Nga Fatima Gorezi
‘’Panorama’’ është një nga destinacionet më të kërkuara të turistëve që vizitojnë Krujën. Duke ofruar një pamje pothuajse 360 gradëshe të qytetit historik, hoteli dhe restoranti janë një histori suksesi,të cilët dëshmojnë më së miri traditën, kulinarinë dhe mikpritjen krutane.
I themeluar në vitin e largët 1996, biznesi është zhvilluar ndër vite duke përsosur dhe rritur numrin e shërbimeve për vizitorët vendas dhe të huaj. Ansi Dedja, menaxheri i përgjithshëm ndan me ne disa detaje dhe tregon sesi biznesi e ka përjetuar pandeminë dhe sfidat e saj në turizëm dhe sektorin e shërbimeve.
Kur lindi ‘’Panorama’’ si biznes në fushën e hotelerisë dhe shërbimeve?
Panorama nisi të ndërtohej në vitin 1996 kur pronarët aso kohe ishin refugjatë në Gjermani, ndërsa babai i tyre ishte këtu në Krujë dhe po hidhte themelet e restorantit dhe të hotelit.

Çfarë ka ndryshuar në ‘’Panorama’’ nga viti i largët 1996 deri më tani?
Kur është hapur në fillim fare ka qenë një bar dhe një hotel modest. Nuk ishte kjo godina e madhe që është sot dhe nuk ishte as restoranti. Kemi filluar me picerinë , me një restorant jo të mirëfilltë dhe hap pas hapi është ndërtuar restoranti që është sot. Me kohën ‘’Panorama’’ u bë vendi kryesor për organizimin e dasmave, eventeve të rëndësishme në qytet. Po ashtu ne vazhduam përsosëm cilësinë e gatimeve dhe u bëmë vazhdues të traditës krutane të kulinarisë dhe jo vetëm.
Ndryshuam ne, ndryshuan dhe turistët ndër vite. Kruja ka disa avantazhe dhe ndër më kryesorët është fakti që është afër me aeroportin e Rinasit, në një distancë afro 20 minutëshe. Me kalimin e kohës janë shtuar turistët, falë kjo edhe hapjes së agjensive dhe paketave të ndryshme turistike. Vetëm tek ‘’Panorama’’ ne gjatë periudhës së verës prisnim deri më 1000 turistë në ditë në një sezon normal.
Çfarë tipologjie turistësh vinin kryesisht?
Kemi pasur disa tipologji turistësh. Nga ata që vinin me autobus , vizitonin muzeumet dhe qytetin dhe më pas drekonin tek ne dhe shkonin në bregdet. Kemi pasur një tjetër tipologji, nga ata që rrinin këtu një natë në hotel, shijonin restorantin, vizitonin qytetin dhe largoheshin. Sa i takon kombësisë janë më shumë europianët që edhe na njohin, p.sh: Gjermania, Italia, Franca, Anglia, Polonia etj. Edhe nga SHBA dhe Azia ka pasur turistë, sidomos në vitet e fundit.
Cili është reagimi që merrni nga turistët? Çfarë u pëlqen më shumë në Krujë dhe çfarë u pëlqen më shumë tek ‘’Panorama’’?
Realisht mbesin të mahnitur, jo vetëm nga shërbimi, por mbi të gjitha nga afërsia dhe ndjesia e mikpritjes që ne përçojmë. Vijnë në një vend për të cilin janë skeptikë në fillim. Sigurisht kur vijnë janë më shumë me këtë idenë, që po shkojnë në një vend që është më pak i zhvilluar dhe nuk kanë shumë pritshmëri, por më pas ngelin të surprizuar.
Cila është menuja juaj ?
Pothuajse gjithçka është me bazë mishi. Ne kemi këto antipastat e shpejta, antipastat e shtëpisë që përmbajnë edhe pjesë nga tradita jonë kruatane. Pastaj pjata e dytë është me mish viçi ose qingji. Dhe në fund ne shërbejmë kabuninë, që është ëmbëlsira tradicionale krutane.
Si ka qenë 2020 dhe 2021 për ‘’Panorama’’, në terma ekonomikë dhe të turizmit po ashtu ?
220-ta ishte një vit i befasishëm. Kur ne u hapëm në maj nuk e dinim çfarë na priste, a do të kishim turistë apo jo. U anuluan shumë grupe turistike. Ata që erdhën ishin shumë pak për atë volum që ne ishim mësuar. Ishte goxha e vështirë, po jemi munduar të mbijetojmë si çdo biznes tjetër në Shqipëri.
Ju është dashur të merrni masa tkurrëse, të reduktoni staf ?
Jo. Ia dolëm ta përballojmë, edhe stafin e kemi pasur krahë dhe mbështetje. Pritshmëritë për sezonin e ri të 2021 janë të mëdha. Sigurisht nuk presim të jemi në ritmet e 2019 apo viteve më përpara, por të fillojmë të hapemi gradualisht.
Po përsa i përket hotelerisë çfarë ofron ‘’Panorama’’?
Hoteli përmban 90 dhoma. Kemi dhoma standard, kemi dhoma komfort, kemi suitat. Hoteli është funksional gjatë gjithë kohës, edhe pse mund të themi që numri i turistëve deri më tani ka qenë i pakët.