COVID-19/ Ambasadori Zingraf: Masat në Shqipëri kanë frenuar përhapjen e virusit, edhe në Gjermani nuk ka pasur teste masive

0
51

Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Shqipëri, Peter Zingraf, vlerësoi përpjekjet dhe masat e marra nga qeveria shqiptare për frenimin e përhapjes së COVID-19 duke përgëzuar edhe qytetarët shqiptarë për sakrificat.

Gjatë një interviste për Report TV, ambasadori Zingraf tha se “në Shqipëri konstatoj me shumë kënaqësi se është bërë i mundur frenimi i përhapjes së koronavirusit. Është një sukses ky i ndërmjetëm i të gjithë qytetareve shqiptarë, së pari, çka u kushtoi jo pak atyre dhe përgëzimet e mia për këtë”.

Sipas tij, masat e marra nga ana e qeverisë kanë dhënë efektin e tyre, por kufizimet do të vazhdojnë dhe përpjekjet do të duhet të vazhdojnë të ndërmerren edhe në të ardhmen.

“Të gjithë ne nuk duhet të heqim kujdesin në këtë drejtim. Unë fola pak më parë lidhur me transparencën dhe me debatin publik që zhvillohet në Gjermani lidhur me këtë çështje, çdo ditë në Gjermani flitet për proporcionalitetin dhe për masat e marra si dhe për ruajtjen e të drejtave bazë në këtë drejtim. Masat e marra për menaxhimin e situatës së koronavirusit do të duhej të ishin në mbrojte të drejtave themelore të njeriut, do të duhej të ishin proporcionale dhe të kufizuara në kohë, përveçse edhe të mirargumentuara”, – tha ambasadori.

I pyetur nëse testimi masiv është çelësi për suksesin e menaxhimit të pandemisë në Gjermani, ambasadori Zingraf theksoi se “teste masive edhe në Gjermani nuk ka pasur, pra nuk mund të themi që ka pasur testim masiv të popullsisë”.

“Numri i kufizuar aktualisht i gjendjes së testeve, për një popullsi prej 82 milionë banorësh siç është ajo në Gjermani, kjo do të kishte qenë mjaft e vështirë. Në këtë këndvështrim është ndjekur strategjia testim sipas simptomave, duke gjurmuar gjithashtu edhe kontaktet e personave të infektuar por edhe në Gjermani është duke u analizuar dhe menduar mundësia e zgjerimit të testimeve. Ka një debat publik të gjerë lidhur me këtë. Unë personalisht nuk jam epidemiolog, por gjithsesi mendoj që strategjia e testimit do të duhej t’i referohej apo orientohej sipas situatës specifike të çdo vendi apo rajoni”, theksoi ai.

“Në fakt pandemia është një sfidë globale të cilën na takon që ta menaxhojmë dhe për menaxhimin e së cilës na takon të kontribuojmë të gjithë dhe gjithsecili prej qytetarëve dhe gjithsecili prej vendeve dhe Europa ka vënë pikërisht në këto kohë të vështira një paketë të konsiderueshme ndihmash në këtë drejtim”, u shpreh Zingraf.

“Lufta kundër virusit do të vijojë edhe për një kohë të gjatë  ashtu sikurse e ka thënë edhe Kancelarja Federale, nuk bëhet fjalë për një sprint por bëhet fjalë për një maratonë dhe të gjithë neve do të na duhet të kontribuojmë në këtë luftë përmes ruajtjes dhe respektimit të masave të marra të distancimit fizik të rregullave të higjienës etj.”, tha ai. /ATA

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu