmen nuk e parashikon dot, e sotmja do motiv që të jetohet bukur.

Mos i lini objektivat pa realizuar dhe nëse diçka nuk shkon mirë, mos u mërzisni, gjithçka rregullohet. Shëndeti është më i rëndësishmi ,veç atë nuk e ble dot. Falni dashuri, dhuroni mirësi dhe mos kërkoni asgjë si këmbim! Kjo ju bën më të lumtur, më besoni.

 

*Marrë nga revista ‘’ Star People’’, versioni print

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu