Klodiana Toptani  – Kalaja e Tiranës, një histori frymëzuese dhe suksesi

0
189

Nga Fatima Gorezi

Kalaja e Tiranës është sot një destinacion strategjik i kryeqytetit, jo vetëm për të kaluar disa ‘’happy hours’’ në shoqërinë e miqve dhe të afërmve, por edhe për t’u informuar dhe të shkëmbyer mes njëri-tjetrit në një kontekst sa social po aq edhe kulturor. 

Pas suksesit të këtij projekti vizionar dhe me perspektivë qëndron përkushtimi dhe vizioni jo vetëm i familjes ‘’Toptani’’, por  në mënyrë të veçantë edhe i Klodiana Toptanit. 

Përpos sfidave me të cilat përballet sot ekonomia shqiptare dhe problemet që kanë rrjedhur si pasojë e pandemisë globale ajo është optimiste kur mendon për ardhmërinë; e vendosur dhe e përgjegjshme për rëndësinë e vizionit të saj, për të sjellë bashkë të renë dhe të vjetrën, traditën dhe kulturën. 

Ju jeni e pjesë e një prej familjeve, emri i të cilëve është i lidhur ngushtë me historinë e kryeqytetit. Si e keni ndjerë ju peshën e mbiemrit? Si përgjegjësi apo privilegj ?

Patjetër është përgjegjësi e madhe, por edhe privilegj. Të mbash një mbiemër me rrënjë kaq të thella, nuk është e lehtë. Janë rrënjë që kanë lënë gjurmë në histori në shumë sfera e duhet të jesh shumë dinjitoz në çdo gjë që bën, duhet t’i mirëmendosh shumë mirë hapat që do të hedhësh dhe duhet të dish vlerën e këtij mbiemri, kjo e fundit i përket privilegjit.

Tirana ka pasur e ka shumë familje të mëdha që kanë vendosur gur në themele të shumë gjërave. Atë jam munduar dhe unë të bëj me Kalanë e Tiranës, me sipërmarrjen e me formën e re që kjo Kala ka marrë. Nuk është e lehtë të drejtosh një institucion vlerash e modelesh, të orientosh shijen, kulturën, artin. Kalaja është shtëpia e të gjithë shqiptarëve kudo që janë. Është derë e modhe thonë tironcit, ka vend për të gjithë.

122081118 453315789173185 6059558718428022250 n - Klodiana Toptani  - Kalaja e Tiranës, një histori frymëzuese dhe suksesi

Prej më shumë se 2 vitesh Kalaja e Tiranës është një hapësirë me disa funksione; ka sjellë një lloj  rigjallërimi si në kontekstin social apo tregtar, por edhe ka sjellë në vëmendje disa vlera kulturore të identitetit tonë  kombëtar. Kur dhe si lindi ky vizion?

Kalaja është institucion. Antivlerat kanë goditur vlerat. Modele të mira po gjenden gjithmonë e më rrallë. Këtë po mundohemi të përcjellim tek njerëzit që na kanë dashur e mbështetur pafund. Kjo na ka dhënë forcë të ecim, të ngrihemi, të ringrihemi e të vazhdojmë rrugëtimin tonë. Ky vizion është proces. Kemi shumë vite që kemi punuar për këtë projekt i cili na është përkthyer për mirë deri tani. Unë nuk jam vetëm e nuk kam qenë vetëm në asnjë moment. Unë kam dy shtylla shumë të forta ku jam mbështetur, që janë dy bashkëpunëtorët e mi të afërt Ari dhe Igli  dhe dua t’i falenderoj nga zemra. Disa njerëz i solli Zoti pranë meje për të përmbushur këtë vizion si Kryetari i Bashkisë Tiranë z. Erion Veliaj i cili ka bërë që ky vend të buzëqeshi, të marrë vlera, të marrë formë. Gjithashtu edhe zj.Mirela Kumbaro dhe zj.Arta Dollani të cilat me përkushtim kanë ndjekur gjithë procesin duke i dhënë Tiranës sonë një vulë të madhe nga ku gjërat morën formë në zinxhir. Po ashtu edhe studion Atelier 4 apo Ergys Krisiko i cili sot ka Galerinë Krisiko në Kala.

2222222222222 - Klodiana Toptani  - Kalaja e Tiranës, një histori frymëzuese dhe suksesi

Prona u kthye tek i zoti dhe shqiptarët po shijojnë një projekt të bukur ku më pak ose më shumë i ndryshon ditën, i jep një qetësi shqiptarëve e ku tironcit vulosën atë që quhet ‘derë e modhe tirone’. Projekti i Kalasë ka patur në thelb ushqimin e shpirtit jo të xhepit, përcjelljen e energjisë pozitive, shkëmbimin e vlerave dhënien dhe marrjen, gjetjen e një oazi qetësie.

Një pikë shumë e rëndësishme është pozicionimi i vet Kalasë dhe rruga që i ka dhënë frymëmarrje, e cila lidh anën e Pedonales me Lanën. Këtu ka histori ku flasin objektet që janë jashtë dhe brenda Kalasë, gjë e cila i jep akoma më shumë vlerë këtij vendi.

Si kanë qenë reagimet?

Shumë pozitive, shumë të mira. Patjetër që ka dhe ka patur mendime të ndyshme, të kundërta, por peshorja anon nga pranimi i këtij projekti. Kalaja është plot me njerëz të bukur, të ëmbël, të mirë të cilët dhe drejtpërdrejt na i përcjellin mesazhet dhe konsideratat nëpërmjet rrjeteve sociale. Na cojnë shpirtin peshë këto mesazhe e na japin forcë të ecim e t’i japim njerëzve një vend të ngrohtë që të ndjehen si në shtëpinë e tyre.

Kjo zonë është bërë si një pikë takimi për familjet e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë , Kosovës, Maqedonisë. Tirana është shumë e madhe tani dhe me këtë shtrirje edhe ne e kemi shumë të vështirë të takohemi. Sot, tek ne i gjen të gjitha në një vend ku kjo përkthehet dhe në kosto kohore. Nëse për të shkuar diku të duhen orë nga trafiku, tek ne ke qendrën, ke gjithcka që të duhet, ke qendra tregtare afër, ke hotele, ke dhe një qytezë të vogël brenda kësaj Tirane të madhe që është Kalaja.

 Cila është tipologjia e bizneseve që janë pjesë e Kalasë?

Bizneset janë unike, të përzgjedhura me kujdes dhe secili është aset i Kalasë së Tiranës. 

Për reagimin  ju thatë ka qenë pozitiv? Lind kureshtje, si është pritur kjo nga familjet e vjetra tiranase? A keni pasur ju një bisedë paraprake me ta?

Është pritur shumë mirë nga familjet tironce. Janë kënaqur që një tironc ka marrë pronën dhe amanetet e të parëve kanë shkuar në vend e që ju ka mbush shpirtin plot. Tirona ka një vend ku takohen e ku ndjehen krenarë që janë tironca. Nuk kemi pasur biseda paraprake, sepse ky projekt ka qenë projekt me zhurmë shumë të madhe dhe na ka marrë shumë kohë. Nga ato familje që unë njoh kam marrë vetëm falenderim, mirënjohje e fjalë të ëmbla.

Fakti që Toptani është shkruar në derën e Kalasë, do të thotë që  është për një arsye, për të treguar rrënjët sesa të thella dhe të vjetra janë, sepse familja Toptani dihet që është një nga më të vjetrat në Tiranë. Do të gëzohesha shumë nëse ndonjë nga familjet  e vjetra të merrte pronat, mendoj se kështu do të përkthehej djersa e të parëve, sepse kemi kaq shumë vite nëpër gjyqe, kemi kaluar rininë në dyert e gjykatave dhe rinia është një gjë që nuk kthehet, nuk ka çmim. Mund të kthehet ekonomia, por rina është një gjë që dhemb shumë.

Duke folur për ekonominë, si ka qenë ekonomia brenda këtij ‘miniqyteti’ që ju keni ndërtuar brenda hapësirës së Kalasë. Si ka qenë 2019-ta dhe si ka nisur 2020-ta duke marr parasysh edhe mbylljen për shkak të pandemisë?

Me thënë të drejtën 2019-ta ka startuar shumë mirë, vetëm një moment luhatjeje ka qenë pjesa e tërmetit  që ishte fundi i vitit, kurse 2020-ta  ka qenë e vështirë sepse ne i kemi gjërat zinxhirë, që nga qiraja deri tek pagesat e punonjësve. E njëjta gjë ndodh edhe me bizneset e tjera të Kalasë. Ata duhet të punojnë që të funksionojë ekonomia se përkundër këputet zinxhiri.

A keni ju një strategji të re për t’ia dal mbanë kësaj situate?

Pandemia ka dhënë një kosto ekonomike. Problemi më i madh që edhe ne na luhat  është ajo çfarë do të vij më pas. Por, me patjetër ne e kemi një strategji ringritjeje. Është shumë e rëndësishme në këtë moment, edhe pse të ringrihesh duhet forcë më e madhe sesa fillimi i ri i një gjëje.

Duke folur pak për turizmin të cilin ju e prekët si çështje edhe pak më parë, a ka Kalaja turistë preferencialë?

Po turistët e huaj vijnë zakonisht në pjesën e pranverës dhe verës, gjë të cilën ne mezi po e prisnim. Kemi pasur klientë të besuar dhe kanë ardhur shumë edhe nga qytetet e tjera të Shqipërisë.

Duke folur për pjesën e mbetur të vitit, cilat janë projektet që do të jenë prezentë në Kalanë e Tiranës?

Ne kishim dhe kemi shumë  projekte, por jemi të kufizuar për shkak të masave të jemi të reduktuar dhe mos krijojmë grumbullime njerëzish. Jemi të detyruar  të gjejmë një zgjidhje alternative, një ekspozitë ku njerëzit mund të hyjnë me radhë, por është e pamundur të bëjmë  ato gjërat që donim të bënim, sepse për të bërë një gjë të bukur, njerëzit duhet të jenë bashkë për t’i dhënë atë kolorin ose për të mbyllur panoramën, gjë të cilën ne nuk e bëjmë dot për shkak të masave. Urojmë e shpresojmë të lehtësohen e gjërat të shkojnë mirë. Tanimë ka ardhur edhe ‘Porsche’ që do të jetë 3 muaj në Kala, ndoshta këtu fillon të marrë pak frymë e të rigjallërohet fryma e biznesit, por që është e vështirë sigurisht.

Përtej punës, si është rutina e Klodianës, si nis e mbaron një ditë e juaja?

Dita ime është shumë intensive dhe e ngarkuar ku çohem në mëngjes herët, por edhe mund të rri deri në orën 1 ose 2 të mëngjesit të ditës së nesërme. Kjo ndodh për një arsye, sepse unë dua t’i bëj dhe t’i prek vetë gjërat. Kur mbaruam ndërtimin aty menduam se iku pjesa më e madhe e punës e do të ishim më të lirë, por në fakt aty filloi gjithçka, me një vrull shumë më të madh se çe kishim.( Qesh). Gjithë dita ime është me takime, shumë e ngjeshur. Pasi mbaroj takimet duhet të sistemoj gjithcka që mos mungojë asgjë për të nesërmen dhe bëj planin e gjërave për në vazhdim. Çdo ditë nuk i ngjan ditës tjetër. Menaxhimi nuk është asnjëherë i lehtë. Duhet të fillosh nga menaxhimi i vetes, i familjes, shoqërisë tek menaxhimi i kësaj gjëje të madhe që në dukje mund mos ta jap idenë e intensives, por në fakt është. Unë mund të kisha zgjedhur të bëja një ndërtesë më të madhe, ta jepja me qira dhe gjithcka do të vinte pa lodhje. Por unë jam  munduar të sjellë këtu gjëra që me të vërtetë  njerëzit nuk i kanë parë. Jam munduar të sjell vlera. Tirana ka vlera, familje të mëdha që kanë bërë histori, por ne kemi edhe institucione shumë të mira që sa herë na është dhënë mundësia ne kemi bashkëpunuar, siç ka qenë edhe Arkivi  i Shtetit. Arkivi i Shtetit është thesar, veçse ti duhet të dish ta përpunosh atë thesar dhe ta sjellësh tek publiku.  100-vjetori ka qenë i jashtëzakonshëm ku ne ekspozuam deri vulat origjinale.  Dhamë një informacion dhe një vlerë, sepse njerëzit nuk e dinë që ti mund të kesh akses edhe në Arkivë, mund të shkosh, të pyesësh, të kërkosh për rrënjët e tua. Ndërkohë tani kemi kthyer Galerinë Krisiko në shtëpinë e artistëve, ku mund të vijnë e të ekspozojnë vlerat e tyre.

Këtu vjen për të pirë  kafe apo edhe për të shëtitur dhe shikon një gjë të bukur që nuk e ke parë kurrë ose edhe që ndoshta nuk do të mundesh ta shikosh më kurrë për gjithë jetën tënde. Është një punë e lodhshme, ku derdh shumë energji dhe ide, por është dashuri, e bëj me pasion.  Nga të gjitha gjërat që unë kam bërë në jetën time kjo ka qenë gjëja më e bukur, e them me bindje të plotë. Kjo është  arsyeja që unë nuk lodhem, por ndihem e motivuar ditë e natë, madje natën e kam produktivitetin e idetë më të mëdha. (Qesh). 

Si do e përshkruanit të gjithë rrugëtimin tuaj, mes peripecish e përplasjesh, deri tek vizioni dhe konkretizimi i asaj që kishit në mendje? A është e vështirë të jesh një grua në karrierë në Shqipëri?

Është e vështirë sepse ti duhet të jesh njeri fillimisht, pastaj femër, grua, nënë, motër, vajzë dhe mike shumë e mirë. Sa më shumë ngrihesh aq më të madhe e ke koston e rënies si nga tërheqja, si nga lartësia, si nga pozicioni. Por unë nuk kam kthim prapa për asgjë. Mjafton ta dashurosh atë që bën e mos të shkelësh  ligjet e Zotit dhe të shtetit.

E vërteta është që në fund të kësaj rruge unë jam me buzëqeshje. Ka familje që ende rropaten në dyert e gjykatave dhe nuk kanë marrë asgjë. Shikoj dhe njoh shumë që kanë qenë të reja kur kanë startuar dhe sot janë me flokë të bardhe dhe ende enden nëpër dyert e gjykatave. Fati im nga Zoti, durimi, lodhja dhe këmbëngulja, guximi më ka bërë që të arrij këtu ku jam. Sfidat dhe peripecitë kanë qenë ndër më të mëdhajat, por unë ia kam dalë mbanë me forcën e të madhit Zot, i cili nuk u lodh kurrë duke më dhënë forcë dhe dëgjuar të gjitha lutjet e mia. Ka qenë një rrugëtim shumë i gjatë, mbi njëzet e ca vite dhe ta mendosh kam qenë shumë e re atëherë kur kam nisur gjithçka. Unë e re prapë jam! (Qesh). Prandaj edhe në parantezën më përpara e thashë se rinia nuk kthehet, gjërat që kam dashur të bëj atëherë nuk mund t’i bëj tani. Unë jam nënë e dy djemve, jam munduar edhe tek  puna t’i mbaj pranë, sepse mund të jesh e suksesshme në biznes, por mund të jesh e dështuar si nënë. Fëmijët janë pasuria më e madhe që ka njeriu! Feja e thotë: ‘’Ti duhet të lindësh dhe të rritësh fëmijë shumë të mirë, sepse ti bëhesh pjesë e prishjes së komunitetit nëse ti rrit fëmijë të këqinj‘’. Ka qenë e lodhshme, por edhe e bukur, me emocione, dhe sikur të kisha bërë edhe dhjetë fakultete të tjera kurrë nuk do t’i kisha mësuar të gjitha këto gjëra çfarë di. Në këtë rrugëtim kam njohur shumë njerëz, kam bërë shumë miq, dhe duke bërë miq të mirë ia kam dalë të kem edhe atë pasurinë e shpirtit. Edhe tek Kalaja unë nuk mundohem të fryj e mbush kuletën, por shpirtin. Njerëzit vijnë e gjejnë veten, nga artistët më të vegjël tek  njerëzit që kanë bërë emër dhe reputacion në qytet. Ia ka vlejtur gjithçka, edhe ajo kohë e vështirë kur ne rrinim në temperatura të ulta për ta ndërtuar. Kjo është zonë arkeologjike dhe ne kemi punuar me krahë, pa makina të mëdha. Çdo gjë është punuar me dorë dhe ne rrinim me temperaturën minus gradë me punëtorët duke u kujdesur për çdo detaj. Dy nga bashkëpunëtorët më të mirë, dy krahët e mi, i majti dhe i djathti kanë qenë një suport  për të ecur përpara dhe arritur këtu ku jemi. Pa to, ky oaz, kjo Kala nuk do të ishte bërë. Pa dashuri nuk mundesh kurrë të ndërtosh diçka të bukur. Unë jam e lumtur që në fund të kësaj rruge, Kalaja ka sjellë një lloj gjallërimi në qytet, është bërë një pikë strategjike ku mes të tjerash përcjell vlera. Unë dashuroj çdo gur sokaku të Tironës time ku jam lindur, rritur e edukuar. I kemi borxh nonës së modhe Tironë e duhet të gjithë të bëjmë përpjekje për t’ia lartësuar emrin e për ta mbrojtur e për ta mbajtur me kokën lart.

Nona e modhe Tironë me zemrën e modhe. E dua fort Tironën time.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu